Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), njoftoi Zyra e Kryeministrit të enjten.
Sipas njoftimit, Kurti do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të ndryshëm në kuadër të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme.
Takimin e parë ai e pati me kongresistin republikan Keith Self, në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork. Me të bisedoi për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për rolin e diasporës shqiptare në SHBA.
Kurti diskutoi gjithashtu për investimet në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë pajisjet dhe armatimin e blerë nga Shtetet e Bashkuara për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në njoftim u theksua edhe vendimi i Qeverisë për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta nga SHBA-ja në Kosovë, heqja e tarifës doganore për të gjitha produktet amerikane, si dhe vazhdimi i programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata amerikane.
Kryeministria bëri të ditur se qëllimi i pjesëmarrjes në javën e nivelit të lartë dhe i takimeve të parapara është thellimi i marrëdhënieve me vendet partnere, fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe prezantimi i mundësive që vendi ofron për investitorët e huaj.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Kurti pritet të zhvillojë takime edhe me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA dhe me përfaqësues të shoqatave të diasporës.
Në të njëjtën kohë në Nju Jork ndodhet edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila tashmë ka zhvilluar disa takime, përfshirë atë me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si dhe me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.