Agim Veliu i kundërpërgjigjet Abdixhikut, zbulon çfarë ka kërkuar nga kryesia e LDK-së

Aktuale

Agim Veliu i kundërpërgjigjet Abdixhikut, zbulon çfarë ka kërkuar nga kryesia e LDK-së

Nga: Bota sot Më: 17 dhjetor 2025 Në ora: 21:39
Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, gjatë një tubimi të LDK-së (Foto:Facebook)

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, një ditë më parë deklaroi se ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka vendin e tij në partinë.

Megjithatë, Veliu, i cili nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputet, i është përgjigjur duke theksuar se vendimi për listat e ka mbyllur mundësinë për të garuar.

Ai kritikoi udhëheqësinë për mungesë respekti ndaj votuesve dhe anëtarësisë, duke shtuar se nuk ka kërkuar favore, por vetëm respekt për procesin dhe për qytetarët.

Postimi i plotë:

E vërteta nuk mbyllet me lista.

Kam qenë dhe jam pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës jo për interesa personale, por për bindje, punë dhe përgjegjësi ndaj njerëzve që më kanë besuar.

Listat zgjedhore janë mbyllur. Vendimet janë marrë.

Deklarata për “derë të hapur” pas këtij fakti është më tepër formale se sa e vërtetë, nuk e ndryshon realitetin dhe nuk e zëvendëson mungesën time në një garë të ndershme dhe transparente.

Përgjegjësinë për mospërfshirjen time në listën e kandidatëve e mbajnë kreu i partisë dhe i emëruari i tij në Podujevë, të cilët në koordinim të plotë, kanë shpërfillur gatishmërinë time dhe kërkesat e mijëra votuesve të shprehura edhe publikisht që të jem pjesë e garës.

Unë nuk kam kërkuar favore. Kam kërkuar respekt për procesin, për anëtarësinë dhe për votuesit.

Parimet nuk negociohen dhe dinjiteti nuk është çështje momenti.

Do të vazhdoj të flas hapur dhe të veproj me përgjegjësi, sepse politika ka kuptim vetëm kur i shërben qytetarëve — jo kur mbyllet ndaj tyre.

Nëse dera do të ishte vërtetë e hapur, kjo do të reflektohej në vendimmarrje, e jo në deklarata.

Qëndrestarët, anëtarësia, votuesit e LDK-së dhe opinioni publik kërkojnë arsyen pse nuk jam pjesë e listës zgjedhore!!

Zoti e bekoftë LDK-në!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat