Në emisionin special kushtuar situatës së vërshimeve në Kosovë, u theksua se përveç ndryshimeve klimatike, një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në përmbytjet është faktori njeri, si pasojë e ndërhyrjeve të pakontrolluara dhe mungesës së planifikimit adekuat.
Eksperti i mbrojtjes së mjedisit, Ilir Morina, tha se situata me vërshimet ka qenë shumë e rëndë dhe i ka tejkaluar të gjitha rastet e dhjetë viteve të fundit. Sipas tij, shkaktarë kryesorë janë ndryshimet e mëdha klimatike dhe veprimtaria e njeriut.
Morina theksoi se planifikimi i dobët, ndërtimet pa leje, ndërtimet e përligjura por jo në vendet adekuate, si dhe mungesa e kritereve ndërtimore, kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë gjendje. Ai tha se shumica e fshatrave të prekura janë pa leje ndërtimi, pa kritere dhe pa angazhim të inxhinierëve të duhur, duke nënvizuar se nuk duhet të ndërtohet në sipërfaqe përreth lumenjve.
“Sot jemi në një gjendje katrahure. Në vend se të ndërtohet nëpër kodrina, ne po paraqitemi sikurse të mesjetës. Të gjithë i kanë ikur rrezikut të vërshimeve dhe e kanë lënë lumin të rrjedhë dhe e kanë shfrytëzuar atë edhe për turizëm, ndërsa në Kosovë, për shkak të neglizhencës dhe mosefikasitetit të organeve kompetente me vite të tëra, jemi në këtë situatë”, tha Morina.
Ai shtoi se ndryshimet klimatike po rriten dhe se Kosova do të përballet edhe më shumë me problemet e natyrës, duke theksuar se janë shkatërruar resurset natyrore, rrjedhjet e lumenjve, si dhe se janë bërë prerje të mëdha të pyjeve, shfrytëzim i gurthyesve dhe ndërtime të reja pa kriter.
Ndërkohë, profesori nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Lavdim Osmanaj, tha përpos ndryshimeve klimatike, problem i madh mbetet edhe faktori njeri. Ai theksoi se shpyllëzimi dhe prerja e pyjeve janë ndër shkaqet kryesore, pasi uji që bie në pjesët e sipërme të lumenjve rrjedh më shpejt dhe shkakton vërshime.
Ai shtoi se urbanizimi i pakontrolluar në qytete, mungesa e parqeve dhe hapësirave që absorbojnë ujin, si dhe problemet me rrjetin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, i cili në shumë raste është i përbashkët, e përkeqësojnë situatën.
“Çka ka ndikuar shumë faktori njeri, duke filluar prej burimit. Nëse marrim shpyllëzimin, pra prerja e pyjeve është problemi i parë dhe e gjithë ajo sasi e ujit që bie në sipërfaqe të sipërme të lumit automatikisht fillon të vërshojë. Kjo sasi e madhe, kur vjen në qytet, përballet me urbanizim jo të mirëfilltë, sepse kemi shumë pak parqe dhe shumë pak hapësira që mund të absorbojnë këtë sasi të ujit. Problemi tjetër i theksuar është rrjeti i kanalizimit fekal dhe atmosferik, pasi fatkeqësisht i kemi të bashkuara këto dy rrjete të kanalizimit”, tha Osmanaj.
Osmanaj përmendi gjithashtu edhe eksploatimin e zhavorrit dhe rërës, si dhe hedhjen e mbeturinave dhe materialeve inerte pranë brigjeve të lumenjve, si faktorë shtesë që ndikojnë drejtpërdrejt në shkaktimin e përmbytjeve.