Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se në takimet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ai u thoshte liderëve politikë se “Çka t’i themi Avni Deharit”. Ai tha se kryetari i LVV-së është shtirur, madje të njëjtin e quajti edhe mashtrues.
Kështu u shpreh ai pas dështimit për konstituim të Kuvendit, për çka tha se pyetja e Kurtit ishte “thelbi i kaosit të sotëm politik”.
Abdixhiku: Çka t’i themi Avni Deharit, ishte pyetja që deputeti Kurti na shtronte neve liderëve partive politike
“Çka t’i themi Avni Deharit, ishte pyetja që deputeti Kurti na shtronte neve liderëve partive politike në takimin e thirrur nga ai menjëherë pas dhënies së afatit 30 ditor nga Gjykata Kushtetuese. Çka t’i themi Avni Deharit për të mos bërë ata që po bën na tha. Dhe në këtë pyetje të tij që duket se besuan më tepër nga frika e mendimit të lirë dhe dëshira e madhe për nënshtrim vetëm dy përfaqësues partish, gjendej i gjithë thelbi i kaosit të sotëm politik. Dhe natyrisht një dhomë e tërë e përfaqësuesve politik që mbeten të habitur. E para, sepse Avni Deharit s’duhej thënë asgjë, ai ishte aty thjesht për të ekzekutuar një vendim standard të kryesisë, të shndërruar më vonë në aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese. Pra, ishte pastër një figurë ceremoniale, pa diskrecion vendimmarrje, ishte më i moshuari ndër të barabartëve 120 sosh. Prandaj ishte besuar leximi, pra lexo duhej thënë Avni Deharit. Lexo Avni. Dhe e dyta sepse në këtë pyetje qëndronte edhe shtirja e një njeriu që duhej të sillej si fitues, por para se gjithash si thirrës takimi edhe të shtirej si i vërtetë. Pra, nuk mund të bëhet i tillë, s’mund të sillej si i vërtetë sepse nuk ka qenë asnjëherë. Popullorçe i thonë sillej si mashtrues”, deklaroi ai.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaroi se partia e tij e ka të qartë që “Albin Kurti duhet t’i thuhet: respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Abdixhiku: Çështja e vetme që mbetet është çfarë duhet t’i themi Albin Kurtit sot
“Sa do që provon të gjesh vetën mes konsensusit të nevojshëm edhe me një dy kryetarë partish, të gjithë pa krye mendimi, vetëm me krye pohimi, sa do që mund të gjesh vetën mes britmave patriotike të një berrete të kuqe me rrënjë nga Greqia, që besoni ose jo i mban ligjërata patriotike luftëtarëve të UÇK-së, e rezistuesve paqësor të Republikës, sa do që mund të kërkosh durimin e heshtjes mes mendimeve të proesorëve pa F nga Parisi, e filozofëve përsëritës të klasave nga Ferizaj. Sa do që provon të dëgjosh me durim edhe kontabilistët financier që interpretojnë vendime komplekse juridike me plot kompetencë e bindje, pra sa do që mundohesh të sillesh normal e i përgjegjshëm çështja e vetme që mbetet është çfarë duhet t’i themi Albin Kurtit sot?”, tha ai.
Tutje, Abdixhiku tha se Kurti po e përdor Kosovën dhe se vendimi për të refuzuar bashkëpunimin me të, siç u shpreh ai, është një nga vendimet më kombëtare që kanë marrë si parti.
Abdixhiku: Refuzimi për të bashkëpunuar me politikën e Albin Kurtit është një nga vendimet më kombëtare
‘’Unë besoj se në politikë jemi të gjithë kalimtarë. Lëmë shenja aty-këtu, dikush më shumë, dikush më pak. Por e them me bindje se refuzimi për të validuar një politikë të tillë, refuzimi për bashkëpunuar me politikën e Albin Kurtit, sot përfaqëson është një nga vendimet më kombëtare që kemi marrë ne si LDK’’, deklaroi Abdixhiku.