​Mos konstituimi i Kuvendit, Osmani: Duhet të ketë pasoja juridike për deputetët

Aktuale

​Mos konstituimi i Kuvendit, Osmani: Duhet të ketë pasoja juridike për deputetët

Më: 17 korrik 2025 Në ora: 17:52
Foto ilustrim

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.

Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit, raporton KosovaPress.

Osmani, në konferencë për media të enjten, renditi një varg pyetjesh që sipas saj kërkojnë sqarime kushtetuese nga Kushtetuesja për atë që ndodh pas datës 26 korrik.

Kuvendi i Kosovës edhe pas pesë muajve nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po arrin të zgjedhë trupat e legjislativit, çka pastaj do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese, në fund të muajit qershor, ka dalë me një aktgjykim ku i obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin deri më 26 korrik. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ndërsa kanë mbetur më pak se dhjetë ditë nga ky afat, nuk po arrihet pajtim për zgjedhjen e kryekuvendarit dhe trupave të tjerë të legjislativit.

Osmani: Duhet të ketë pasoja juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik

“Ne vazhdojmë takimet, megjithatë nuk është roli i asnjë presidenti të negociojë koalicione. Në të njëjtën kohë dua të qartësoj se Kushtetuta nuk lejon në këtë fazë shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje. Duhet të plotësohen disa kritere ligjore të cilat ende nuk janë përmbushur... Unë jam e bindur se për çdo afat tjetër, dhe për këtë afat që Gjykata e ka shpallur të detyrueshëm dhe kushtetues, nëse nuk respektohet, duhet të ketë pasoja juridike. Nuk po flas për pasoja penale, por juridike. Kjo nënkupton: çfarë ndodh me institucionet nëse nuk konstituohen deri më 26 korrik? A nënkupton kjo se çdo Kuvend i konstituuar pas 26 korrikut është antikushtetues? A nënkupton se çdo akt që mund ta miratojë Kuvendi është shkelje e Kushtetutës? Këto çështje duhet të sqarohen, sepse nëse vazhdohet kështu edhe pas 26 korrikut, atëherë për çfarë është vendosur ai afat?”, tha Osmani.

Ajo tha se janë duke përgatitur lëndën për Kushtetuese, dhe paralajmëroi se nëse edhe gjatë këtij vikendit nuk ka formim të institucioneve, në fillim të javës ajo do ta dërgojë çështjen për interpretim.

Osmani: Lëndën në Kushtetuese mund ta dërgojmë javën e ardhshme

“Ne jemi duke përgatitur lëndën për Kushtetuese dhe nëse gjatë këtij vikendi nuk ka ndonjë marrëveshje për institucione të konstituuara, atëherë ne, në fillim të javës, do t’i drejtohemi Gjykatës. Mirëpo, kjo mund të marrë shumë kohë dhe mund të na sjellë në një krizë që Kosova nuk është përballur asnjëherë më herët”, tha Osmani.

Duke folur për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ku theksohet se një deputet i certifikuar nuk mund të ushtrojë poste ekzekutive, Osmani u shpreh më e rezervuar. Ajo tha se palët e pakënaqura mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Osmani: Palët e pakënaqura mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

“Palët e pakënaqura mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Kurse Kushtetuesja ka thënë në aktgjykimin e saj për AAK-në se nëse deputetët duan të ngrenë çështjen e papajtueshmërisë midis deputetit dhe ministrit, atëherë atë mund ta bëjnë me 40 nënshkrime,” përfundoi ajo. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat