Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga radhët e LVV-së, ka reaguar për debatin që po zhvillohet në vend për manipulimet me vota që janë bërë brenda partive politike, raporton kp.
Ai deklaron se kushdo që me qëllim ka tjetërsuar vullnetin e votuesve në Qendrat Komunale të Numërimit do të përballet me drejtësinë.
Sipas tij, KQZ i ka të gjithë mekanizmat e nevojshëm për të identifikuar saktësisht shkeljet dhe shkelësit.
Krasniqi ka shprehur gjithashtu respekt për angazhimin e stafit të Sekretariatit të KQZ-së dhe të mbi 150 numëruesve, të cilët, siç tha ai, çdo ditë nga ora 08:00 deri në 24:00 po punojnë pandalur me përkushtim dhe profesionalizëm në procesin e rinumërimit të kutive në QNR.
Ai po ashtu ka falënderuar vëzhguesit e subjekteve politike për punën dhe kujdesin e treguar gjatë procesit në QNR.
Ndërsa, Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar për debatin që po zhvillohet në vend për manipulimet me vota që janë bërë brenda partive politike.
Cakolli përmes në Facebook ka deklaruar se shtrimi i debatit në formën se kush ka vjedhur më shumë ose më pak, është mbrojtje e hapur e hajnisë.
“Mos me ta marrë mendja që, pas gjithë këtij “zhvillimi shoqëror”, vijmë në pikën kur militantët e hibridët partiak relativizojnë manipulimin e votave duke u përpjekë me zhvendosë debatin te “kush ka manipuluar më shumë”, e jo te pyetja thelbësore: a ka pasur manipulim apo jo”, shkruan ai.
Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).
Sipas KQZ-së, nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e shtunë, 17 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar 382 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11), Prishtinë (26/26) dhe Prizren (109/235)