Paul Williams: Komandantët lokalë kishin ndikim të dukshëm mbi Thaçin

Aktuale

Paul Williams: Komandantët lokalë kishin ndikim të dukshëm mbi Thaçin

Më: 17 shtator 2025 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 18:57 më 17.09.2025
Paul Williams

Paul Williams: Komandantët lokalë kishin ndikim të dukshëm mbi Thaçin

Paul Williams, i cili ishte këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, e nisi dëshminë e tij për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se mbi Thaçin kishin ndikim komandantë lokalë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thaçi po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit - akuza që ata i kanë mohuar plotësisht.

Williams, ish-këshilltar ligjor pro bono i delegacionit kosovar në bisedimet e Rambujesë gjatë periudhës shkurt–mars të vitit 1999, është dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, pas ish-diplomatit të lartë amerikan, James Rubin.

Sipas deklaratës fillestare me shkrim të Williams, e cila u lexua në fillim, ai po dëshmon për procesin vendimmarrës të delegacionit kosovar, objektivat e tij dhe diskutimet mbi demilitarizimin/transformimin e UÇK-së; vëzhgimet e tij e çuan në përfundimin se “Hashim Thaçi nuk kishte autoritet të nënshkruante marrëveshjen pa miratimin e komandantëve rajonalë”.

Duke folur për strukturën e UÇK-së, Williams e përshkroi atë si ad hoc dhe të decentralizuar, me ndikim të madh të komandantëve vendorë dhe “peshë ideologjike” të veprimtarin politik dhe aktivistin për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi.

Ai dëshmoi se Thaçi shpesh merrte telefonata të shpeshta nga jashtë dhe se ndikohej dukshëm nga komandantët lokalë dhe diaspora, përfshirë kontakte në fshatin Rambuje jashtë kompleksit.

“Ai do t’i përgjigjej telefonatave të tyre, do të bisedonin për një periudhë kohe dhe do të kishte reagime nga ai në këtë proces, nga të cilat unë nxora përfundimin se ai ishte i përgjegjshëm dhe nënshtrues”, tha Williams gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit.

Williams tha se sipas asaj që i ishte thënë, Thaçi udhëtoi edhe në Slloveni për t’u takuar me Adem Demaçin, për të siguruar përkrahjen e tij, por ai nuk raportoi sjellje kërcënuese në mbledhjet ku ishte i pranishëm.

“Ndërsa delegacioni kosovar në Rambuje po bënte përparim të ngadalshëm drejt një marrëveshjeje, kishte presione të jashtme, siç i diskutuam më herët, nga komandantët lokalë. Por kishte edhe presion ideologjik dhe, do të thosha, kulturor nga Adem Demaçi, i cili po krijonte pengesa për ecurinë e negociatave dhe ndoshta, nëse jo me siguri, po minonte lëvizjen drejt një marrëveshjeje. Prandaj duhej të merrej parasysh dhe të adresohej”, tha ai.

Ai shtoi se, për Demaçin, çështja kryesore ishte “pavarësia” e Kosovës.

Ndërkohë, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij treditore, tha se Hashim Thaçi kishte rol kryesisht politik dhe nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së.

Sipas tij, ai duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.

Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998-‘99, Veseli ishte udhëheqës i shërbimit të inteligjencës së UÇK-së, Krasniqi ishte zëdhënës, ndërsa Selimi në mesin e shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe njerëzve që nuk donin të merrnin pjesë në luftime.

Në mbrojtje të ish-eprorëve të UÇK-së pritet të dëshmojnë edhe disa dëshmitarë të tjerë, përveç Rubinit dhe Williamsit.

Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre është konfidenciale.

Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra - në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.

Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

Gjykata Speciale pret që deri në fund të dhjetorit të përmbyllet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Williams: Thaçi kontrollohej nga jashtë, ai s’e kishte autoritetin

Paul Williams tha në Hagë se përshtypja e tij ishte që Hashim Thaçi nuk kishte autoritetin mbi negociatat dhe se ai kontrollohej nga dikush jashtë objektit ku mbaheshin përgatitjet për Konferencën e Rambujesë dhe bisedimet për arritjen e Marrëveshjes së Paqes.

