Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e Kosovës në mungesë të kuorumit - LVV i drejtohet Kushtetueses

Aktuale

Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e Kosovës në mungesë të kuorumit - LVV i drejtohet Kushtetueses

Më: 5 mars 2026 Në ora: 17:41 Përditësuar në ora: 23:38 më 05.03.2026
Kuvendi i Kosovës

Dështimi i seancës për Presidentin, Nagavci: Kemi ofruar mundësi për kandidat konsensual

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së Arbërie Nagavci, ka mbajtur një konferencë për media pas dështimit të seancës për votimin e Presidentit.

Nagavci deklaroi se i kanë bërë të gjitha përpjekjet për ofrimin e një kandidati konsensual.

“Në i bëm të gjitha përpjekjet tona. Jemi në një situatë aktuale ku si një parti që kemi mbi 51 për qind kemi ofruar mundësi për një kandidat konsensual”, deklaroi ajo.

“Sapo pamë që përfunduan pa sukses dy seanca tejet të rëndësishme për vendin në mënyrë që të shmangin zgjedhjet e parakohshme. Ishim të gjithë dëshmitarë që deputetët e opozitës nuk morën pjesë në seancën për të votuar presidentin e vendit dhe as nuk dhanë asnjë nënshkrim apo ndonjë propozim në lidhje me ndonjë president konsensual. LVV ka qenë e gatshme të japë nënshkrime për kandidatë që mund të vinin si propozime nga LDK ose PDK dhe kemi qenë të gatshëm të diskutojmë për ndonjë kandidat konsensual. Dhe ashtu siç e kemi përcjellë të gjithë gjatë këtyre ditëve, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e gatshme që të mbështesë, gjithashtu të japë nënshkrimet për kandidatët të cilët do të mund të vinin si propozime nga LDK-ja apo nga PDK-ja, por po ashtu kemi hapur diskutime dhe kemi qenë të gatshëm të mbështesim ndonjë me nënshkrimet tona dhe të diskutojmë për ndonjë kandidat konsensual, jopartiak. Përveç kësaj, paraprakisht pamë edhe seancën ku proceduam ndryshimet amendamentuese të Kushtetutës, në mënyrë që presidenti të mund të zgjidhej me votat e qytetarëve, pra direkt nga populli. Dhe edhe aty pamë që përderisa PDK-ja ishte, thonë, e deklaruar që nuk do të mbështesin me votë, LDK-ja deklarativisht kryetari e përmendi që do të japin mbështetjen me votë, ndërkohë që deputetët e tjerë me deklaratat e tyre patën qëndrime të ndryshme, dhe po ashtu nuk ishin të pranishëm të 15 deputetët e LDK-së. Kjo qasje vetëm e dëshmon edhe njëherë për tendencën e këtyre dy partive që të pamundësojnë zgjedhjen e presidentit dhe rrjedhimisht të dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme”, deklaroi ajo para mediave.

A shkon vendi në zgjedhje pas dështimit për ta zgjedhur presidentin?

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, 5 marsi, mbaron brenda minutash, dhe Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri.

Ka pasur interpretime të ndryshme nëse Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje.

Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin deri më 5 mars, vendi nuk do të përballet me zgjedhje.

Sipas tij, nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike si shkuarja në zgjedhje.

Miftaraj shtoi se nuk ekziston një nen ku mund të bazohej dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.

“Janë vetëm dy situata në të cilat shkohet në zgjedhje. E para, nëse, ta zëmë, më 5 mars fillon procesi për zgjedhjen e presidentit, dhe i njëjti nuk përmbyllet brenda 60 ditësh, automatikisht vendi shkon në zgjedhje. Dhe, në situatën e dytë, nëse në rundin e tretë të votimit për president nuk janë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur presidenti”, sqaroi Miftaraj.

Dështoi seanca për zgjedhjen e presidentit, Haxhiu i drejtohet Gjykatës Kushtetuese - ja çka kërkon

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Përmes kërkesës së dorëzuar, Haxhiu ka kërkuar gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues lidhur me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Kryetarja e Kuvendit ka njoftuar për këtë vendim edhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përcjell “Bota sot”.

Njoftimi i plotë

Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit.

Lidhur me këtë, e kam njoftuar edhe Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu.

Ky reagim vjen pas ndërprerjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri, e cila u pezullua për mungesë kuorumi, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm deputetët e pushtetit, ndërsa opozita mungoi.

Në mungesë të opozitës, ndërpritet seanca për president

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka ndërprerë seancën për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës në mungesë të kuorumit.

Në sallë ishin të pranishëm vetëm deputetët e pushtetit dhe mungoi opozita.

“Nuk ka kuorum për ta vazhduar këtë seancë.

Disa herë u bëra thirrje deputetëve të vijnë dhe të jenë të pranishme, por ata nuk janë të pranishëm dhe kështu nuk i kemi 2/3 e deputetëve. Nuk mund të vazhdojmë me votimin”, tha Haxhiu.

Komisioni konfirmon kandidaturat e Konjufcës dhe Mullhaxha-Kollçakut

Zëvendëskryetari i Komisioni Parlamentar për Legjislacion, Vigan Qorrolli, tha se pas shqyrtimit të dokumentacionit të kandidatëve Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçaku për postin e presidentit, komisioni vlerësoi se mund të procedohet me nominimin e tyre në Kuvend.

"Komisioni ka konstatuar njëzëri se kandidatët e nominuar për president të Kosovës i plotësojnë kushtet e parapara me Kushtetutë", tha Qorrolli.

Zgjidhja e presidentit, sillen në sallë kutitë e votimit

Ka nisur seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Në garë janë dy kandidatë nga lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollaçaku.

Zgjedhja e presidentit po bojkotohet nga partitë opozitare dhe Lista Serbe.

Propozohen zyrtarisht Konjufca e Mulhaxha

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se 66 deputetë janë në sallë dhe në vazhdimësi po i fton deputetët e opozitës që të bëhen pjesë e seancës.

Derisa ndodhen në pritje të Komisionit për Legjislacion për paraqitjen e një raporti, salla e Kuvendit të Kosovës ndodhet në qetësi.

Fillimisht, Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, para deputetëve ka prezantuar kandidatin e kësaj partie për president, Glauk Konjufca, duke ftuar deputetët të votojnë.

Më pas prezentimin e Fatmire Mulhaxha Kollçaku e bëri deputeti tjetër i VV-së, Arban Abrashi.

Afati kushtetues i presidentit përfundon sonte në ora 23:59, teksa akoma mbetet e paqartë nëse do votohet pa pasur kuorum.

​Prezantohet kandidatura e Konjufcës, Nagavci thur lavde për të

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka prezantuar kandidaturën për president të Glauk Konjfucës.

Ajo thuri lavde për Konjufcën, derisa tha se ai në zgjedhjet e 28 dhjetorit është renditur si deputeti i dytë më i votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë.

Nagavci: Konjufca, deputeti i dytë më i votuar në historinë e Kosovës

“Duke ndërtuar një profil të theksuar intelektual në fushën e mendimit filozofik dhe kritik. Krahas angazhimit politik zotëri Konjufca ka krijuar një veprimtari akademike dhe publicistike... Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025 ai u rendit si deputeti i dytë më i votuar në historinë e zgjedhjeve të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Në mungesë të opozitës, zgjedhja e presidentit është e pamundur

Deputetët e opozitës nuk duken të gatshëm të kthehen fare në seancë për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, kur kanë mbetur më pak se dy orë deri në përfundim të afatit kushtetues.

Në mungesë të tyre, zgjedhja e presidentit është e pamundur, pasi nevojiten së paku 80 deputetë të pranishëm në sallë.

Në sallë janë të pranishëm vetëm 66 deputetë, ndërsa mungojnë 54 të tjerë.

Haxhiu u kërkon deputetëve të shkojnë në seancë, thotë se nuk i morën leje për të munguar

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, po u bën thirrje vazhdimisht deputetëve të opozitës të marrin pjesë në sallë për seancën për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ajo tha se deputetët e kanë “detyrim” të jenë të pranishëm sipas Kushtetutës së vendit dhe se ata nuk kanë marrë leje për të munguar.

Aktgjykimi në rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacolli për president, të cilit iu referua kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në pikën 83 thotë se “të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar” sipas Kushtetutës dhe ligjeve që të marrin pjesë në seanca plenare, ndërsa pika 84 thotë se ata “duhet ta konsiderojnë si detyrë kushtetuese të tyre” zgjedhjen e presidentit.

Kjo çështje ishte sqaruar në aktgjykimin tjetër të Kushtetueses, për rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president në vitin 2016, kur LVV-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kishin kërkuar që zgjedhja e tij të shpallej antikushtetuese, me arsyetimin se nuk kishin marrë pjesë 120 deputetë në votim dhe se s’ishte përmbushur kuorumi.

Pika 74 e atij dokumenti kishte dalë në përfundim se nuk është as parakusht, dhe as kërkesë kushtetuese, që të gjithë 120 deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë, për të qenë i vlefshëm vendimi i zgjedhjes së presidentit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat