Kurti: Fitore mbi 50% e nevojshme për qeverisje të shpejtë dhe stabile

Aktuale

Kurti: Fitore mbi 50% e nevojshme për qeverisje të shpejtë dhe stabile

Më: 27 dhjetor 2025 Në ora: 21:17 Përditësuar në ora: 22:41 më 27.12.2025
Albin Kurti

Kurti kujton zgjedhjet e 2021, LVV ishte fituesi i qartë dhe qeveria u formua shpejt

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në RTK ka theksuar rëndësinë e një fitoreje të qartë mbi 50% në zgjedhjet e ardhshme për të siguruar qeverisje të shpejtë, stabile dhe efektive. Sipas Kurtit, vetëm me një legjitimitet të tillë LVV mund të ndërmarrë vendimet e nevojshme për siguri, begati dhe zhvillim ekonomik, pa pengesa politike dhe burokratike.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka folur për mundësinë e bashkëpunimit me partitë tjera politike, por ka theksuar se aktualisht i duhet një fitore mbi 50%.

“Me gjithë intoksikimin e atmosferës, unë nuk po e shoh se si është e mundshme bashkëqeverisja. Në anën tjetër, nëse nuk kemi qeveri edhe për dy muaj si qeveri në detyrë, me vetëm një të 12-in e buxhetit, mund të kemi buxhet. Por në mars ngelim pa asgjë, duke shtuar faktin se më 4 mars është afati kur duhet të zgjidhet ose rizgjidhet presidenti. Ne kemi obligim për bashkëpunim, sidomos në fazat e mëvonshme, mirëpo tani na duhet fitore mbi 50% që të ecim mbarë, mirë dhe shpejt.”

Kurti ka përmendur gjithashtu shembullin e formimit të qeverisë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kur LVV ishte fituesi i qartë dhe qeveria u formua shpejt.

Kurti foli për pesë vendimet e para në mandatin e tretë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka prezantuar pesë vendimet e para që planifikon t’i marrë në mandatin e tretë.

Ai ka folur edhe për rritjen e buxhetit dhe të ekonomisë së vendit, duke theksuar arritjet e qeverisë së tij gjatë mandatit të kaluar dhe pritshmëritë për vitin e ardhshëm.

Kurti ka folur për pesë vendimet e para që do t’i marrë si kryeministër në mandatin e tretë. 

“Ndërkohë, mos të harrojmë se jam në muajin e dhjetë të vitit të pestë të mandatit të plotë katërvjeçar. Votimi do të bëhet menjëherë në mbledhje të Qeverisë, pastaj në Kuvend, në dy lexime, për buxhetin që do të arrijë 4 miliardë euro. Buxhetin në vitin 2021 e kam gjetur nga pararendësi im, Avdullah Hoti, ndërsa ministër i Financave atëherë ka qenë Hykmete Bajrami. Ata na kanë lënë buxhetin prej 2.4 miliardë eurosh. Sivjet, buxheti ishte 3.6 miliardë, ndërsa vitin e ardhshëm do të jetë 4 miliardë. Pse ka ndodhur kjo? Sepse është rritur ekonomia. Produktin e Brendshëm Bruto e kemi gjetur 7 miliardë euro, sivjet është 11 miliardë, ndërsa vitin e ardhshëm pritet të arrijë 12 miliardë. Qarkullimi i bizneseve është dyfishuar”, theksoi Kurti.

Kurti në RTK, shpalos programin e LVV-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës tha se gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme, ndonëse më e shkurtër, patën takime e tubime në gjithë Kosovën. Ai shtoi se qytetarët tashmë janë të informuar për programet dhe, siç tha, kur të drejtohen nesër tek kutitë e votimit, nuk do të kenë dilema.

Kurti theksoi se qytetarët do të vendosin për siguri dhe begati.

“Siguria nënkupton sundimin e ligjit, rendin publik, mbrojtjen e kufijve, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, por gjithashtu përfshin sigurinë e ujit dhe energjisë. Në anën tjetër, begatia lidhet me mirëqenien, ku rritja ekonomike duhet të shpërndahet në mënyrë të drejtë. Sepse kuptimi i një ekonomie që rritet është që përfituesit të jenë gjithë qytetarët dhe jo një grup apo shtresë e caktuar. Pra, siguria është, në njërën anë, kushti dhe garancia për begatinë, sepse duhet të sigurojmë që begatia të jetë e qëndrueshme, dhe nga ana tjetër, begatia është dobia dhe kuptimi që rrjedh nga siguria”, deklaroi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat