Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Edon Bujupit, i akuzuar për vrasje, në cilësinë e dëshmitarëve janë dëgjuar bashkëshortja dhe djali i viktimës A.K.
Fillimisht, dëshminë para trupit gjykues e ka dhënë A.K., bashkëshortja e viktimës A.K. Në rrëfimin e saj lidhur me atë se çfarë dinte për ngjarjen e ditës kritike, dëshmitarja ndër të tjera tha se bashkëshorti i saj dhe tani i akuzuari nuk kanë pasur probleme ndonjëherë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, sipas dëshmitares, bashkëshorti i saj ishte nisur për në banesën e tani të akuzuarit për të biseduar, mirëpo, sipas saj, aty kishte ndodhur një mosmarrëveshje ku prezent ishte edhe djali i saj, dëshmitari A.K., i cili e kishte njoftuar për ngjarjen.
“Nuk kaloi kohë shumë, kohë e shkurtër, kur djali më thirri në telefon dhe më tha: ‘Mam, e ka therë babin Edoni’”, tha dëshmitarja A.K.
Seanca vazhdoi me dhënien e dëshmisë së A.K., djalit të viktimës A.K. Dëshmitari rrëfeu ngjarjen e cila kishte ndodhur në prezencë të tij, ku sipas tij, kur kishte mbërritur në banesën ku jetonte i akuzuari Bujupi bashkë me motrën dhe nipin e tij, tani i akuzuari Bujupi kishte qenë duke i pritur me thikë në dorë.Tutje, dëshmitari A.K. tha se babai i tij kishte hyrë në mes për t’i ndarë atë dhe të akuzuarin Bujupi dhe në ato momente kishte marrë plagë edhe motra e tij, por edhe viktima, dhe sipas dëshmitarit fillimisht nuk kishte qenë në dijeni se ku ishte i plagosur babai i tij, derisa këtë e kishte kuptuar pas raportit të autopsisë së viktimës.
“Unë nuk e kam ditur saktë ku është i therur”, tha ndër të tjera dëshmitari.
Në fund, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dermaku, ndërpreu seancën e sotme dhe të radhës e caktoi për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e datës 21 tetor 2024, thuhet se Edon Bujupi, me datë 29 nëntor 2023, rreth orës 21:15, në banesën e tij në rrugën “Ali Vitija”, pas një mosmarrëveshjeje mes të pandehurit Edon Bujupi dhe miqve të tij (babait dhe vëllait të gruas), kanë filluar përleshjen mes vete, ku gjatë përleshjes fizike, me dashje që ta privojë nga jeta, i pandehuri Edon godet me armë të ftohtë – thikë e cila kishte gjatësinë e tehut 19 centimetra – në regjionin e majtë të kraharorit tani të ndjerit Ali Kosova, i cili si pasojë e plagëve të shkaktuara ka ndërruar jetë në SHSKUK.
Me këtë, Bujupi sipas aktakuzës thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.