Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës është mbajtur takimi i katërt i Këshillit Drejtues të projektit “Shkathtësitë për Punësim të Qëndrueshëm në Kosovë” (KSV/021), ku janë prezantuar rezultatet përfundimtare dhe është miratuar raporti financiar.
Projekti, i financuar nga Qeveria e Luksemburgut dhe i zbatuar nga Agjencia e Luksemburgut për Zhvillim (LuxDev), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ka përfunduar në tetor të vitit 2026, pas tri vjetësh zbatim.
Takimi u drejtua nga sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Naim Gashi, i cili vlerësoi se projekti ka dhënë kontribut në modernizimin e arsimit dhe aftësimit profesional, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me sektorin privat.
Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së rezultateve të arritura dhe vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe partnerëve zhvillimorë, me qëllim krijimin e mundësive më të mira për zhvillimin profesional dhe punësimin e të rinjve dhe grave.
Ndër rezultatet kryesore të projektit është certifikimi i 198 kompanive për arsimin dual, zhvillimi i profileve të reja profesionale në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si dhe në energjinë e ripërtëritshme.
Po ashtu, janë trajnuar 131 mësimdhënës, ndërsa në trajnimet afatshkurtra kanë marrë pjesë 851 persona, prej të cilëve 517 gra.
Projekti ka ndihmuar edhe në përmirësimin e infrastrukturës së shkollave profesionale dhe në forcimin e bashkëpunimit hulumtues ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Luksemburgut.
Në takim, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës dhe partnerë të tjerë institucionalë vlerësuan rezultatet e arritura, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit për zhvillimin e shkathtësive profesionale në vend.