LIVE: KQZ publikon rezultatet preliminare – kush po humb me rezultat të ngushtë e kush po fiton bindshëm?

Aktuale

LIVE: KQZ publikon rezultatet preliminare – kush po humb me rezultat të ngushtë e kush po fiton bindshëm?

Më: 9 nëntor 2025 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 15:22 më 09.11.2025
Balotazhi sot do të zhvillohet në 18 nga 38 komuna sa ka vendi, pasi këto komuna nuk arritën ta zgjedhin kryetarin në rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor.

Deri në orën 15:00 kanë votuar 19,18% e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar 19,18% e qytetarëve me të drejtë vote.

Numri i votuesve për këto zgjedhje është, 1,316,672 ndërsa kanë votuar 266,731.

Sot në Kosovë po mbahet raundi i dytë në 18 komuna të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit.

Mamusha prin me daljen më të lartë në balotazh

Komuna e Mamushës aktualisht ka daljen më të lartë në zgjedhje, pasi në këtë komunë deri në orën 14:45 kanë votuar 40.62 për qind e trupit votues.

Ndërkaq, komuna me daljen më të ulët në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale deri më tani është ajo e Rahovecit, ku dalja është 8.63 për qind.

Dalja në votime deri në orën 13, vetëm mbi 13 për qind

Dalja në votime në 18 komunat e vendit ku po zhvillohet balotazhi për kryetar komune vazhdon të jetë e ulët.

Deri në orën 13:00 kanë votuar vetëm 13,05 për qind e mbi 1 milion qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Përplasja” në një qendër votimi në Gjakovë, qytetarja nuk lejohet të asistojë prindërit

Një problem është evidentuar në shkollën “Fehmi Agani” në komunën e Gjakovës ku një qytetare, që kishte prindërit në moshë nuk iu lejua që t’i asistoi prindërit e saj deri tek kutia e votimit.

Sipas saj, kryesuesi i klasës nuk e ka lejuar për shkak se nuk kishte dokumente për të vërtetuar se prindërve të saj u duhet asistencë, e as një doktor me vete.

Prindërit e saj, kanë nënshkruar e gjithashtu gishtërinjve iu janë bërë me shenjë, porse nuk kanë votuar dhe vota u ka shkuar dëm.

Ndërsa kryesuesi i klasës tha se pas fjalosjes me qytetaren, prindërit votuan pa nevojë për asistencë.

Qytetarja e cila nuk dëshirojë të tregonte emrin e mbiemrin, tha se është hera e tretë që po ndodh ky problem.

Ajo tha se as ajo dhe as prindërit nuk votuan.

Ajo kërkoi edhe doktorët që të jenë prezent aty.

Qytetarja: Prindërit nuk votuan sepse nuk më lejuan t’i ofrojë deri te kabina

“Nuk më kanë lënë me votua se kanë thënë pa lejen e mjekut, dokumente në tavolinë unë nuk kam pasur të mjekut, hera e tretë e njëjta procedurë.. unë vetëm përcjelle deri tek kabina, nuk kam nevojë unë me votuar për ta, këta e dinë për kë votojnë. Ku me votua na tash, unë duhet me i dërgu në shtëpi, nuk kam si me votua. Me thanë fola me KQZ, KQZ tha pa dokument të mjekut, pse nuk e sjellni nga një mjek këtu.. këta i kanë qit gishtat.. pse nuk i keni lënë këtu doktorët, ku janë doktorët”, tha ajo.

Ndërsa, kryesuesi i klasës, i cili nuk u lejua të flas për media nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mbrapa kamerës u shpreh se prindërit e moshuar votuan pa nevojën e asistencës së qytetares.

Ai tha se çdo gjë do të vërtetohet në KQZ me emër e mbiemër.

“Pa dokument nuk bënë. Ata kanë votu pastaj në mënyrë të rregullt vetëm. Ky problem ka qenë edhe në herën e parë parlamentare.. është dokumentacioni të gjitha janë të evidentuara, raportin e bëj, lista e votuesve është. Një punëtore e ndihmoi me nënshkruar me ia mbajtë dorën.. çdo gjë vërtetohet në KQZ me emër mbiemër”, tha ai.

Qytetarja i shprehi shqetësimin e saj edhe kandidatit për kryetar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarit aktual, Ardian Gjinit porse ky i fundit i tha se kjo çështje nuk është në dorën e tij.

Gjini: Unë nuk i bëj këto lista

“Nuk kam çka të bëj përbesë, unë jam duke votuar tash.. nuk mundem tash, nuk i bej unë këto lista”, tha Gjini.

Përndryshe në Gjakovë të drejtë vote kanë 121,821 qytetarë.

Në Kllokot po vazhdon votimi

Vendet e votimit në komunën e Kllokotit, ku po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, u hapën në kohë, sot në orën 7:00 të mëngjesit.

E drejta e votës në këtë komunë ka 4,181 votues, të shpërndarë në pesë qendra votimi ku ndodhen nëntë vendvotime.

Qendra e votimit në Vërbovc, ku votohet në dy vendvotime, u hap sot në orën 7:00 të mëngjesit, dhe të drejtën e votës këtu e kanë 1,015 qytetarë të Vërbovcit dhe Grnçarit.

Votuesit e parë e ushtruan të drejtën e tyre menjëherë pas hapjes së qendrës së votimit, ndërsa deri në orën 11:00, sipas fjalëve të menaxherit të qendrës, kishin votuar rreth 15 për qind e qytetarëve.

Qytetarët thonë për RTK2 se pas zgjedhjeve kryesisht presin kushte më të mira jetese në aspektin ekonomik dhe infrastrukturor.

​Ndalohen dy të dyshuar për dhënie dhe marrje ryshfeti për votimin në Fushë Kosovë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton në Komunën e Fushë Kosovës, me vendim të Prokurorit të shtetit, janë ndaluar dy persona, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’’.

Sipas njoftimit, gjatë zhvillimit të hetimeve, është sekuestruar një telefon, i cili do të shërbejë si provë në procedurën e mëtejme hetimore.

Prokuroria Themelore në Prishtinë do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme konform dispozitave ligjore për ndriçimin e plotë të rastit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale.

Procesi i votimit për balotazh, sot është duke u zhvilluar në 18 komuna të vendit. 

Osmani: Zgjedhjet lokale nuk kanë ndikimin në proceset në nivel nacional

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pasi hodhi votën e saj foli edhe për ndikimin e zgjedhjeve lokale në ato nacionale.

Osmani tha zgjedhjet lokale nuk kanë ndikimin në proceset në nivel nacional.

“Këto janë dy procese komplet të ndara, zgjedhjet lokale nuk kanë ndikim në proceset ne nivel nacional nëpër të cilat po kalojmë”.

“Proceset në nivel nacional janë duke u zhvilluar në përputhje të plotë me kushtetutën e vendit dhe dot ë shohim në ditët në vijim se çfarë do të ndodh. Rezultatet dhe organizimi i zgjedhjeve lokale nuk kanë lidhshmëri me ato nacionale”, tha Osmani.

Osmani tha se qytetarët e Kosovës, të cilët, siç thotë ajo janë kontribuuesit kryesor të demokracisë në vend.

​Këto janë pritjet e qytetarëve të Prishtinës për zgjedhjet e sotme

Procesi i votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, po shkon mirë dhe pa probleme. Qytetarët të cilët shfrytëzuan të drejtën e votimit në këtë qendër votimi thanë se nuk patën ndonjë paqartësi dhe se procesi shkoi mirë.

Në raundin e dytë për zgjedhjet lokale në Prishtinë janë në garë Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i cili është edhe kryetar aktual, si dhe Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Qytetari Musliu Bunjaku tha se procesi i votimit ishte i lehtë dhe pa ndonjë paqartësi. Ai shtoi se po presin që situata në Prishtinë të jetë më e mirë pas balotazhit të 9 nëntorit.

Bunjaku: Gjithçka ishte në rregull, po presim të jetë më mirë në Prishtinë

“Mirë shumë votuam dhe përfunduam obligimin... S’ka pasur asgjë dhe gjithçka ishte në rregull... Po presim më mirë se këto që janë kanë”, tha ai.

Ndërsa qytetari tjetër, Hakif Hoxha, tha po ashtu se procesi i votimit ishte në rregull dhe pa ndonjë problematikë, derisa shtoi se po presin që në kryeqytet të ndodhë ndryshimi.

Hoxha: Procesi i votimit shkoi në rregull, po presim ndryshimin i cili s’po vjen kurrë

“Mirë shumë, s’patëm asgjë, mirë ishte... Çka kemi pritur gjithë, por kurrë s’ka ardhur. Ndryshim, por kurrë s’po vjen, por megjithatë duhet me kry obligimin qytetar”, potencoi ai.

Për KosovaPress foli edhe qytetari tjetër, Agim Murati, i cili tha se qytetarët në Prishtinë janë lodhur me komunikacionin e dendur dhe, siç shtoi, shumë preokupime të tjera.

Murati: Qytetarët në Prishtinë kanë shumë pakënaqësi

“Procesi ka shkuar shumë mirë dhe lehtë. Më lehtë nuk di qysh... Po presim më të mirën pasi që qytetarët janë lodhur me pakënaqësitë që e kanë preokupuar qytetin. Siç është lirimi i komunikacionit dhe do gjëra të tjera që janë në qytet. Ishalla ai që fiton i rregullon, sepse jena lodhë”, tha ai.

Ndërkaq, qytetari tjetër, Skënder Jahaj, tha shkurt se beson se do të ndryshohet qeverisja në Prishtinë.

Jahaj: Besoj se do të ndryshohet gjendja në Prishtinë

“Besoj se do të ndryshohet gjendja në Prishtinë”, tha ai.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në Prishtinë është 222 mijë e 418, ndërsa në tërësi janë 51 qendra votimi dhe gjithsej 268 vendvotime.

Përparim Rama nga LDK në raundin e parë ka marrë 33.71 për qind, ndërsa Hajrulla Çeku nga LVV 33.21 për qind.

KQZ: Procesi po zhvillohet normalisht dhe pa incidente

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur në një konferencë për media se procesi i votimeve në balotazhin për kryetar komune në 18 komunat e vendit po zhvillohet normalisht dhe pa incidente.

“Nuk janë evidentuar parregullsi që do të mund të ndikonin në integritetin apo rrjedhën e përgjithshme të zgjedhjeve”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në një konferencë të shkurtër për media.

Qytetarët në 18 komuna po votojnë për t’i zgjedhur kryetarët e tyre përkatës.

Balotazhi po mbahet në disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani etj.

Deri në orën 11:00 votuan rreth 80 mijë qytetarë, Radoniqi jep detajet

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka treguar për pjesëmarrjen e votuesve në balotazhin e sotëm.

Ai në një konferencë për media  bëri me dije se deri në orën 11:00 në 18 komunat kanë votuar rreth 80 mijë e 659 votues apo 6.13 për qind.

Balotazhi për kryetarë të komunave po zhvillohet në:

Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat