Tronditet Gjilani/ Tre të vrarë e dy të plagosur, një person në pranga -Prokuroria jep detaje të reja rreth rastit

Aktuale

Tronditet Gjilani/ Tre të vrarë e dy të plagosur, një person në pranga -Prokuroria jep detaje të reja rreth rastit

Më: 10 gusht 2025 Në ora: 13:47 Përditësuar në ora: 08:07 më 11.08.2025
Konferenca

Gjithçka që dihet rreth vrasjes së trefishtë në Gjilan – Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij ende në arrati

Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Gjilanit të dielën, ku tre persona mbetën të vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë në një sulm me armë zjarri që ndodhi rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”.

Autoritetet kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një vrasje të trefishtë, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër.

Të vdekur kanë mbetur S.H, E.H dhe A.H.

Sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, një person është arrestuar në vendngjarje, ndërsa tre të dyshuar të tjerë – Mefail Shkodra (53 vjeç) dhe djemtë e tij, Edonis (25) dhe Engjull Shkodra (22) – janë shpallur në kërkim dhe ndodhen ende në arrati.

I plagosuri, është transportuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Nga QKUK bëjnë të ditur se ai po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale dhe se ndodhet në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme.

Zyrtarë policorë dhe prokurorë mbajtën një konferencë për media, ku u dhanë detaje të rëndësishme për të kaluarën kriminale të Mefail Shkodrës.

Sipas deklaratave zyrtare, ai është i njohur për më shumë se 30 raste të ndryshme penale, përfshirë fajde, shantazh, pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, mashtrim, kërcënim, sulm dhe kundërvajtje në trafik.

Policia ka publikuar fotografitë e Mefail, Edonis dhe Engjull Shkodrës dhe ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për çdo informacion që mund të çojë në lokalizimin e tyre. Ndërkohë, për tre të kërkuarit është bërë kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar të gjitha pikat kufitare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi pas ngjarjes duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe kërkoi veprim urgjent nga organet e rendit dhe drejtësisë.

Ajo theksoi nevojën për të sjellë autorët para drejtësisë dhe për të ndalur me vendosmëri veprimet kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.

Për rastin ka reaguar edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni. Ai e quajti këtë akt të dhunshëm e të papranueshëm derisa u shprehi ngushëllime familjarëve të viktimave.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka quajtur ngjarjen një tjetër alarm për pasigurinë dhe rritjen e kriminalitetit në Kosovë, duke kërkuar nga institucionet veprim të shpejtë për rikthimin e sigurisë dhe besimit të qytetarëve.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjithashtu reagoi për vrasjen e trefishtë, duke thënë se është momenti i fundit që institucionet e drejtësisë të reflektojnë e të mos ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale.

Hetimet për këtë rast të rëndë po vazhdojnë, ndërsa shpresohet që autoritetet të arrijnë të kapin të dyshuarit në një kohë sa më të shpejtë dhe të zbardhin plotësisht motivet e kësaj vrasjeje që ka tronditur opinionin publik në Kosovë.

Habibe Salihi – kjo është prokurorja speciale që e la të lirë fajdexhiun që përgjaku Gjilanin

Derisa një procedurë hetimore ndaj të dyshuarit për fajde ishte ende në zhvillim nga një rast i vitit 2024, Prokuroria Speciale kishte nisur një tjetër hetim në vitin 2025 – sërish për fajde. Personi i dyshuar kryesor në të dyja rastet: Mefail Shkodra.

Ai, bashkë me një tjetër të dyshuar që ndërmjetësonte mes Shkodrës dhe viktimave – të cilët vetë ishin identifikuar nga Prokuroria Speciale si viktima të fajdes – u morën në pyetje nga prokurorja Habibe Salihi.

Pavarësisht pritjeve të mbrojtësve, që dy të dyshuarit të ndaloheshin të paktën për 48 orë, për shkak të provave të siguruara, përfshirë përgjimet dhe materiale të tjera, prokurorja Habibe Salihu mori një vendim befasues: ajo urdhëroi lirimin e tyre në procedurë të rregullt.

Krimi në Gjilan/ Kjo është gjendja e personit të plagosur

Personi, i cili është plagosur sot në rastin e vrasjes së trefishtë në Gjilan, ndodhet për trajtim mjekësor në QKUK në kryeqytet.

Naser Syla nga QKUK-ja ka konfirmuar për KosovaPress se gjendja shëndetësore e personit të plagosur është e rëndë, por stabile.

“Në QKUK është sjellë një person i plagosur me armë zjarri nga spitali i Gjilanit. Gjendja e tij është e rëndë, por stabile për momentin. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe ai po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale”, ka thënë Syla.

Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një incidenti ku janë përdorur armë zjarri sot rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan.

Një person është arrestuar në lidhje me rastin, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim Mefail Shkodra (53) dhe dy djemtë e tij - Edonis Shkodra (25) dhe Engjull Shkodra (22).

Policia e Kosovës dhe njësitet e hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë.

Tre të vrarë në Gjilan, të dyshuarit në arrati

Tre njerëz janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur të dielën në Gjilan, derisa policia ka filluar kërkimet për tre të dyshuar që ndodhen në arrati, njoftuan autoritetet e sigurisë.

Sulmi ka ndodhur në rrugën “Ibrahim Rugova” rreth orës 12:30, njoftoi drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Agron Rukiqi.

“Njëri ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë kanë vdekur pasi janë dërguar në emergjencë për tretman të metejmë”, tha Rukiqi të dielën pasdite në një konferencë për media.

Një person po trajtohet në spital për plagë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër ka marrë plagë që nuk kanë të bëjnë me armë zjarri, tregoi ai.

Rukiqi tha se i dyshuari kryesor për kryerjen e vrasjes së trefishtë ka të kaluar kriminale dhe është i njohur për autoritetet e sigurisë, ndërsa në përgjithësi tre të dyshuar janë në kërkim pasi ndodhen në arrati.

“Ai ka pesë raste për sulm, ka raste për prishje të rendit publik, mashtrim, fadje, kërcënim, shantazh dhe pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, tha ai.

“Policia ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme që tre persona e përfshirë në rastin e vrasjes e kanë kryer këtë akt”, tha shtoi ai.

Më herët, Policia e Kosovës tha se është në kërkim të tre të dyshuarve për këtë rast, Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra, të cilëve ua publikoi edhe fotografitë dhe u kërkoi ndihmë dhe bashkëpunim qytetarëve për t'i kapur ata.

Rukiqi theksoi se një person është arrestuar në vendngjarje për të parë nëse ka të bëjë me rastin.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e kritikoi institucionet e drejtësisë se e kishin lënë të lirë të dyshuarin kryesor, për të cilin tha se kishte qenë i arrestuar një vit më parë nën dyshimin për fajde.

“Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri. Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot”, shkroi Sveçla në Facebook.

Nuk është e qartë se cilat kanë mundur të jenë motivet e kësaj vrasjeje, dhe prokurori që po heton rastin, Isuf Sadiku, tha se është herët të flitet për motivet.

“Është ende herët të dalim me ndonjë qëndrim. Fillimisht, në ditët në vijim, do merren në pyetje viktimat apo të dëmtuarit, nëse ata na japim ndonjë sinajl apo ndonjë verzion të tyre, atëherë edhe ne mund ta kemi të qartë nëse ka ndonjë motiv apo rasti ka ndodhur aty për aty”, tha Sadiku në konferencë për media.

Sadiku tha se, meqë të dyshuarit kanë qenë të njohur për organet e sigurisë, autoritetet kanë kryer disa kontrolle, “por të dyshuarit nuk janë gjetur në ato vende”.

Rukiqi tha se autoritetet i kanë njoftuar edhe vendet rajonale në lidhje me të dyshuarit në arrati, pasi ka dyshime se ata mund të ikin jashtë vendit.

Rajoni i Gjilanit gjendet në juglindje të Kosovës dhe në verilindje kufizohet me Serbinë, ndërda në juglindje me Maqedoninë e Veriut.

Vrasja e trefishtë në Gjilan, policia bën kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar për kapjen e të dyshuarve

Policia e Kosovës është duke kërkuar tre persona të dyshuar për vrasjen e trefishtë.

Drejtori i Drejtorisë rajonale të Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, ka thënë në konferencë për media se është bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar. 

“Është bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë lajmëruar pikat kufitare.

Policia me veprimet e ndërmarra ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme, me dyshimin se tre personat e përfshirë në rastin e vrasjes së rëndë e kanë kryer këtë vepër.

Policia ka ndërmarrë kontrolle në tri lokacionale me dyshimin se mund të jenë personat e dyshimtë. Ekipet rajonale janë në terren”, ka thënë Rukiqi. 

Nga fajdet e shantazhi te mashtrimi – dosja e errët e të dyshuarit për vrasje në Gjilan

Sot Gjilani është tronditur nga një vrasje e trefishtë që ka ndodhur në një prej kafiterive të qytetit.

I dyshuari për vrasjet është Mefail Shkodra, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës bashkë me Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra.

Prokurori i këtij rasti në një konferencë për media ka bërë të ditur se për kapjen e tyre tashmë kanë bërë kërkesa edhe për bashkëpunim ndërkombëtar dhe se kanë njoftuar të gjitha pikat kufitare.

Përveç tjerash, Prokurori i këtij rasti në konferencë për media ka treguar se Mefail Shkodra ka një precedent penal prej më shumë se 30 veprave, përfshirë sulm, prishje e rendit, fajde, mashtrim, kërcënim, shantazh e detyrim.

 “Personi i dyshuar që ka kryer veprën penale ka precedent penal. Ka raste për sulm, prishje e rendit, fajde, mashtrim, kërcënim, shantazh, detyrim. Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, ka treguar Prokurori i rastit.

Vrasja e trefishtë në Gjilan, Prokurori: Ende herët për të dalë me qëndrim rreth motiveve

“Është ende herët të dilet me qëndrim për motivet”.

Kështu tha Prokurori i rastit në Gjilan në një konferencë për media pas vrasjes së trefishtë në Gjilan.

Për këtë vrasje po kërkohen tre persona: Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra.

“Ju siguroj se rasti do të trajtohet me profesionalizem dhe seriozitet nga Prokuroria Themelore në Gjilan”, tha ai

Ka nisur konferenca e Policisë së Kosovës në Gjilan për vrasjen e trefishtë

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ka nisur konferencën e paralajmëruar për media në orën 18:00, lidhur me ngjarjen tragjike që tronditi sot qytetin.

Sipas informacioneve zyrtare, tema kryesore është vrasja e trefishtë e ndodhur në këtë komunë, ku i dyshuari kryesor mbetet Mefail Shkodra. Ai dyshohet se pas një përplasjeje ka hapur zjarr, duke lënë të vdekur tre persona dhe duke plagosur një tjetër.

Mefail Shkodra ndodhet ende në arrati. Policia ka shpallur kërkim ndaj tij dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të ofrojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e të dyshuarit.

Autoritetet pritet të zbulojnë në konferencë detaje të reja rreth rrethanave të krimit dhe masave të ndërmarra për kapjen e tij.

Policia shpall në kërkim edhe dy djemtë e të dyshuarit kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim edhe dy persona tjerë, të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Përveç Mefail Shkodrës, të dyshuar janë shpallur edhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra.

Njoftimi:

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Gjilan, kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave në fotot e bashkëngjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, E-mail: [email protected] dhe numrat kujdestarë 038 504 504 7299 dhe 038 504 504 7201.
Të dhënat tuaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”,
thuhet në njoftim.

Tragjedia në Gjilan – I plagosuri në QKUK në rrezik për jetë

Drejtori i Spitalit të Gjilanit dhe mjeku kujdestar kanë dhënë detajet e fundit për të plagosurit nga vrasja e trefishtë që ka ndodhur sot në Gjilan.

Një nga të plagosurit është duke u trajtuar në QKUK, gjendja e të cilit është stabile e rëndë, por që sipas mjekut kujdestar ekziston akoma rreziku për jetë.

“Rreth orës 12:35 është sjell një personi i moshës 58-vjeçare në gjendje të rëndë, pa tension me puls të shpejtë e me gjendje të rëndë. Kemi filluar reanimimin tonë… por, me gjithë përpjekjen tonë pacienti nuk iu mbijetoi plagëve të marra. Pas disa minutave janë sjell edhe pacientët tjerë, njëri pa shenja jete dhe pacienti i tretë i moshës 1984, që ka pasur plagë të ndryshme, plagë në kokë, plagë me armë zjarri, plagë në trup. Janë marrë të gjitha masat ranimuese… dhe kemi filluar me përgatit për transferim në QKUK, gjendja e tij është stabile por shumë e rëndë. Gjendja stabile, por s’mund të themi jashtë rrezikut për jetë”, tha ai para gazetarëve.

Ndërkohë, detajet se si janë dërguar viktimat në spital ka treguar drejtori i Spitalit të Gjilanit.

“Nga ngjarja jo e zakonshme ka përfunduar me epilog fatal. Në Spitalin e Gjilanit në Emergjencë janë sjellë trupat fillimisht të një personi i cili për fat të keq ka ardhur pa shenja jete dhe kanë pësuar pastaj edhe dy tjerë të cilët përpjekjeve të ekipes nga ana e profesionistëve shëndetësorë njëri nga ta është transferuar në QKUK”, tha drejtori i Spitalit.

Si pasojë e të shtënave mesditën e sotme janë vrarë tre persona, e disa të tjerë kanë mbetur të plagosur. Motivi sipas burimeve dyshohet të jetë për fajde.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat