​Dënohet me 24 vjet burgim Jetmir Sinani për rastin në Vushtrri

Aktuale

​Dënohet me 24 vjet burgim Jetmir Sinani për rastin në Vushtrri

Më: 1 dhjetor 2025 Në ora: 19:30
Pamje nga seanca

Gjykata Themelore e Mitrovicës vendosi sot që i pandehuri Jetmir Sinani të dënohet me 24 vjet burgim për vrasjen e F.Z. dhe L.M. në Vushtrri, ngjarje e cila kishte ndodhur më 29 tetor 2023. Vendimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Xhemajl Jusufi, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.

Avokati mbrojtës, Fanol Krasniqi, kishte pretenduar se klienti i tij kishte vepruar nën gjendje të tronditjes së fortë mendore. Por gjykata i cilësoi këto pretendime të pabazuara, duke u mbështetur në ekspertizën psikiatrike, e cila konstatoi se Sinani ishte në gjendje të qëndrueshme mendore në momentin kritik. Edhe Gjykata e Apelit nuk kishte kërkuar riekzaminim të këtij aspekti.

Sot, ky vendim është marrë nga trupi gjykues, Xhemajl Jusufi.

“Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësorë trupi gjykues në emer të popullit ndaj të akuzuarit Jetmir Sinanit me të dhëna sikurse në shkresat e lëndës në këtë aktgjykim, i pandehuri Jetmir Sinani për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënpragrafi 1.5 dhe 1.11, është fajtor. Trupi gjykues i cakton burgim me kohëzgjatje prej 23 vite, për veprën e dyt penale “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim i paaturizuar i armëve” gjithashtu shpallet i cakton dënim me burgim deri në kohëzgjatje prej 18 muaj apo 1 vitë e gjysmë”- ka thënë Jusufi.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 01.12.2025, dënimi do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm dhe se koha e kaluar në paraburgim të akuzuarit do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar.

“Të akuzuarit Jetmir Sinanit i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 29.10.2023 e tutje, ndaj të njëjtit me vendim të veçantë i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotëfuqishmërin e këtij vendimi, por jo më gjatë se sa dënimi i shqiptuar në kohëzgjatje prej 24 vite”- tha trupi gjykues.

Pretendimet e avokatit të të akuzuarit, Fanol Krasniqit ndaj klientit të tij për tronditje të fortë mendore si dhe për mbrojtje të nevojshme, Gjykata ka ardhur në përfundim që nuk ka.

“Sa i përket pretendimit për tronditje të fortë mendore, Gjykata ka ardhur në përfundim se një gjendje e tillë nuk ka ekzistuar, duke u bazuar kryesisht në ekspertizën e ekspertes psikiatre, doktoreshës Valbona, e cila në mënyrë të qartë, të besueshme plotësisht, profesionale ka sqaruar se i pandehuri nuk ka pasur tronditje të fortë mendore në ditën kritike. Për më tepër, ky ka qenë pretendim ankimor në ankesën tuaj, ndërsa as Gjykata e Apelit nuk ka vlerësuar se ka nevojë për riekzaminim apo rivlerësim të këtij instituti, përkatësisht të tronditjes së fortë mendore.”- tha ai.

Ndërsa sa i përket mbrojtjës së nevojshme, gjyqtari potencon se trupi gjykues ka vlerësuar të gjitha rrethanat e rastit dhe sipas tij nuk është kontestuar se në ditën kritike ka ndodhur një përleshje- rrahje e poashtu nuk është kontestuar se i pandehuri dhe shokët e tij janë sulmuar në ditën kritike në lagjen e tij, dhe se ka pësuar edhe lëndime të lehta trupore, siç pretendonte avokati Krasniqi.

“Sa i përket mbrojtjes së nevojshme, trupi gjykues ka vlerësuar gjitha rrethanat e rastit. Nuk është kontestuar se në ditën kritike ka ndodhur një përleshje, një rrahje; nuk është kontestuar se i pandehuri dhe shokët e tij janë sulmuar në ditën kritike në lagjen e tij, ku ka pësuar edhe lëndime të lehta trupore. Por trupi gjykues ka ardhur në përfundim se në këtë rast një prej elementeve të mbrojtjes së nevojshme është që sulmi duhet të jetë në vazhdim e sipër. Në këtë rast, sipas dëshmitarëve dhe provave materiale, sulmi ka pushuar. Të dy dëshmitarët, edhe në rikonstruksion, edhe në gjykim, dy herë kanë deklaruar se momenti kur i ndjeri Fatos e ka drejtuar armën, është kthyer në vendin e tij dhe vetura ka qenë në lëvizje e sipër, që nënkupton se sulmi nga ana e të pandehurit është ndërmarrë pasi ka përfunduar sulmi në këtë rast viktimës”, theksoi gjyqtari.

Madje siç thotë gjyqtari, mbrotja në këtë rast e të pandehurit nuk ka qenë e domosdoshme të ndërmarret në formën se si është ndërmarrë.

Sipas aktgjykimit të shpallur, në emër të procedurës penale, paushallin gjyqësor, i pandehuri obligohet që të paguajë 640 euro, 100 euro në emër të paushallit dhe 50 euro në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Gjykata gjithashtu urdhëroi konfiskimin e përhershëm të armës AK-47, një karikatori dhe 11 fishekëve të kalibrit 7.62x39 mm.

Palët e dëmtuara, Daut Zenuni, Destan Musliu dhe Ilmi Shaqiri, u udhëzuan që kërkesat pasurore-juridike t’i ndjekin në procedurë civile.

Në Gjykatën e Mitrovicës, më 25.11.2025 janë dhënë fjalët përfundimtare në rigjykimin e Jetmir Sinanit, i akuzuar për rastin e vrasjes së dyfishtë që ka ndodhur në Vushtrri më 2023.

Jetmir Sinani akuzohet për veprat penale – vrasje e rëndë, dhe – armëmbajtje pa leje.

Në gjykimin e parë, më 20.01.2025, i pandehuri ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 24 vjet burgim.

Më 04.11.2025, Gjykata e Mitrovicës ka bërë rikonstruimiin e vendit të ngjarjes lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi në tetor të vitit 2023 në Vushtrri.

Sipas aktakuzës, i pandehuri J.S., më 29.10.2023, rreth orës 15:50, në qytetin e Vushtrrisë, në udhëkryqin ku kryqëzohen rrugët “Mehmet Konjuhi”, “Rifat Galica” dhe “Zahir Pajaziti”, me qëllim të privimit nga jeta të personit tjetër, me përdorimin e armës së zjarrit të tipit “AK-47”, ka privuar nga jeta tani të ndjerët F.A. dhe L.M. Me këtë rast, i pandehuri akuzohet për kryerjen e veprave penale – vrasje e rëndë, dhe – armëmbajtje pa leje.

Ndryshe, më 30.10.2025, pesë persona ishin arrestuar nga Policia e Kosovës si të dyshuar për përfshirje në rastin ku mbeti i vrarë një person në Vushtrri dhe dy të tjerë u plagosën.

Policia kishte konfirmuar se fillimisht kishin arrestuar dy persona, J.S, 24 vjeçar dhe E.B., 24 vjeçar, ndërsa gjatë hetimeve kanë identifikuar edhe tre persona të tjerë.

Drejtoria Rajonale në Mitrovicë kishin konfiskuar një armë si provë materiale e cila ishte armë e gjatë.Drejtoria Rajonale në Mitrovicë kishin konfiskuar një armë si provë materiale e cila ishte armë e gjatë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat