Ngjarja që ndryshoi kahjen e Kosovës, krerët e shtetit kërkojnë drejtësi për Masakrën e Reçakut

Aktuale

Ngjarja që ndryshoi kahjen e Kosovës, krerët e shtetit kërkojnë drejtësi për Masakrën e Reçakut

Më: 15 janar 2026 Në ora: 07:32 Përditësuar në ora: 15:18 më 15.01.2026
Foto ilustrim

Walker vlerëson avancimin demokratik të Kosovës

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka deklaruar se Kosova është ndër vendet më demokratike në botë.

Ai në akademinë përkujtimore në 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, vlerësoi zhvillimin e vendit, derisa tha se kjo do të ishte e paimagjinueshme 27 vjet më parë.

Walker: Sa shumë ndryshime ka pasur brenda vetëm 27 viteve

“Kam dëgjuar fjalë lavdërimi, me të drejtë, për UÇK-në, për ata që hodhën bombat nga NATO dhe që sollën atë që shohim sot. Dhe, natyrisht, nëse dikush do të më kishte thënë 27 vjet më parë se sot do të qëndroja përballë një kryeministri dhe një presidenteje të Republikës së pavarur dhe demokratikisht të zgjedhur të Kosovës, do t’i kisha thënë se ishte i çmendur. Gjithçka që ju përfaqësoni për mua është fakti se sa shumë ndryshime ka pasur brenda vetëm 27 viteve. Këtë desha ta përmend për të kaluarën, por ajo që dua të theksoj gjithashtu është se një grup njerëzish, që sipas meje meritojnë shumë respekt dhe mirënjohje për atë që bënë për ta bërë të mundur shfaqjen e Republikës së Kosovës ashtu siç është sot”, tha ai.

Walker para të pranishmëve përmendi edhe rolin që e kanë pasur mbi 1.200 vullnetarë nga 30 vende anëtare të OSBE-së në Misionin Verifikues të OSBE-së në atë periudhë.

Walker: Këta njerëz kishin qëllim verifikimin e secilës palë

“Rrallëherë përmenden në fjalimet që dëgjoj, as këtu e as jashtë Kosovës, janë ata që erdhën me mua, që erdhën për të shërbyer në Kosovë kur ajo ishte ende një vend shumë i rrezikshëm. Këta ishin vullnetarë nga rreth 30 vende anëtare të OSBE-së. Deri në momentin kur u larguam, vetëm tre muaj pasi kishim ardhur dhe kishim tentuar të vendosnim misionin, erdhën deri në 1.200 vullnetarë nga shtetet anëtare të OSBE-së. Ky ishte Misioni Verifikues i Kosovës. Këta njerëz, të rinj dhe të moshuar, erdhën me shumë aftësi, me shumë për të ofruar për popullin e Kosovës dhe për të përmbushur detyrën për të cilën ishin dërguar këtu: të verifikonin se cila palë po bënte çfarë ndaj cilës palë”, tha ai.

Derisa nënvizoi se nuk kishte frikë në asnjë moment gjatë kohës sa ishte në Kosovë me misionin e OSBE-së për ta dëshmuar të vërtetën e Masakrës së Reçakut.

Walker: Nuk kisha asnjë dyshim se Sllobodan Millosheviqi, sado diktator që ishte, nuk do të dëmtonte një ambasador

“Besomëni, unë nuk pata frikë në asnjë moment gjatë kohës që isha në Kosovë me misionin, se isha në rrezik. Unë isha kryesisht në Prishtinë, kisha një lloj sigurimi – ishin vetëm gjashtë a shtatë të rinj kosovarë të armatosur me shkopinj, por ata ishin aty për të më mbrojtur. Po ashtu, nuk kisha asnjë dyshim se Sllobodan Millosheviqi, sado diktator dhe i dhunshëm që ishte, nuk do të dëmtonte një ambasador. Unë isha i sigurt. Por 1.200 të rinjtë që erdhën me mua, vullnetarët, ishin në fshatra, në zonat e thella të këtij shteti, por atëherë të një province të Serbisë, duke u përpjekur t’i tregonin botës se çfarë po ndodhte këtu. Do të doja që ata të kishin marrë shumë më tepër vlerësim për atë që bënë dhe për ndikimin që patën, ashtu si edhe ata që erdhën nga NATO, nga institucionet e tjera dhe nga kryeqytetet e Evropës. Këta ishin të rinj që ishin realisht në rrezik, jetonin në fshatra, jetonin me familje dhe përpiqeshin t’i tregonin botës se çfarë po ndodhte në Kosovë. Prandaj do të doja që, në një moment, të dëgjoja fjalë lavdërimi për vullnetarët e rinj që erdhën me Misionin Verifikues të Kosovës”, përfundoi ai.

Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe. Aty u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq.

Në Kompleksin Memorial në Reçak është ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriut i cili për herë të parë masakrën në këtë fshat e cilësoi krim kundër njerëzimit. Ai asokohe ishte shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.

Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve, ku NATO vendosi të sulmojë caqet ushtarake e policore serbe.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave që dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak. Ata akuzohen për vrasjen e 45 civilëve.

Krerët e shtetit kërkojnë drejtësi për Masakrën e Reçakut

Krerët institucionalë në Kosovë kanë kërkuar drejtësi për 45 viktimat civile që u vranë në masakrën e Reçakut 27 vjet më parë. Në akademinë përkujtimore, shefat e shtetit thanë se Reçaku u bë pikë kthese para botës, ku u qartësua realiteti i hidhur i regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Megjithatë, u tha se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj 22 personave tregon se drejtësia nuk do të ndalet kurrë, edhe kur kriminelët serbë fshihen apo strehohen nga shteti serb. Sipas tyre, aktakuza afirmon se çdo krim ka autor dhe se e vërteta nuk parashkruhet.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se dhimbja e Reçakut nuk vjen vetëm nga ajo që ndodhi 27 vjet më parë, por edhe nga mungesa e drejtësisë dhe përpjekjet për ta relativizuar, mohuar apo deformuar të vërtetën nga Serbia.

Osmani: Dhimbja e Reçakut vjen edhe nga mungesa e drejtësisë dhe përpjekjet për ta deformuar të vërtetën

“Reçaku nuk është vetëm një emër në historinë e Republikës sonë, por u bë pikë kthese. Kthesë që e qartësoi para botës realitetin e hidhur të regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë. Më 15 janar 1999, Reçaku u bë simbol i vuajtjes së një populli që kërkonte liri, por edhe simbol i guximit. Guximit për ta quajtur krimin me emrin e vërtetë. Këtë guxim e dëshmoi ai që edhe sot mbetet simbol i së vërtetës, ambasadori William Walker. Nga ajo që pa personalisht, nuk hezitoi ta përshkruajë ngjarjen si masakër që dukej qartë, padyshim, si krim kundër njerëzimit. Këto ishin fjalët e ambasadorit Walker më 16 janar 1999 në Reçak. Këto ishin pikë kthese në historinë tonë që tronditën botën dhe ia zhveshën maskën gënjeshtare gjenocidale të Serbisë... Sot dhimbja nuk vjen vetëm nga ajo që ndodhi atë ditë, por edhe nga ajo që nuk ndodhi më pas. Nga mungesa e drejtësisë dhe përpjekjet për ta relativizuar, mohuar apo deformuar të vërtetën. Përpjekje këto që vazhdojnë në Serbi. Drejtësia për Reçakun ende mbetet peng, andaj nuk do të reshtim asnjëherë së kërkuari atë. Pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme. Pa drejtësi nuk ka pajtim të vërtetë”, tha ajo.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se masakra në Reçak e nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Serbisë.

Basha: Masakra në Reçak e nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Serbisë

“Masakra në Reçak e nxori në pah fytyrën e shëmtuar të ideologjisë fashiste të Sllobodan Millosheviqit, që synonte shuarjen e popullit tonë me çdo kusht. Qoftë një tragjedi që nuk përsëritet në historinë tonë, por për herë të parë ajo mori vëmendjen e të gjithë botës. Reçaku ishte pika e kthesës dhe fillimi i fundit të atij shovinizmi të egër. Kjo tragjedi e tmerrshme bëri që bota të zgjohej nga heshtja e gjatë”, theksoi Basha.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se krimet e kryera në Reçak nuk mund të fshihen nga historia e shtetit gjenocidal të Serbisë.

Ai shtoi se faktet dhe dëshmitë për masakrën e Reçakut mbeten të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare, si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet.

Ai përmendi edhe ngritjen e aktakuzës ndaj 22 personave nga Prokuroria Speciale si dëshmi se drejtësia nuk do të ndalet deri kur kriminelët serbë, përgjegjës për këtë masakër, të arrestohen dhe gjykohen, ndonëse edhe në mungesë.

Kurti: Aktakuza afirmon se krimi ka autor dhe se e vërteta nuk parashkruhet për masakrën e Reçakut

“Krimet e kryera në Reçak nuk mund të fshihen nga historia e shtetit gjenocidal të Serbisë që i kreu, e as nga historia e popullit tonë që i përjetoi me aq shumë dhembje dhe i trashëgoi me kaq shumë vuajtje. Reçaku ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë. Ishte në qendër të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit, duke dëshmuar se krimet në Kosovë ishin pjesë e politikës shtetërore të Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare. Edhe pse ky proces nuk u përmbyll me aktgjykim për shkak të vdekjes së Millosheviqit, faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbetën të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet. Drejtësia, sado e vonuar, mbetet detyrim moral dhe historik...Kjo aktakuzë afirmon se krimi ka autor dhe se e vërteta nuk parashkruhet. Drejtësia nuk ndalet kur kriminelët fshihen në Serbi apo kur strehohen nga shteti atje. Drejtësia ecën përpara, pasi shteti i Kosovës nuk harron kurrë”, theksoi Kurti.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, tha se masakra e Reçakut është tragjedi e shkaktuar me vetëdije dhe paramendim nga shteti gjenocidal serb.

Aliu: Reçaku është tragjedi e shkaktuar me vetëdije dhe paramendim

“Reçaku është tragjedi e shkaktuar me vetëdije dhe paramendim. Reçaku është dëshmi dhe mbetet plagë që nuk shërohet dhe krenari që nuk shuhet. Reçaku është kujtesë e përhershme se liria jonë ka qenë dhe është paguar me jetën e njerëzve të pafajshëm. Drejtësia për viktimat e Reçakut ende mungon, megjithëse më 30 dhjetor Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave. Ne nuk do të ndalemi derisa të ketë edhe shumë të tjerë të përfshirë, përfshirë edhe krerët e shtetit serb, të vihen para drejtësisë”, deklaroi Aliu.

Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe. Aty u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq.

Në Kompleksin Memorial në Reçak është ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriut i cili për herë të parë masakrën në këtë fshat e cilësoi krim kundër njerëzimit. Ai asokohe ishte shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.

Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve, ku NATO vendosi të sulmojë caqet ushtarake e policore serbe.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave që dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak. Ata akuzohen për vrasjen e 45 civilëve.

Osmani: Reçaku, dëshmi e qëllimit shfarosës të Serbisë ndaj Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeparlamentarin Dimal Basha dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti kanë bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, duke nderuar viktimat e njërit prej krimeve më të rënda të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Pas homazheve, Osmani tha se Reçaku mbetet dëshmi e qartë e qëllimit shfarosës të regjimit gjenocidal të Serbisë ndaj popullit të Kosovës, duke theksuar se plagët e kësaj masakre vazhdojnë të flasin edhe sot.

“Në këtë 27 vjetor të masakrës së Reçakut edhe një herë përkujtojmë të gjitha viktimat e kësaj masakre të llahtarshme, e cila sërish dëshmoi qëllimin shfarosës që regjimi gjenocidal i atëhershëm i Serbisë kishte ndaj popullit të Kosovës. Reçaku dhe plagët e Raçakut akoma flasin, sepse dhimbja është ende e freskët siç ishte para 27 vitesh”, tha presidentja Osmani.

Ajo tutje theksoi se dhimbja është e freskët për familjet, por edhe për gjithë popullin e Kosovës, sepse siç tha, ende nuk ka pasur drejtësi për krimet që janë kryer këtu dhe në pjesë tjera të Republikës së Kosovës.

“Pas 27 vitesh Serbia vazhdon me po të njëjtat politika, me të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut është krim i dyfishtë”, tha tutje e para e shtetit.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova do të vazhdojë ta mbrojë të vërtetën për Reçakun dhe për krimet e tjera të luftës, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare.

“Ashtu siç dëshmoi edhe ambasadori William Walker në ditën e krimit, ajo çfarë ka ndodhur këtu ishte krim kundër njerëzimit, krim kundër popullit të pafajshëm dhe ishte dëshmi e gjallë se qëllimi i regjimit serb ishte ta zhduk popullin shqiptar nga faqja e dheut”, shtoi ajo.

Presidentja theksoi se liria, pavarësia dhe demokracia në Kosovë janë ndërtuar mbi sakrificën e martirëve të Reçakut, të martirëve anembanë Kosovës dhe të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot jemi të lirë, sot gëzojmë pavarësinë, demokracinë në shtetin tonë sovran në tërë territorin e Republikës së Kosovës për shkak se themelet e shtetit tonë janë të forta dhe janë bërë të forta me sakrificën e martirëve të Reçakut dhe martirëve gjithandej Kosovës dhe dëshmorëve të UÇK-së, të cilët dhanë edhe jetën që ne sot ta gëzojmë lirinë. I përjetshëm kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë tonë”, nënvizoi Osmani.  

Kurti: Masakrës së Reçakut ende i mungon drejtësia

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në përvjetorin e 27 të Masakrës së Reçakut, tha se pas kësaj masakre u vetëdijësua opinioni ndërkombëtar rreth Kosovës.

Ai tha se kësaj plage të hapur ende i mungon drejtësia dhe do të jenë të angazhuar për të sjellë kriminalët para gjyqit.

“Para 27 vjetëve këtu nga Reçaku, nëpërmjet ambasadorit William Walker u jehua e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të kryer nga Serbia si shteti, ndaj popullit shqiptar në Kosovë.

Pas Masakrës së Reçakut u ndërgjësuan, vetëdijësuan, dhe u mobilizua opinioni publik ndërkombëtar dhe kancelaritë diplomatike perëndimore. Jemi këtu së bashku, si krerë të institucioneve, me kryetarin e komunës, me kolegë nga qeveria dhe parlamenti, si dhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë, për të shprehur dhembjen tonë për këtë plagë të hapur,  të së cilës ende i mundon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë se gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit për t’i ndëshkuar ata për mizoritë para 27 vjetësh. Lavdi 45 martirtëve Reçakut dhe 11 dëshmorëve të kombit, të udhëhequr nga komandanti  Ahmet Kaçiku”, tha  Kurti.

Haradinaj bën homazhe në Reçak: Përjetë mirënjohës për ata që u flijuan për liri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Reçak, në 27-vjetorin e masakrës që ndodhi aty.

Pasi nderoi martirët e rënë, Haradinaj u shpreh se është përjetësisht mirënjohës ndaj atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës.

“Kjo masakër ktheu vëmendjen e NATO-s dhe të Amerikës ndaj krimeve serbe që po kryheshin në Kosovë. I jemi mirënjohës UÇK-së dhe gjithë brezave që kanë luftuar për liri, përkulemi përjetë. Përjetësisht mirënjohës NATO-s dhe Amerikës për ndihmën – ta gëzojmë lirinë”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu tha se drejtësia ende nuk është vendosur për masakrat në Kosovë.

“Është e vërtetë se drejtësia ende nuk është vendosur për masakrat në Kosovë, dhe po ashtu është e vërtetë që padrejtësisht vazhdojnë të gjykohen udhëheqësit e UÇK-së, ndërsa nuk gjykohen ata që kanë kryer krime”, deklaroi Haradinaj.

Homazhe në Reçak, Abdixhiku: Lavdi viktimave, drejtësia do kërkohet gjithmonë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, në nderim të 45 martirëve të masakrës së Reçakut.

Nga Reçaku, Abdixhiku tha se kjo masakër ishte një tronditje jo vetëm për Kosovën, por edhe për opinionin ndërkombëtar, duke theksuar se viktimat e masakruara nga forcat paramilitare serbe do të kujtohen përherë dhe nuk do të harrohen kurrë.

Ai nënvizoi se drejtësia për Reçakun do të kërkohet vazhdimisht.

“Sot shënojmë dhe njëkohësisht nderojmë viktimat e masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tragjike të historisë moderne të Evropës. Në mëngjesin e hershëm të 15 janarit, 45 civilë, burra e gra, të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar, u masakruan nga forcat paramilitare serbe, duke shkaktuar një tronditje jo vetëm në Kosovë, por edhe ndërkombëtare. Kjo ngjarje u dokumentua si krim kundër njerëzimit nga institucionet ndërkombëtare dhe në atë kohë edhe nga ambasadori William Walker”, tha Abdixhiku.

Ai shtoi se kjo ditë shërben për të kujtuar jo vetëm viktimat, por edhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe dinjitet.

“Lavdi të rënëve për liri, lavdi viktimave të Reçakut. Reçaku nuk harrohet dhe drejtësia për Reçakun do të kërkohet gjithmonë”, përfundoi Abdixhiku.

Masakra e Reçakut, Hamza: Falë sakrificave dhe gjakut të dëshmorëve, ne gëzojmë lirinë

Në 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, homazhe te varrezat e dëshmorëve në Shtime ka bërë kreu i PDK-së, Bedri Hamza.

Ai tha se kjo masakrës shënon një prej ngjarjeve që ka kontribuuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Po ashtu, Hamza shtoi se falë sakrificës, jetës dhe gjakut të derdhur, sot populli i Kosovës gëzon lirinë.

“Jemi këtu për të shprehur nderime dhe respektin për këtë ngjarje, për këta të rënë që është një prej ngjarjeve që ka kontribuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Falënderojmë edhe ambasadorin William Walker që ka dhënë kontributin e tij, e ka bërë publike këtë ngjarje dhe falë sakrificës, jetës dhe gjakut të të gjithë këtyre por edhe ngjarjeve gjithandej Kosovës ne gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Gjithmonë do të shprehim respektin deri në përulësi për kontributin dhe veprën e tyre”, tha Hamza.

Zëri i Masakrës së Reçakut: William Walker nderon 45 shqiptarët e vrarë

Sot shënohet 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, ku 45 civilë shqiptarë mbetën të vrarë nga forcat serbe.

Në varrezat e dëshmorëve në Shtime, homazhe ka bërë edhe  ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së,William Walker.

Pos tjerash, ai u përshëndet me përzemërsi edhe nga ambasadorët e QUINT-it.

Kjo masakër u bë e njohur për botën pas reagimit të menjëhershëm të Walker, i cili, pasi pa nga afër trupat e pajetë të civilëve, ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

27 vjet nga masakra e Reçakut, ngjarja që ndryshoi kahjen e Kosovës

Kosova shënon sot 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku më 15 janar 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Me këtë rast do të organizohen aktivitete përkujtimore me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Më 15 janar 1999, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të Shtimes. Deklarata publike e Walkerit, i cili e cilësoi ngjarjen si masakër ndaj civilëve, tronditi bashkësinë ndërkombëtare dhe shënoi një pikë kthese në angazhimin ndërkombëtar për Kosovën. 

Pas Reçakut, u intensifikuan përpjekjet diplomatike që çuan drejt Konferencës së Rambujesë (Francë) dhe më pas ndërhyrjes së NATO-s, duke hapur rrugën drejt çlirimit të Kosovës. Masakra e Reçakut mbetet simbol i vuajtjeve të popullit të Kosovës dhe një dëshmi e rëndësisë së së vërtetës dhe drejtësisë.

Ndryshe me aktivitete të ndryshme përkujtimore, Kosova shënon 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda të historisë së fundit të Kosovës. Në kuadër të “Ditëve të Reçakut”, institucionet vendore dhe qendrore, së bashku me shoqatat e dala nga lufta, organizojnë një sërë aktivitetesh në nderim dhe kujtim të viktimave, me qëllim ruajtjen e së vërtetës historike dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.

Sot, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës do të mbahet ora e parë mësimore kushtuar 15 Janarit – Masakrës së Reçakut. Po ashtu, në ora 09:00 do të zhvillohen homazhe nga niveli komunal në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Mollopolc dhe Reçak, në ora 10:30 homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial në Reçak, në ora 12:00 do të mbahet Akademi përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, në ora 13:00 do të hapet ekspozita tradicionale “Çmimi William Walker 2026”, edicioni II, ideatore dhe krijuese Emine Jetishi, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, ndërsa në ora 15:00 do të zhvillohet finalja në futboll të vogël e Turneut Memorial “Ditët e Reçakut”, në fushën sportive “Arbëri” në Reçak.

Dje, në të gjitha shkollat e Komunës së Shtimes është mbajtur ora e parë mësimore kushtuar 15 Janarit – Masakrës së Reçakut, po ashtu, në Bibliotekën e Qytetit, u organizua tryezë shkencore në përkujtim të të rënëve të Masakrës së Reçakut, nga Forumi i Intelektualëve të Shtimes, me temën “Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit – destabilizim për Ballkanin”.

Këto aktivitete mbahen nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe Shoqatave të Dala nga Lufta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat