Në Hagë po afrohet momenti vendimtar: Çfarë dënimesh po paralajmëron prokuroria?

Aktuale

Në Hagë po afrohet momenti vendimtar: Çfarë dënimesh po paralajmëron prokuroria?

Më: 9 shkurt 2026 Në ora: 07:27 Përditësuar në ora: 11:58 më 09.02.2026
Kryeprokurorja Kimberly West

Sqaron zëdhënësi i ZPS-së: Kërkohet 45 vjet burgim për secilin të akuzuar

Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorisë Speciale në Hagë, Christopher Bennet ka dhënë sqarim për RTK-në në lidhje me atë se sa vjet burgim ka kërkuar Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, pasi në disa media nuk ishte e qartë kërkesa e prokurorisë, si pasojë e përkthimit jo të qartë.

“Pra, kërkesa është 45 vjet për secilin nga të akuzuarit”, ka thënë Chris Bennett. Kësisoj, i bie se kërkesa e ZPS-së për gjykatën është 180 vjet burgim për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.

Ai tutje ka dhënë edhe transkriptin e plotë të asaj pjese të fjalës së kryeprokurores Kimberly West: “Faktet e këtij rasti dhe ligji i zbatueshëm mbështesin një dënim të gjatë me burgim për secilin nga të akuzuarit. Një shpjegim i plotë i konsideratave relevante faktike dhe ligjore është paraqitur në dosjen përfundimtare të Prokurorisë dhe unë nuk do t’i përsëris të gjitha faktorët këtu. Ndërkohë që kolegët e mi së shpejti do të theksojnë disa dëshmi në prezantimet e tyre dhe do të adresojnë disa argumente të Mbrojtjes, ne mbështetemi te dosja jonë, e cila përshkruan më në mënyrë të plotë rastin tonë. Megjithatë, është me rëndësi që të kuptohet drejt qëndrimi i Prokurorisë Speciale – fajësia dhe dënimi nuk po kërkohen ndaj Shtabit të Përgjithshëm, e as ndaj UÇK-së.

Po ashtu, nuk kërkohet fajësia, e as që mund të shqiptohet ndonjë dënim, me bazën e vetme të të qenit pjesëtar i Shtabit të Përgjithshëm, e as i UÇK-së. Përkundrazi, ZPS kërkon dënimin për të gjitha 10 akuzat dhe vendosjen e një dënimi të vetëm prej 45 vjetësh bazuar në kontributet individuale ndaj krimeve (të cilat janë të ngarkuara në aktakuzë) të kryera nga secili prej Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë me natyrë të rëndë. Dhe rëndësia e këtyre akuzave nuk është zvogëluar me kalimin e kohës”.

Prokurori Tieger për Selimin: Gëzonte shumë respekt, kishte kontakte me Adem Jasharin

Prokurori Alan Tieger, e përshkruan Rexhep Selimin si person me lidhje të ngushta me Adem Jasharin dhe me rol të rëndësishëm në fushëbetejë dhe si dikush që gëzonte shumë respekt dhe besueshmëri nga luftëtarët.

Sipas Prokurorisë, Selimi ka qenë organizator dhe pjesëmarrës në sulmet e vitit 1997 kundër forcave serbe.

“Ai gëzonte shumë respekt si ish i burgosur politik. Ndonëse ai ka pasur profil ligjor në LDK në vitet ’90, ai kishte kontakte me Adem Jasharin më 1991 dhe ishte përfshirë në UÇK prej 1993 dhe na ka shpjeguar se iu bashkua Shtabit të Përgjithshëm më 1997.

Dhe ja, kështu u bënë bashkë të akuzuarit dhe ata vepronin në mënyrë kolektive”, ka thënë Tieger.

Kryeprokurorja: Kemi dëshmuar që klima e frikësimit mund të menaxhohet, viktimat dhe dëshmitarët janë më meritorët në këtë rast

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, Prokuroria ka filluar me deklaratat përmbyllëse në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Fjala përmbyllëse e Prokurorisë po jepet nga kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West e cila tha se kjo gjykatë ka dëshmuar se klima e frikësimit të dëshmitarëve mund të menaxhohet.

Është hera e parë që Kimberly West jep deklaratën përmbyllëse në një rast gjyqësor të cilin ajo vetë e quajti si rasti më i madh i trajtuar nga kjo Gjykatë.

