Krejt çka ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës, seanca e radhës të premtën

Aktuale

Krejt çka ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës, seanca e radhës të premtën

Më: 20 gusht 2025 Në ora: 11:59
Foto ilustrim

Që para fillimit të seancës, deputetët dhanë shenja që nuk ka konsensus në zgjedhjen e kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës dhe në konstituimin e institucionit legjislativ të vendit.

Në vazhdimin e sotëm të seancës konstituive dy kandidatet e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, deputetja, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla nuk kanë siguruar votat për kryekuvendare. Dhe pas këtyre dy dështimeve seanca u ndërpre.

Në nisje të seancës konstituive për sot, kryesuesi, Avni Dehari tha se bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese zgjedhja e kryekuvendari duhet të bëhet me zotim të hapur dhe se kandidati i njëjtë nuk mund të votohet më shumë se tri herë.

“Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës e filluar më 15 prill 2025 në vazhdimin e saj më 26 korrik 2025 është ndërprerë për shkak të caktimit të masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese deri në vendimin përfundimtar. Pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 18 gusht 2025 vazhdojmë me punimet e seancës konstituive…Bazuar në këtë aktgjykim kryetari i Kuvendit zgjidhet me votim të hapur votimi për kandidatin apo kandidaten e njëjtë mund të realizohet vetëm në tri herë“, tha ai.

Dehari pasi i dha këto sqarime e ftoi deputetin e Lëvizjes vetëvendosje, Glauk Konjufca për të propozuar kandidatin e LVV-së për kryetar të Kuvendit dhe ky i fundit ripërsëriti kandidaturën e Albulena Haxhiut për këtë pozitë.

“Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës është deputetja, Albulena Haxhiu”, tha ai.

E pas hedhjes në votim Albulena Haxhiu nuk mori votat e mjaftueshme për të qenë kryetare e Kuvendit të Kosovës pasi pro votuan vetëm 57 deputetë, 56 ishin kundër dhe 3 deputetë abstenuan.

“Për kanë dhënë votën 57 deputetë, kundër 56 abstenim ka pas 3 veta kanë abstenuar, nuk kemi kuorum. Konstatoj se kandidatja e propozuar nuk ka marr votat për të kaluar për t’u zgjedhur”,tha ai.

Pas dështimit të Haxhiu për t’u zgjedhur kryetare e Kuvedit të Kosovës për herë të dytë doli në foltore deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe propozoi Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Ky propozim ngjalli të qeshura në sallën ku po mbahej seanca, prandaj Konjufca përsëriti kërkesën për votim duke thënë “mos qeshni, por iu lutem votojeni atë“.

“Kësaj radhe Lëvizja Vetëvendosje e propozon Donika Gërvalla për kryetare të Kuvendit të Kosovës..mos qeshni por iu lutem votojeni atë“, tha ai.

Ashtu si Albulena Haxhiu edhe e kandidatja e dytë e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla nuk siguroi votat për tu zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës.

“57 deputetë kanë dhënë votën për, kundër kanë qenë 56, kanë abstenuar 3 veta, kandidatja e propozuar nuk ka kaluar për sot ndërpritet seanca”, tha ai.

Seanca e radhës konstituive do të vazhdojë të premtën me 22 gusht në ora 11:00. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat