Ulutash pret zëvendëskomandantin e AJFC të Napolit, flasin për sigurinë në Kosovë

Aktuale

Ulutash pret zëvendëskomandantin e AJFC të Napolit, flasin për sigurinë në Kosovë

Më: 28 janar 2026 Në ora: 17:19
Pamje nga takimi

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka pritur në selinë e KFOR-it në “Film City” në Prishtinë zëvendëskomandantin e Komandës së Përbashkët Aleate (AJFC) të Napolit, gjeneral-lejtnant Peter Scott.

Gjatë takimit, siç bën të ditur KFOR-i përmes një njoftimi zyrtar, gjeneralmajor Ulutash e ka informuar mysafirin për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për zhvillimet e fundit në terren. Ai ka riafirmuar përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke vepruar gjithmonë në përputhje me mandatin e tij dhe në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Ulutash theksoi se KFOR-i vazhdon të operojë në mënyrë të paanshme, profesionale dhe transparente, duke qenë i gatshëm të reagojë ndaj çdo sfide të sigurisë, me qëllim garantimin e stabilitetit dhe paqes afatgjatë në vend.

Nga ana e tij, gjeneral-lejtnant Scott vlerësoi rolin dhe angazhimin e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet strukturave të NATO-s për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat