Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se, nga data 12 tetor 2025, do të nisë zbatimi i Sistemit të Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES), në disa pika kufitare kryesore të Bashkimit Evropian.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ky sistem do të nisë së zbatuari gradualisht në të gjitha pikat kufitare të BE-së.
“Entry/Exit System – EES, është një sistem biometrik i cili regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së, duke mbledhur të dhëna: si shenjat e gishtërinjve dhe fotografi. Ky sistem synon përshpejtimin e kontrolleve kufitare dhe eliminimin e vulave në pasaportë. Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të monitorojë dhe informojë qytetarët për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë proces”, thuhet në njoftim.
Përndryshe, nga 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejt 27 vendeve të zonës Schengen të Bashkimit Evropian.
Udhëtimi pa viza u mundëson qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra si turistë, por edhe të vizitojnë miqtë apo familjarët, të marrin pjesë në ngjarje kulturore apo sportive, takime biznesi, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet i ngjashëm.
Koha e qëndrimit është e mundur për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore brenda Shengen.
Për dokumentet e nevojshme, qytetarët duhen të kenë pasaporta biometrike, informata të sakta mbi vendin dhe qëllimit e udhëtimit. Për ata që udhëtojnë me veturë nevojiten edhe dokumentet, përfshirë kartonin e gjelbër.