Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shtetit të Katarit për Kosovën, Jabor Ali Hussein Al Haëashela Al Dosari.
Sipas njoftimit të presidencës, në takim është diskutuar për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Presidentja Osmani ka falënderuar veçanërisht ambasadorin për mbështetjen konkrete të Katarit në sigurimin e protezave për invalidët e luftës, një projekt që po realizohet nëpërmjet bashkëpunimit institucional me Katarin.
Ajo ka vlerësuar këtë ndihmë si një akt human dhe solidar, që sipas saj forcon më tej marrëdhëniet mes dy popujve.
Nga ana tjetër, ambasadori Al Dosari dhe Presidentja Osmani u dakorduan për të thelluar më tej partneritetin dypalësh mes Kosovës dhe Katarit.
“Në takim u rikonfirmua partneriteti i shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Katarit, si dhe u diskutuan mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.”, thuhet mes tjerash në njoftim.