“Kemi dëshmuar se klima e frikësimit mund të menaxhohet në  një mënyrë që siguron që e vërteta do të dëgjohet. Jemi bërë një gjykatë funksionale e suksesshme në një periudhë relativisht të shkurtër”, tha ajo.

Veç kësaj, Kimberly West falënderoi viktimat dhe dëshmitarët në këtë çështje duke thënë se janë më meritorët.

“Falënderimet më të përzemërta i ruaj për ata që e kanë merituar më tepër. Për ata që kanë marrë barrën në shpatullat e tyre për të siguruar që sundimi i ligjit i ofrohet popullit të Kosovës dhe e kam fjalën posaçërisht për viktimat dhe dëshmitarët të cilët kanë ardhur sipas kësaj Gjykate për të dhënë dëshmitë e tyre”, tha ajo.

Ajo shtoi se këta persona pavarësisht frikrave kanë ardhur të bashkëpunojnë më ZPS-në dhe të jepin dëshmi para gjykatës.

“Pavarësisht frikrave, kërcënimeve, stigmave dhe pavarësisht situatave më të cilat janë përballur këta dëshmitarë, familjet e tyre nga një grup i kufizuar por me zë në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dal në pah sa pavarësisht të gjitha pengesave kanë zgjedhur që të bashkëpunojnë me zyrën time dhe të jepin dëshmi përpara kësaj gjykate”, tha ajo.

Kjo sipas saj është përpjekje për të ndihmuar krijimin e një historiku ndryshe prej asaj që thuhet.

“Të gjitha këto i kanë bërë si përpjekje për të ndihmuar në krijimin e një historiku të besueshëm dhe të ndershëm të ngjarjeve nga 1998 dhe 1999 ku mbi 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar në dhe rreth 50+ kampe ndalimi të UÇK-së”, tha ajo duke shtuar se kjo është bërë me qëllimin që këta katër të akuzuar të fitojnë kontrollin.

Ndonëse, seanca është planifikuar që të fillojë në orën 09:00 duke llogaritur edhe 45 minuta vonesë në transmetim, ajo ka filluar me 10 minuta vonesë.

Dita e sotme e seancës është rezervuar për Prokurorinë për deklaratat përmbyllëse e cila do të vazhdojë edhe nesër duke pasuar më pas me deklaratat e Mbrojtësit të Viktimave. Ndërsa, e mërkura është rezervuar për deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit dhe asaj të Veselit e që kjo e funndit do të vazhdojë edhe të enjten për të pasuar më pas me Krasniqin.

Mbrojtja e Krasniqit do të përfundojë deklaratën e saj përmbyllëse të premten dhe pastaj do të vazhdojë ajo e Selimit.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. 

Kimberly West: Të akuzuarit kanë kryer krime për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West gjatë deklaratës së saj përmbyllëse tha se të akuzuarit kanë kryer krime për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën.

“Në mënyrë që të arrinin qëllimin e tyre, të akuzuarit kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në të gjithë Kosovën.

West tha se janë dëgjuar dëshmi të dëshmitarëve të Prokurorisë duke përfshirë edhe anëtarë të UÇK-së dhe persona nga të gjitha fushat.

“Dëshmitë e të gjithë dëshmitarëve dhe të gjitha provat shkresore video ose Forenzike, tregojnë se këto krime janë kryer dhe se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi ligjore për ato.

Kryeprokurorja përmendi edhe dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes së Thaçit të cilët ishin shtatë dhe ndërkombëtar.

Ajo tha se këta persona në atë kohë kur pretendohet se kanë ndodhur krimet janë gjendur në një situatë që kanë pasur pak informacion lidhur me akteret kryesor, nuk e kanë ditur gjuhen dhe  kanë ndërvepruar pak herë me ata.

Andaj, ajo tha se kjo njohuri është e pamjaftueshme për të nxjerrë fakte dhe të ndihmojë këtë gjykatë lidhur me këtë rast.

“Fatkeqësisht ky gjykim nuk i ka shpëtuar klimës së frikësimit të dëshmitarëve që ka qenë insistuese dhe e shtrirë në kohë siç ishte parashikuar prej nesh që prej fillimi dhe deri në masën që gjykata duhet ta konsiderojë atë që a bëjë një vlerësim të drejtë të besueshmërisë dhe mbeshtetshmerisë së dëshmitarëve e vërteta është prej disa dëshmisë së disa përpjekjeve që kanë ndodhur këtu. Pavarësisht kësaj, Gjykata ka prova të shumta. Për shembull; të akuzuarit kanë qenë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së përpara nëntori të 98-ës dhe ka prova që komandantët e zonave kanë marrë urdhra nga të akuzuarit dhe jo  e kundërta”, tha West.

Tutje, West tha se janë bërë përpjekje për të ndikuar, zbutur ose për të ndryshuar dëshmi të caktuara në veçanti për përfitime të të akuzuarit Thaçi.

Kryeprokurorja: Kërkojmë dënim të vetëm prej 45 vitesh për të mbështetur kontributet individuale të krimeve të bëra prej secilit prej të akuzuarve

Kryeprokurorja, Kimberly West tha se Prokuroria kërkon vendim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 vitesh.

Tutje, ajo tha se i qëndrojnë faktit se kërkojnë dënimin për persona konkret dhe jo dënim për Shtabin e Përgjithshëm.

“Ne i qëndrojmë asaj se çfarë kemi parashtruar në dosjen tonë që ne i qëndrojmë faktit që ne kërkojmë dënimin e personave konkret. Ne nuk kërkojmë një dënim për Shtabin e Përgjithshëm por për persona konkret. ZPS-ja kërkon vendim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 vitesh mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera prej secilit prej personave”, tha ajo.

Tutje, ajo tha se krimet janë të renda dhe akuzat nuk kanë hupur vlerën e tyre me kalimin e kohës dhe vazhdojnë të mbeten ende të renda.

Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë të renda në natyre dhe këto akuza nuk e kanë hupur vlerën e tyre me kalimin e kohës. Vazhdojnë të mbeten ende shumë të renda.

Kryeprokurorja i përmend dëshmitarët kundër UÇK-së: Nuk kërkojmë dënim për të gjithë shtabin, por për persona individ

Kryeprokurorja Kimberly West, në fjalën e saj në seancën përmbyllëse të gjyqit më të madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ka thënë se Gjykata Speciale ka treguar sukses të madh përgjatë viteve të fundit.

Ajo tha se drejtësia brenda këtyre mureve, është rutinë e zakonshme.

“Drejtësia është rutinë e zakonshme brenda këtyre mureve. Ne jemi bërë një gjykatë e suksesshme brenda një periudhe relativisht të shkurtër”, u shpreh West.

Sipas saj, shumë dëshmitarë kanë dhënë dëshmi lirshëm dhe pa presion në sallën e gjyqit të Speciales.

Megjithatë, kryeprokurorja s’foli aq mirë për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, të cilët po mbahen në paraburgim për mbi pesë vjet në Hagë.

“Nuk kërkojmë dënim për të gjithë shtabin, por për persona individ”, u shpreh ajo.

Sipas saj, dënimet mund të shkojnë deri në 45 vjet burgim.

------

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po hyn sot në fazën përfundimtare, me nisjen e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe dëshmive nga Prokuroria dhe Mbrojtja, kjo fazë shënon hapin e fundit para vendimit përfundimtar të trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen gjatë periudhës 9-18 shkurt, ku fillimisht fjalën do ta ketë Prokuroria, për t’u pasuar nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, ndërsa në fund pritet edhe fjala e të akuzuarve, nëse ata vendosin të deklarohen.

Në një njoftim zyrtar, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për këtë fazë të rëndësishme të procesit gjyqësor.

“Të gjitha konfirmimet i janë dërguar personave që do të ndjekin seancën e deklaratave përmbyllëse në objektin e DHSK-së në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, që është caktuar të mbahet më 9-13 shkurt”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Gjykimi i katërshes së UÇK-së drejt fundit, cilat janë procedurat përpara?

Po ashtu, nga DHSK është bërë e ditur se interesimi për të ndjekur seancat ka qenë jashtëzakonisht i lartë, ndërsa vendet për publikun kanë qenë të kufizuara.

“Jemi përpjekur që t’i përgjigjemi të gjitha kërkesave për t’u ulur në galerinë për publikun sa më shumë që ishte e mundshme, megjithatë, interesimi për të ndjekur seancat ishte i lartë dhe prandaj vendet në galerinë për publikun ishin të kufizuara”, thuhet më tej në njoftim.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Faza përfundimtare e gjykimit konsiderohet vendimtare, pasi pas saj trupi gjykues do të tërhiqet për shqyrtim dhe më pas do të shpallë aktgjykimin, i cili pritet të ketë jehonë të madhe politike dhe shoqërore në Kosovë dhe më gjerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat