Sot, në orën 16:00 në 11 komuna ka rifilluar procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi thekson për kp se Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat ka rifilluar procesi, u takojnë këtyre komunave: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj, dhe Suharekë.
“Numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit është mbi 2,009 nga 2,557 vendvotime apo më shumë se 78.57%”, thekson Elezi.
Ai thekson se në 27 komunat me 1,033 vendvotime, të cilat kanë përmbyllur aktivitetet deri të mërkurën (31 dhjetor 2025, ora 12:00), janë: Mamushë (6), Shtërpcë (17), Junik (6), Hani i Elezit (11), Kllokot, Partesh (7), Mitrovicë e Veriut (22), Novobërdë (23), Zveçan (11), Viti (64), Zubin Potok (15), Ranillug (10), Dragash (57), Istog (62), Obiliq (33), Gllogoc (73), Deçan (51), Shtime (34), Klinë (63), Kamenicë (50), Fushë Kosovë (62), Leposaviq (25), Graçanicë (33), Vushtrri (95), Rahovec (78), Skënderaj (72) dhe Kaçanik (45).
- Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u zhvilluan më 28 dhjetor, dhe nga ky proces deri më tani sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, LVV ka dalë e para me 49.34 për qind, e dyta PDK me 20.98 për qind, dhe e treta LDK me 13.57 për qind.