Dëshmitari James Peter Covey deklaroi në Hagë se kur thotë udhëheqës të lëvizjes së UÇK-së, e ka fjalën për komandantët e zonave të UÇK-së.
“Më këtë formulim, unë e kam fjalën për udhëheqësit e UÇK-së në terren– për komandantët e zonave në terren”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor, Covey tha se këtë term e ka për komandantët e zonave dhe për askënd tjetër. Ndërsa, për termin “udhëheqës i UÇK-së”- që përdorej për Thaçin, Covey tha se ishte një titull që nuk kishte asnjë bazë.
“Ky ishte titulli që mbante ai. Titull që dukej se ishte një pretendim pa asnjë bazë”, tha dëshmitari kur u pyet se a e kanë trajtuar Thaçin si udhëheqës të UÇK-së.
Covey theksoi se ata kanë arritur në përfundimin se pretendimi që Thaçi është udhëheqës i UÇK-së, është pretendim bosh.
“Ne, kemi arritur në përfundimin se bëhej fjalë për një pretendim bosh”, tha Covey.
Gjithashtu, dëshmitari u pyet se a ka pasur qasje në ndonjë prej komunikatave që pretendohet se janë lëshuar nga UÇK-ja.
“Nuk besoj që në atë fazë të hershme kemi pasur atë informacion. Nuk besoj, nuk besoj”, tha Covey.
Ai tha se ka dëgjuar për persona që bënin ndalime dhe arrestonin njerëz gjatë periudhë së verës së 1999-ës.
Gjatë dëshmisë, dëshmitarit iu prezantua një dokument që pretendohet se është lëshuar nga Qeveria e Përkohshme më 15 korrik 1999, konkretisht nga Ministria e Financave lidhur me taksën e akcizës dhe shifrën e qarkullimit, sipas asaj që tha gjyqtari.
“Nuk besoj ta kem parë më parë”, u përgjigj dëshmitari.
Ai u pyet se a e kishte Qeveria e Përkohshme autoritetin që të mbledhte taksa dhe të miratonte masa ndëshkimore lidhur me mospërmbushjen e këtyre obligimeve.
“Jo. Nga mënyra se si e kemi kuptuar ne mandatin… asnjë prej këtyre nuk do të kishte patur vlerë ligjore”, u shpreh Covey.
Dëshmitari mohoi të ketë dijeni se kush ka qenë ministër i Rendit Publik në Qeverinë e Përkoshme. Po ashtu, mohoi se Ministria e Rendit Publik e Qeverisë së Përkohshme, sipas rezolutës 1244, kishte autoritetin të thirrte dhe të ndalonte një person të caktuar.
Covey gjithashtu tha se ka dëgjuar për ndalim, por s’ka pasur raporte për ndalime që i atribuoheshin kësaj ministrie, autoritetin e së cilës nuk e pranonin njashtu edhe të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Me kaq përfunduan pyetjet e trupit gjykues për këtë dëshmitar. Pyetje shtesë për dëshmitarin nuk pati Prokuroria.
Ndërsa, me kërkesën e avokatit Luka Mishetiq seanca kaloi në pushim me arsyetimin se për pyetje shtesë nëse ka ose jo i duhej konsultim me klientin e tij, Hashim Thaçin.