Këtë përfundim, ndër tjerash, dëshmitari tha se e bazon edhe nga telefonatat e shpeshta që kishte Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Baza për këtë përfundim janë disa faktorë; biseda të shumta përmes thirrjeve telefonike që realizonte Hashim Thaçi me persona jashtë kështjellës. Telefoni i tij binte në mënyrë të vazhdueshme që shpesh atij iu duhej ose të dilte jashtë ose të shkonte në një cep të dhomës. Vendi i delegacionit ishte në katin përdhesë dhe lehtësisht mund të dilje në oborrin e kështjellës”, tha dëshmitari.

Williams u shpreh se disa shqiptarë të tjerë i kishin thënë se po e thërrasin nga Kosova. Përveç kësaj, ai tha se jashtë objektit të Rambujesë kishte edhe persona të tjerë që ishin nga UÇK-ja e që kishin ide të qarta.

Pastaj, që Thaçi udhëhiqej nga jashtë, sipas dëshmitari vërehej edhe nga gjestikulacioni, e të tjera.

“Krijohej përshtypja që dikush ishte në kontroll të negociatave ose në kontroll të pjesshëm të negociatave ose që edhe ishte një pozitë as kështu e as ashtu-diku në mes”, tha ai.

Dëshmitari deklaroi se kishte përshtypjen që Thaçi s’kishte kontroll të plotë mbi negociatat.

“Mua nuk më është krijuar përshtypja që ai kishte kontroll të plotë mbi negociatat. Unë mendoj që ai përfaqësonte interesa nga jashtë dhe këto interesa kishin kontroll mbi autoritetin ose sjelljen e tij gjatë negociatave”, potencoi dëshmitari.

Williams: Thaçi e mbështeti propozimin për bashkëpunimin me TPNJ-në

Ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje, Paul Williams pohoi se ish-Presidenti Hashim Thaçi e mbështeti propozimin për bashkëpunim me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ).

“Po më kujtohet dhe po e mbështeti”, tha Williams duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, dëshmitari tha se vetëm një pjesë e kufizuar e këtyre propozimeve u pranuan nga Grupi i Kontaktit.

Më pas, atij iu prezantua një draft-dokument i marrëveshjes së përkohshme për paqen në Kosovë që më vonë njihej si marrëveshja e Rambujesë.

Williams tha se ky është dokumenti në të cilin ka nënshkruar edhe Thaçi si udhëheqës i delegacionit. Në këtë dokument, iu bëhej thirrje palëve që t’i lirojnë të gjithë personat e ndaluar pa akuza.

Gjithashtu, palëve u ishte bërë thirrje që të përmes mekanizmave ndërkombëtare të gjurmimit, si Kryqi i Kuq, të kërkohej për fatin e të gjithë personave që nuk diheshin se ku ishin.

Dëshmitari tha se këto pika ishin të pranueshme për delegacionin shqiptar të Kosovës.

Delegacioni i Kosovës në Rambuje kishte dorëzuar propozime për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, sipas Williams

(Përditësuar, ora 13:04)- Dëshmitari Paul Williams, tregoi në Hagë se delegacioni kosovar në Rambuje kishte bërë propozime për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas mbrojtjes thuhej se e kishte titullin “Dispozitat e krimeve të luftës të propozuara nga delegacioni i Kosovës”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mbrojtja tha se ky dokument tregonte për propozimet e delegacionit kosovar lidhur me hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Ky propozim, sipas Williams, ishte përpiluar nga vetë ai dhe Mark Weller që ishte këshilltar ligjor ndërkombëtar që ka punuar në të njëjtën cilësi si vetë ai.

Sipas propozimit, palët pajtohen që të transferojnë përgjegjësitë e tyre tek TPNJ-ja në pajtim me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit.

Në përputhje me rezolutat sipas propozimit, palët janë pajtuar që të arrestojnë, të ndalojnë dhe të transferojnë në paraburgim në TPNJ.

Këto propozime, sipas dëshmitarit, i ishin dorëzuar Grupit të Kontaktit në Rambuje. U tha se këto propozime u bënë në dijeni të plotë me anëtarët e delegacionit.

Verifikimi i këtyre propozimeve, sipas dëshmitarit, u bë edhe nga Fehmi Agani, i cili ishte juristi kryesor i delegacionit kosovar.

Aprozimi i propozimeve, Williamson tha se bëhej nga tre bashkëkryesuesit e delegacionit, dy prej të cilëve ishin Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi.

 

Williams: Më kërkuan të përgatis gjuhë gjithëpërfshirëse për të siguruar që TPNJ-ja të kishte kompetenca për zbatimin e mandatit të saj

Dëshmitari Paul Williams kishte thënë se në mes qëllimeve që delegacioni kosovar kishte në Rambuje, ishte për t’u siguruar për të marrë angazhim konkret për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Williams tha se ka punuar në mënyrë intensive me anëtarët e delegacionit gjatë bisedimeve në Rambuje, si dhe me anëtarë të diasporës gjatë përgatitjeve të këtyre bisedimeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sa i takon Rambujesë, më është kërkuar që të përpiloj-përgatisë gjuhën e cila të ishte sa më gjithëpërfshirëse për t’u siguruar që Tribunali Penal për ish-Jugosllavinë të ishte në gjendje që të kishte të gjitha kompetencat e veta për të zbatuar mandatin e tij”, tha dëshmitari.

Ai tha se e ftuan që të japë një prezantim në Rambuje për delegacionin kosovar dhe një ndër pikat ishte çështja e TPNJ-së.

Nis dëshminë Paul Williams, dëshmitar i dytë i mbrojtjes së Thaçit

Pas përfundimit të dëshmisë së ish-ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar dëshminë juristi i së drejtës ndërkombëtare, Paul Williams.

Ky është dëshmitari i dytë i mbrojtjes në këtë proces gjyqësor dhe është planifikuar që të dëshmojë për një ditë e gjysmë. Ai mban kodin DW001 në këtë proces gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Williams është ish-këshilltar i ekipit të Kosovës në Rambuje.

Përfundon dëshmia e Rubinit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, James Rubin, ka përfunduar dëshminë e tij treditore.

Pas 10-minutash pushim, mbrojtja do të thërrasë dëshmitarin e radhës.

"Dua të them që ishte privilegj për mua të jem këtu, pvarësisht se zgjati pak më shumë, por ishte një përdorim i rëndësishëm i kohës sime", tha Rubin.

Rubin: Përpjekje gjithëpërfshirëse që delegacioni i Kosovës të nënshkruante marrëveshjen

Seanca në Dhomat e Specializuara aktualisht është në një pushim 10-minutësh.

Paraprakisht, James Rubin tha se ishte një përpjekje e senatorëve amerikanë dhe të administratës Clinton që delegacioni i UÇK-së të nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë.

Avokati i Thaçit kujtoi se Demaçi, që ishte kundërshtar i marrëveshjes së Rambujesë dha dorëheqje më 2 mars. Ai e pyeti Rubinin pse ishte e nevojshme që senatori republikan Bob Dole të vizitonte ra

Demaçi më 2 mars, dorëheqje, pengesë – pse doll udhëtoi në rajonin më 5 mars, pasi më nuk ekzistonte një pengesë e tillë

Rubin tha se Dole përkrahte politikat e administratës Clinton dhe po tentonte të sigurohej që delegacioni i UÇK-së të pranonte marrëveshjen.

Sipas tij, ishte e rëndësishme që të mbaheshin sa më shumë takime edhe me personat më skeptikë të kësaj marrëveshjeje, që ajo të nënshkruhej.

“Ishte një përpjekje gjithëpërfshirëse, e senatorëve, të mia dhe Chris Hill”, tha Rubin.

Rubin sqaron fjalën “tradhtar”  

Gjatë pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, Rubin rikujtoi edhe njëherë ditët e marrëveshjes së Rambujesë, komunikimet me Thaçin, teksa sqaroi edhe njëherë fjalën “tradhtar” që ai e përdori në fillim të dëshmisë.

Ai kishte deklaruar se kështu do të quanin Hashim Thaçin nëse ai do të pranonte marrëveshjen pa u përmendur pavarësia e Kosovës.

Rubin tha se ky moment që ishte përshkruar të një artikull të tij, ishte përkthyer më pas në shqip e më pas ishte bërë pjesë e një libri dhe mund të kenë ndryshuar fjalët.

Sipas tij ky epitet se Thaçi do të quhej tradhatar mund të ketë qenë më shumë përceptim i tij sesa vet deklaratë e Thaçit.

“Nuk imagjinoj që ta ketë quajtur veten tradhtar, por unë po përpiqesha të bëja një përmbledhje të asaj çështje. Fjala që kam zgjedhur bazohej në vlerësimin që kam bërë. Megjitahtë e di se ai ishte në një presion të madh”, tha Rubin.

Rubin: Komunikatat e UÇK-së ishin përpjekje për ta bërë më të rëndësishme UÇK-në

James Rubin ka vazhduar të dëshmojë se sipas tij Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte strukturë të organizuar siç e kanë ushtritë.

Ai tha se kishte më shumë grupe, klane, por jo strukturë të mirëfilltë ushtarake.

“Me sa pashë unë nuk ka pasur batalione, brigada apo njësi në UÇK, nuk besoj se se ka pasur organizim nga pikëpamja ushtarake”, tha Rubin.

Ai mohoi të kishte dijeni se në UÇK kishte polici ushtarake.

“Unë e di që kishin uniforma, disa kishin disa jo. Ne nuk i konsideronim ata si komandantë apo shtab i përgjithshëm”.

Në lidhje me komunikatat e UÇK-së, Rubin tha se ka lexuar shumë prej tyre, por tha se i dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme sesa ishte.

“Për mua ishin thjesht manipulime”, shtoi ai.

“Kam lexuar shpesh komunikata [të UÇK], por më dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se ç’ishte. Për mua ishin thjeshtë manipulime”, tha Rubin.

Rubin: Donim që Thaçi të kthehej në një udhëheqës që e drejton kombin drejt lirisë

Gjykatësi nga Irlanda, Fergal Gejnor, ka nisur pyetjet e tij drejtuar James Rubinit. Ai lëshoi një pjesë të një dokumentari të vitit 2000 të publikuar nga BBC ku ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, i referohet Thaçit si lider.

Gjykatësi tha se dje Rubin deklaroi se Adem Demaçi ishte lider.

Rubin u përgjigj se Demaçi ishte një person me status të lartë në Kosovë, në lartësinë e Nelson Madelës. Por, ai korrigjoi gjykatësin sa i përket deklaratës së Albrightit.

“Unë mendoj që ajo ka zgjedhur me kujdes fjalët e saj. Ajo nuk tha lideri, por një prej liderëve. Dhe ka një dallim të madh. Ajo e krahasoi me Gary Adams. Një lider që e drejtoi kombin drejt lirisë”, tha Rubin.

“Ne donim që ai të kthehej një udhëheqës i një kombi, që me shpresë do të ishte i lirë. Po ju korrigjoj, ajo tha një drejtues të një grupi. Një drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar. Ai ishte një prej, kishte një pozicion udhëheqës. Edhe nëse ka thënë udhëheqës i delegacionit, kjo është e saktë”, shtoi Rubin.

Gjykatësi po ashtu e pyeti nëse Rubin ishte në dijeni se Thaçi kishte kërcënuar dy anëtarë të delegacionit të Kosovës në Rambuje që nuk ishin pjesë e UÇK-së, pasi në videon e transmetuar u shfaqën duke folur në atë dokumentar Veton Surroi dhe Dukagjin Gorani.

“Ta ndajmë kërcënimin fizik nga ai moral. Jo nuk e kam ditur që ka pasur kërcënim fizik, por e di që ka pasur presion ideologjik pro ose kundër pavarësisë sepse kjo ishte kryesorja për lëvizjen gjatë luftës. Kështu që Albright e ka kërcënuar Thaçin duke i thënë se nëse nuk nënshkruan, nëse i lë njerëzit e pambrojtur nga serbët... kam dëgjuar edhe se është kërcënuar edhe Demaçi”, tha Rubin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat