Pas takimit me Kurtin, flet Bedri Hamza: Ja çfarë kërkuam nga kryeministri – Ky ishte komenti i Kurtit

Aktuale

Pas takimit me Kurtin, flet Bedri Hamza: Ja çfarë kërkuam nga kryeministri – Ky ishte komenti i Kurtit

Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 16:08 Përditësuar në ora: 18:37 më 28.02.2026
Albin Kurti

Kurti: Kur s’ka mundësi për marrëveshje politike, kemi propozime partiake

Kryeministri Albin Kurti pas dështimit të arritjes së një marrëveshje me PDK-në për zgjedhjen e presidentit, tha se do të vazhdojnë me propozime partiake.

“Kur s’ka mundësi për marrëveshje politike, për propozim konsensual, atëherë do të kemi propozime partiake, që do të merren vesh shpejt. Shkoj edhe kjo e shtunë e ditës së fundit të muajit shkurt, pa emra konkret”, tha ai.

Kurti tha se asnjë nga partitë politike opozitare s’është më me peshë për vendimmarrje sesa PDK.

“Ata janë subjekti i dytë për nga pesha në Kuvendin e Kosovës. Askush s’mund të jetë më afër sikur ata, që këtë numër 22 ta bëj 30 duke shtuar 8 nënshkrime në propozimin që do të jetë nga ana e PDK-së. Në rastin më të keq edhe aty mund t’ju ndihmojmë ne”, tha Kurti.

Kurti tha se s’kanë arritur të gjejnë një emër deri më tani. Ai përmendi që nesër do të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, gjatë së cilës do të diskutohet edhe çështja e presidentit.

“Nuk është vështirësia te gjetja e emrit, por te hapat që na presin në vijim dhe uroj për një garë sa më demokratike, të hapur dhe natyrisht sa më parë ta kalojmë edhe këtë sfidë dhe të fillojmë me intensitet të lartë në qeverisje sipas programit qeverisës”, deklaroi Kurti.

Hamza: Përgjegjësia për zgjedhjen e Presidentit i takon shumicës parlamentare

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sot ka zhvilluar takimin e dytë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar rreth procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri.

Ky takim është zhvilluar menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u morën qëndrime lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Hamza ka thënë se kanë mbetur edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.

“Përgjegjësia për këtë proces është e qartë dhe e padiskutueshme: i takon partisë më të madhe dhe shumicës parlamentare që udhëheq me vendin. Ata që e kanë mandatin për të qeverisur, e kanë edhe detyrimin për ta siguruar zgjedhjen e Presidentit”, ka theksuar Hamza.

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar me maturi dhe përgjegjësi.

“I kemi hequr vijat e kuqe për shkak se gjithmonë kam konsideruar se janë të dëmshme për konsolidimin e institucioneve dhe stabilitetin politik të vendit. Nuk e kemi përjashtuar asnjëherë mundësinë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse politike, nëse ajo do t’i shërbente shmangies së zgjedhjeve të reja dhe ruajtjes së stabilitetit të vendit. Kemi shkuar në takime për diskutimin e një presidenti konsensual”, ka thënë ai.

Kryetari i PDK-së ka thënë se e ka pranuar takimin e parë me Kurtin për çështjen e Presidentit, me bindjen e sinqertë se ekzistonte vullnet për një figurë unifikuese, për një anëtar të familjes emblematike Jashari, që do ta përfaqësonte unitetin kombëtar dhe do ta kishte mbështetjen e plotë të PDK-së.

Pas deklarimit publik të familjes Jashari, Hamza ka thënë se rrethanat ndryshuan.

“Sot, në takimin e dytë që pata me z. Kurti për këtë çështje, pas mbledhjes së kryesisë së partisë gjatë ditës, si PDK ofruam edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet e reja: kërkuam që të zgjedhet një President i propozuar nga PDK-ja, si zgjidhje për të garantuar stabilitet institucional dhe tejkalim të ngërçit politik. Me këtë ofertë, të bërë në frymë përgjegjësie dhe për të mos e lënë vendin në krizë të panevojshme, Kryesia e PDK-së vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është i përmbushur”, ka thënë Hamza.

Ai ka shtuar se kanë kaluar dy muaj nga zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe më shumë se dy javë nga votimi i Qeverisë Kurti 3, duke mbetur vetëm edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.

“Në këtë kontekst kohor, është legjitime të shtrohet pyetja nëse takimet e minutës së fundit po zhvillohen për të gjetur realisht një zgjidhje, apo për të ngushtuar artificialisht kohën, në mënyrë që presioni të zhvendoset tek opozita. Një qasje e tillë do të ishte e papërshtatshme për një proces kaq të rëndësishëm, që lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin politik dhe funksionimin normal të institucioneve të vendit”, ka shtuar ai.

Hamza ka pohuar se tani mbetet të shihet nëse shumica parlamentare dhe z. Kurti në veçanti, do të reflektojnë me seriozitet për t’ia shmangur vendit zgjedhjet e reja, apo nëse gatishmëria dhe konstruktiviteti ynë do të trajtohen si mundësi për ta zhvendosur përgjegjësinë, e jo si bazë për një zgjidhje të mirëfilltë. Unë uroj që të mbizotëroj e para”, ka thënë ai.

Partia Demokratike e Kosovës, siç ka thënë Hamza, ka dëshmuar atë që duhej ta dëshmonte një opozitë e përgjegjshme: ka treguar vullnet politik, pjesëmarrje në takime, qëndrime të qarta dhe gatishmëri për zgjidhje në interes të stabilitetit të vendit.

Ai ka thënë se shumica parlamentare tani e ka të qartë pozicionin e PDK-së.

“Ne nuk mund dhe nuk do të marrim mbi vete përgjegjësi që nuk na takojnë. Nuk mund t’ua mbulojmë mungesën e numrave. Nuk mund t’ua kompensojmë mungesën e vendimmarrjes. Dhe nuk mund të zëvendësojmë shumicën parlamentare. Ne jemi opozitë. Dhe do të sillemi si opozitë: kritikë kur cenohet interesi publik dhe të qartë kur tentohet të zhvendosen përgjegjësitë”, ka thënë Hamza, duke shtuar se as sot dhe as nesër nuk janë pengesë e proceseve shtetërore.

“Përgjegjësia për prodhimin e rezultateve bie mbi qeverinë dhe shumicën e saj, sepse opozita ka rol kontrollues, jo rol shpëtues”, ka thënë ai.

Në fund të fjalës së tij, Hamza ka thënë se Kosova ka nevojë për President, për institucione funksionale dhe për stabilitet, por mbi të gjitha ka nevojë edhe për një shumicë parlamentare që e mban peshën e përgjegjësisë larg kalkulimeve afatshkurtra dhe lojërave politike.

“PDK-ja do të vazhdojë të jetë opozitë serioze, e përgjegjshme dhe e palëkundur në mbrojtje të interesit të shtetit. Ne e kemi bërë pjesën tonë. Dhe nga sot, përgjegjësia është vetëm e atyre që qeverisin. Ata që e morën besimin qytetar dhe i kanë mundësitë të arrijnë konsensus, nuk duhet t’i keqpërdorin ato”, ka përfunduar Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Hamza për takimin me Kurtin: Kërkuam që presidenti t’i takojë PDK-së, presim lëvizje nga ai

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se pas takimit me Kurtin, kanë dhënë ofertën e fundit dhe konkrete për të shmangur zgjedhjet, dhe kjo ofertë është që të zgjidhet për president kandidati i propozuar nga PDK.

“Sot në takimin e dytë që pata me z. Kurti pas mbledhjes së partisë, si PDK dhamë mundësinë e fundit dhe konkrete, kërkuam që të zgjidhet presidenti i propozuar nga PDK që të garantohet stabilitet institucional”, ka thënë Hamza.

Hamza thotë se me këtë, PDK vlerëson se ka përmbushur kontributin e saj.

“Me këtë ofertë do të bëhet në frymën e përgjegjësisë dhe për të mos lënë vend për krizë. PDK vlerëson se kontributi ynë është përmbushur”, ka shtuar ai.

Hamza ka thënë se nga sot s’do të ndërmarrin asnjë veprim nga sot, dhe presin veprime nga Kurti dhe LVV.

Përfundon takimi Kurti–Hamza, PDK mban konferencë për media

Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit dhe njëherit kryetarit të VV-së, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.

Takimi u zhvillua në objektin e Kuvendit të Kosovës dhe vjen në një moment të rëndësishëm të zhvillimeve politike në vend.

Menjëherë pas përfundimit të takimit, Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar konferencë për media, e cila do të mbahet pas 30 minutash.

Kurti para takimit me Hamzën: Përpjekje që javën e ardhshme të kurorëzohet gjithçka me sukses

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para takimit me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se po shkojnë në këtë takim për të maksimalizuar përpjekjet që javën e ardhshme ‘gjithçka’ të kurorëzohet me sukses.

“Po shkojmë në takim për ta vazhduar dhe maksimalizuar përpjekjet, në mënyrë që javën e ardhshme gjithçka të kurorëzohet me sukses”, tha kryeministri Albin Kurti para takimit me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën.

Takimi Kurti – Hamza është paraparë të nis në orën 16:00. 

Çka po ndodh? Hamza në Kuvend për takim me Kurtin rreth çështjes së Presidentit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza është paraqitur sot në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar me kryeministrin Albin Kurti mbi procesin e zgjedhjes së presidentit.

Hamza tha se do të diskutojnë “tema aktuale politike”.

Takimi është paraparë të mbahet me fillim nga ora 16:00.

Derisa, siç njoftoi anëtari i kësaj partie, Blerand Stavileci, sot gjatë mbledhjes së partisë janë diskutuar parimet dhe qëndrimet për këtë çështje, pa shqyrtuar emra konkretë.

Stavileci theksoi se fokus kryesor mbetet stabiliteti shtetëror, baraspesha institucionale dhe fryma konsistente e partisë në vendimmarrje. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat