Kuçi: Grenlanda, Somalilandi, Venezuela dhe bota si “kafshë” në propagandën serbe

Aktuale

Kuçi: Grenlanda, Somalilandi, Venezuela dhe bota si “kafshë” në propagandën serbe

Më: 3 shkurt 2026 Në ora: 20:03
Gurakuç Kuçi nga Instituti Octopus

Gurakuç Kuçi nga Instituti Octopus ka reaguar lidhur me, siç e quan ai, “krahasimet e reja” që Serbia po i përdor kundër Kosovës, duke përmendur Venezuelën, Grenlandën dhe Somalilandin si tri rastet e para të këtij viti.

Sipas Kuçit, propaganda serbe tenton që pothuajse çdo zhvillim ndërkombëtar ta lidhë me serbët dhe Kosovën, pavarësisht kontekstit real.

Ai ka rikujtuar se Serbia vetë i është drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (OKB) për opinion lidhur me të drejtën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa ka theksuar se përgjigjja e Gjykatës “është e qartë”, por se, sipas tij, “regjimet serbe e pranojnë të vërtetën vetëm kur u konvenon”.

Kuçi ka thënë se refuzimi i fakteve dhe rishkrimi i realitetit shfaqen si fenomen i mohimit dhe i disonancës kognitive, ndërsa në planin sociologjik e politik, sipas tij, përkthehen në revizionizëm, propagandë dhe manipulim.

Në reagimin e tij, Kuçi ka kritikuar edhe, siç e quan ai, “prodhimin e videove propagandistike”, ku bota paraqitet si “kafshë” përmes figurës së pinguinit, ndërsa serbët si “njerëz të ditur” që u mësojnë të tjerëve.

“Gjendja psiko-sociologjike e regjimit të Serbisë dhe qindra faqeve propaganduese në interenet tregon një gamë të gjerë angazhimi që të manipulojë publikun serbe dhe ndërkombëtar. Madje për qëllime të tilla nuk ndalen të përgatisin edhe video me filma vizatimorë. Për më keq në këtë video propagandistike, propaganda serbe shfaq botën si kafshë nëpërmjet pinguinit, pra si të padijshëm, dhe me figurën e njeriut shfaq serbët si njerëz të dijshëm që po i mësojnë të tjerët”, shkruan ai.

Ai ka cituar edhe akademikun serb Dobrica Qosiq, duke përmendur thënien: “Gënjeshtra është formë e patriotizmit serb”.

Në fund, Kuçi ka deklaruar se në Serbi ende ka njerëz që, sipas tij, “ruajnë arsyeshmërinë”, por ka shtuar se nëse shoqëria serbe nuk e ndal këtë “ngulfatje propagandistike”, “rrezikon të fundoset bashkë me të”, duke përmbyllur me thirrjen: “shpëtojeni Serbinë nga vetvetja”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat