Kushtetuta i jep Presidentes të drejtën e dytë, por historia do të gjykojë vendimin e saj

Aktuale

Kushtetuta i jep Presidentes të drejtën e dytë, por historia do të gjykojë vendimin e saj

Më: 31 tetor 2025 Në ora: 20:29
Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me liderët e partive parlamentare në Prishtinë – një vendim i dytë kushtetues që pritet të përcaktojë drejtimin e vendit.

Pas dështimit të kandidatit të parë për formimin e Qeverisë, Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, ka nisur konsultimet me liderët e partive politike për të gjetur një zgjidhje të mundshme institucionale.
Sipas nenit 95 të Kushtetutës, Presidentja ka të drejtë të mandatojë një kandidat tjetër për formimin e Qeverisë, por pas vlerësimit të kujdesshëm të rrethanave politike dhe të gjasave reale për një shumicë funksionale në Kuvend.

Ky hap, megjithëse procedural në dukje, është në thelb një vendim politik dhe shtetëror me peshë të madhe. Presidentja duhet të vlerësojë jo vetëm numrat, por edhe natyrën e atyre votave. Një shumicë e ndërtuar mbi mbështetjen e Listës Serbe — subjekt politik që vepron nën ndikimin e Beogradit dhe strukturave të përfshira në sulmin terrorist të Banjskës — do ta vinte në pikëpyetje legjitimitetin e çdo qeverie të re dhe do të krijonte varësi të rrezikshme për shtetin e Kosovës.

Prandaj, çdo përpjekje për formim të Qeverisë duhet të udhëhiqet nga kriteret e sovranitetit dhe të sigurisë kombëtare, jo nga llogaritjet e ngushta politike. Nëse nuk ekziston një shumicë e pastër dhe e qëndrueshme pa ndikim nga Beogradi, zgjedhjet e reja janë rruga më e ndershme, më kushtetuese dhe më e shëndetshme për demokracinë e vendit.

Vetëm një mandat i ri nga qytetarët mund të garantojë stabilitet institucional dhe të vendosë një Qeveri që përfaqëson vullnetin e lirë të popullit, jo ndikimet e huaja. / Bota Sot

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat