Profesori Enver Bytyçi ka reaguar ashpër përmes një shkrimi publik lidhur me figurën e Fetah Rudit, duke e cilësuar atë si dëshmi të gjallë të terrorit të ushtruar në Kosovën e pasluftës kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Në reagimin e tij, Bytyçi ngre shqetësimin për atentatet politike të pasluftës, mosndëshkimin e autorëve dhe rolin e grupeve që, sipas tij, kanë shërbyer drejtpërdrejt apo tërthorazi interesave destabilizuese të Serbisë, përcjell “Bota sot”.
Ai propozon përjetësimin e Fetah Rudit përmes një skulpture publike, si akt kujtese historike dhe reflektimi për shoqërinë kosovare, duke theksuar se drejtësia dhe kujtesa janë të domosdoshme për shërimin nga urrejtja dhe dhuna politike.
Shkrimi i plotë
Fetah Rudi është jo vetëm dëshmia e gjallë e terrorit serb e ekstremistëve shqiptarë në Kosovë kundër Lidhjes Demokratike dhe presidentit historik, Ibrahim Rugova. Ai është monument i gjallë që flet për historinë e pasluftës në Kosovë. Dikush nga skulprorët patriotë të Kosovës ka shansin ta realizojë skulpturën e tij në Bronx dhe ta vendosë në një nga sheshet e Prishtinës dhe Malishevës me qëllim që përjetësisht të kujtohet ajo ccfarë ka ndodhur në Kosovën e pasluftës. Kujtesa duhet të na ndihëmojë për të na shëruar nga inati dhe urrejtja që çon deri në vrasjen e kundërshtarëve.
Fetah Rudi u plagos prej shqipfolësve, që atëherë rrinin në ilegalitet dhe sot kanë dalë hapur në ekranet televizive për të treguar përrallat e tyre, duke ndihmuar propagandën serbe. Se atëherë KFOR-i i kishte largua serbët kriminelë prej territorit të Kosovës. Kishin mbetur spiunët shqipfolës të Serbisë me detyrë destabilizimin e Kosovës me anën e atentateve.
Atentatorët, organizatorët e urdhërdhënësit e vrasjeve të kësaj kohe, edhe ata të plagosjes së rëndë të Fetah Rudit, ende nuk dihen dhe akoma nuk kanë dhënë llogari para drejtësisë. Ata shijojnë vakancat, shpërblimet e majme, rrogat e dy e tri-fishta deri 18 mijë euro në muaj, ndërkohë që viktimat e tyre nuk jetojnë ose jetojnë në karrocë invalidi për shkak të plumbave që ata kanë lëshuar kundër tyre.
Fetah Rudi është emblemë, një emblemë që i tmerron në fakt armiqtë e Kosovës dhe spiunat e Serbisë, të cilët e shohin atë si sfidues dhe si triumfues mbi fundërrinat e Kosovës, të cilët ngritën armën kundër tij.