Kryeziu: Konstituimi i Kuvendit po mbështetet në një hile antikushtetuese

Aktuale

Kryeziu: Konstituimi i Kuvendit po mbështetet në një hile antikushtetuese

Nga: A.SH Më: 2 tetor 2025 Në ora: 12:30
Kadri Kryeziu

Juristi Kadri Kryeziu ka kritikuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si “hile të konstituimit të Kuvendit”.

Sipas tij, norma që Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe është shpikje e vitit 2014 nga Enver Hasani.

Kryeziu paralajmëron se ky precedent rrezikon stabilitetin e Republikës dhe e krahason me “Ahtisarin 2.0”, duke thënë se historia do t’i mbajë përgjegjës gjykatësit që e mbështetën këtë praktikë.

Postimi i plotë:

Hileja e Konstituimit të Kuvendit

Norma e rreme se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët nuk ka asnjë bazë në Kushtetutë. Ajo u shpik në vitin 2014, kur Enver Hasani, me një interpretim arbitrar, instaloi një kushtetutë paralele. Ky precedent i mbrapshtë, i papranueshëm për çdo jurist serioz, sot është shndërruar në normë kushtetuese nga vendimi i fundit i kësaj Gjykate Kushtetuese.

E drejta për të qenë faktor vendimtar në konstituimin e Kuvendit nuk buron nga Kushtetuta e Republikës – ajo është shpikur nga Hasani, nga shpurra mercenare e Kazanit të Prishtinës dhe nga pesë gjykatësit shqiptarë të këtij kolegji. Kjo është një super-e drejtë e falur, sepse realisht nuk i takon asnjë grupi parlamentar. Është një “Ahtisari 2.0” – një pilulë helmuese për Republikën, efektet destabilizuese të së cilës do të ndihen shumë shpejt.

Kujtoni marsin e vitit 1989. Atëherë, Kazani i Prishtinës nuk linte gur pa rrotulluar për të bindur shqiptarët se “asgjë e keqe nuk do të ndodhte” nga ndryshimet kushtetuese. Historia i ka shënuar: anëtarët e atij komisioni dhe delegatët shqiptarë që ngritën dorën për të vrarë autonominë e Kosovës sot njihen si tradhtarë e dezertorë.

Po kështu, kur kjo hile e konstituimit të Kuvendit të dalë sheshit dhe të bëhet e dukshme për të gjithë, Enver Hasani dhe pesë gjykatësit shqiptarë të këtij kolegji do të mbahen mend si pasuesit e marsit 1989. Jo si juristë, por si tradhtarë të Kushtetutës dhe të demokracisë së Kosovës. Ata mund të përpiqen të shfajësohen, por historia nuk do t’i falë – dhe as ne nuk do t’i lejojmë.

Unë nuk do të ndalem derisa kjo hile të demaskohet plotësisht. Nuk do të ndalem derisa tradhtia e tyre të emërtohet qartë. Sepse përndryshe, Kosova rrezikon të shndërrohet në një Republikë të kapur nga hilet dhe jo nga ligji.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat