Mbledhja e Qeverisë – Kurti flet për takimin me Macron, shpreh mbështetje për Gazën – këto janë vendimet që u morën

Aktuale

Mbledhja e Qeverisë – Kurti flet për takimin me Macron, shpreh mbështetje për Gazën – këto janë vendimet që u morën

Më: 30 mars 2026 Në ora: 09:34 Përditësuar në ora: 12:02 më 30.03.2026
Albin Kurti

​Kurti: Kryeterroristi Radojçiq duhet t’i dorëzohet drejtësisë, ka 160 faqe aktakuzë ndaj tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se kryeterroristi Milan Radojiq duhet t’iu dorëzohet organeve të sigurisë dhe drejtësisë vendore, pasi siç tha ai, ndaj tij ekziston një aktakuzë prej 160 faqesh.

Aktakuza ndaj Radojçiqit u ngrit më 11 shtator 2024. Themelore të Prishtinës ngrehi aktakuzë për 45 të pandehurit që dyshohet se janë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku i akuzuari kryesor është udhëheqësi i grupit, Milan Radojçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale. Ai madje ka marrë vetë përgjigjësinë për agresionin në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. 

Kreu i ekzekutivit deklaroi kështu në konferencën për media, pas mbledhjes së Qeverisë, derisa foli për dialogun Kosovë-Serbi.

Kurti: Kryeterroristi Milan Radojçiq duhet t’iu dorëzohet institucioneve vendore

“Të cilat kërkojnë mirëbesim dhe kërkojnë siguri juridike, e që vjen nga nënshkrimi i marrëveshjes e që vjen nga tërheqja e letrës së Bërnabiq, e cila aso kohe ishte kryeministre tash është kryetare e Kuvendit në Serbi dhe e cila me datën 13 dhjetor 2023, merreni me mend, Bashkimit Evropian i tha që Serbia nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës. Si mund të bëjmë një dialog, si mund të kemi zbatim të marrëveshjes, si mund të kemi mirëbesim nëse dikush ju thotë publikisht dhe e lë zyrtarisht me letër të shkruar që nuk ta respekton integritetin territorial. Ajo letër duhet të tërhiqet, marrëveshja bazike e Brukselit me aneksin e zbatimit të Ohrit duhet të nënshkruhet dhe mos të harrojmë, kryeterroristi Milan Radojçiq duhet t’iu dorëzohet organeve të sigurisë e drejtësisë në Kosovë sepse bashkë me 44 paramilitarë të tjerë që e vranë heroin e Kosovës Afrim Bunjaku, kanë aktakuzë 160 faqe në Kosovë, ne kemi një proces gjyqësor që po pret të fillojë dhe a duhet të fillojë në mungesë kur ne e dimë ku është ai person? Për ne është e kuptueshme që duhet të fillojë në mungesë kur nuk e dimë ku është personi, mirëpo është absurde që në Kosovë do të na duhet të fillojë një proces gjyqësor në mungesë për një person që e dimë se ku është”, ka shtuar Kurti në konferencë.

Tutje, shefi i ekzekutivit u pyet edhe sa i përket zbatimit të Ligjit për të Huajt, për çka tha se nuk ka probleme në praktikë.

Kurti: Ne nuk jemi kundër serbëve, Serbia është kundër nesh

“Sa kam unë informacion, deri në këto momente nuk ka probleme sa i përket zbatimit të ligjit për të huajt. Ne kemi krijuar një dritare 12 muajshe për ata të cilët nuk do të duhej ta humbin të drejtën e punës e banimit për shkak të mungesës së dokumenteve, por këtë e kemi shoqëruar me një dritare tjetër tremuajshe ku do të mund të pajisen me dokumente legale. Pra, ne nuk jemi kundër serbëve, Serbia është kundër nesh dhe serbët në Kosovë që janë diku rreth katër për qind, ne i trajtojmë qytetarë të Republikës. Nuk harrojmë që ka edhe minoritete tjera, nuk ka veç minoritet serb”, përfundoi ai. 

​Para vendimi final për katërshen e UÇK-së, Gërvalla: Nuk kam asnjë pritje nga Gjykata Speciale

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla theksoi se nuk ka asnjë pritje nga Gjykata Speciale në Hagë sa i përket vendimit final për katërshen e UÇK-së.

E pyetur nga mediat në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë, Gërvalla tha se duhet t’i shtrohet pyetja pse janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim, porse sipas saj nuk i takon asaj në këtë fazë të jep rekomandime, shkak që sipas saj, kjo gjykatw është votuar nga Kuvendi i Kosovës.

Gërvalla:Nuk kam asnjë mendim dhe asnjë pritje nga Gjykata

“Nuk kam asnjë mendim dhe asnjë pritje nga Gjykata ajo duhet ta përfundojë procesin tepër gjatë janë mbajtur të akuzuarit në paraburgim, shtrohet pyetja pse kaq gjatë, mirëpo nuk më takon mua në këtë fazë të jap as rekomandime apo udhëzime gjykatës së votuar nga Kuvendi i Kosovës se çfarë duhet të bëjnë në këtë fazë”, tha Gërvalla.

Ndryshe, më 9 shkurt të këtij viti në Dhomat e Specializuara kanë nisur fjalët përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Katërshja e UÇK-së me 18 shkurt kanë paraqitur fjalët e tyre prej 20 minutash, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Edhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, me pretendimet për krime lufte.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

​“Në përputhje me Kushtetutën”, Gërvalla flet për projektligji për konfiskimin e pasurisë

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se nuk e përjashton mundësinë që pas miratimit në kuvend të projektligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i njëjti mund të ndjek rrugën drejt Gjykatës Kushtetuese.

Ajo tha se është e përgatitur për një hap të tillë.

Gërvalla: Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë në linjë me Kushtetutën

“Edhe pse projektligji që e kemi miratuar sot në qeveri për herë të përsëritur është në linjë me Kushtetutën, është në linjë edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe me rekomandimet e Komisionit të Venedikut. Unë nuk mund ta përjashtojë mundësinë që pasi të miratohet në kuvend, parti të caktuara opozitare në mungesë të argumenteve serioze ose të aftësisë për ta kundërshtuar këtë ligj në kuvend me argumente serioze, do të mund të ndjekin përsëri rrugën drejt Gjykatës Kushtetuese, nuk dua ta paragjykojë por jam e përgatitur edhe për një hap të tillë, i cili faktikisht do ta vononte përsëri këtë ligj kaq të domosdoshëm për të krijuar qartësi edhe në opinion pro edhe në institucione”, deklaroi ai.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar projektligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Dialogu Kosovë-Serbi, kryeministri: Fillimisht të hiqet letra e Bërnabiqit

Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, dhe se çka konkretisht ai diskutoi me presidentin francez, Emmanuel Macon për këtë proces.

Në një konferencë për media, Kurti tha se fillimisht duhet të hiqet letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të nënshkruhen marrëveshja bazike e Brukselit dhe ajo e Ohrit.

“Ne nuk jemi kundër serbëve, Serbia është kundër neve, dhe serbët në Kosovë ne i trajtojmë si qytetarë të Republikës, dhe nuk harrojmë që ka minoritete tjera”.

“Për dialogun në Bruksel ne kemi diskutuar në veçanti në kuptim të zbatimit të marrëveshjeve të cilat kërkojnë mirëbesim, dhe kërkojnë siguri juridike, e që vjen nga nënshkrimi i marrëveshjes, e që vjen nga tërheqja e letrës së zonjës Bërnabiq kur ajo ishte kryeministër, dhe e cila me datën 13 dhjetor 2023 merrni me mend, 27-ësh së Bashkimit Evropian i tha që Serbia nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës. Si mund të bëjmë ne dialog, si mund të kemi mirëbesim, kur dikush thotë publikisht me letër të shkruar, që nuk e respekton integritetin territorial? Ajo letër duhet të hiqet, marrëveshja bazike e Brukselit me Ankesin e zbatimit të Ohrit duhet të nënshkruhet, dhe të mos harrojmë që këtë gjë unë e them në çdo takim me ndërkombëtarët, kryeterroristi Milan Radoiçiq duhet të i dorëzohet organeve të sigurisë e drejtësisë në Kosovë”, tha Kurti.

Kurti për zgjedhjen e presidentit: Do t’i ftoj për takim kryetarët e partive opozitare

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

I pari i ekzekutivit deklaroi se do të bëj ftesa për takime me kryetarët e partive opozitare.

Ai, madje ka ripërsëritur edhe njëherë deklaratën së në seancën e zgjedhjes së presidentit duhet të jenë prezentë 85 ose 86 deputetë.

“Prandaj unë nuk e kisha kohën e mjaftueshme që t’i bëj konsultimet e brendshme për takimet e ardhshme. Padyshim që do të bëj ftesa për takime, për kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim se cilat janë rrugët, ashtu që të arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve. E po e ritheksoj, unë nuk besoj që është mirë të jemi veçse 80 apo 81, duhet të jemi rreth 85, 84 deri në 86 që të jemi të sigurt në mënyrë që ta zgjedhim presidentin aty. Dhe për këtë, do të bëj edhe ftesa, e do të zhvillojmë edhe takime, por çfarë ofertash e kërkesash do të ketë në ato takime, duhet të presim që të ndodhin ato takime”, tha ai.

Kurti kërkon rikthimin e ekspozitës për masakrat, me korrigjime dhe shtrirje në të gjitha komunat

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ka folur për ekspozitën e cila është shfaqur në sheshet e Prishtinës, e cila pasqyroi pasakatësi të masakrave në Kosovë.

Kurti, tha se një ekspozitë e saktë e drejtë dhe e plotë, mbi të gjitha natyrisht e vërtetë për krimet e Serbisë në Kosovë, duhet të rikthehet sa më parë.

“Ekspozita e cila, me sa u mor vesh tashmë është larguar, ajo nuk ndodhet më në shesh. Aty ka shumë masakra që nuk janë përfshirë, por kishte të tilla që kanë pasur gabime në tekst. Ato natyrisht duhet, mos, duhet të korrigjohen e të përmirësohen. E vërteta për ne dhe krimet e kryera në Kosovë duhet të ekspozohen sa më shumë, jo vetëm para botës por edhe para nesh. Në veçanti para të rinjve e brezave që do të vijnë. Për shkak se ju e dini që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë te ne, për të mos thënë gati gjysma, ose kanë qenë fëmijë në kohën e luftës dhe nuk e mbajnë mend qartë, dhe nuk kanë pasur si ta kuptojnë atëherë se çfarë po ndodh krejt, dhe në anën tjetër kemi edhe aq shumë të rinj e të reja që kanë lindur pas luftës. Dhe kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë, jo veç për të kaluarën”, tha ai.

“Ndërkaq që është e rëndësishme edhe për aspektin ndërkombëtar, sepse ne dëshirojmë që bota me të cilën ne kemi ndërveprim të dendur të mos harrojë asnjëherë se çmimi i lirisë e i pavarësisë ishte shumë i lartë, dhe në veçanti në popullsinë civile, sepse shumica dërrmuese e të vrarëve në Kosovë janë popullsi civile, dhe aq shumë ka gra fëmijë e pleq. Tash një ekspozitë e saktë e drejtë dhe e plotë, mbi të gjitha natyrisht e vërtetë për krimet e Serbisë në Kosovë unë besoj që duhet të rikthehet sa më parë. Madje një datë optimale do të mund të ishte qershori, përkatësisht koha kur shënojmë përvjetorin e 27-të të çlirimit të Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Kurti, deklaroi se është me rëndësi që ekspozita të mos jetë veç në Prishtinë, por në të gjitha komunat e Kosovës.

“Dhe jo vetëm kaq, është me rëndësi që ajo të mos jetë veç në Prishtinë, ta kemi një ekspozitë që është nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Sepse vështirë të gjendet ndonjë komunë ku s’ka pasur vrasje mizore e masakra. Dhe është mirë që kur komunat i shënojnë ditët e tyre të çlirimit në javën e dytë e të tretë të qershorit, ta kenë edhe ekspozitën në sheshet e qyteteve anembanë Kosovës për masakrat që kanë ndodhur në ato komuna dhe për këtë gjë i inkurajoj edhe kryetarët e komunave. Jam i të theksoj se çfarë po bën e ka bërë qeveria e Republikës së Kosovës lidhur me të vërtetën dhe drejtësinë për krimet e kryera gjatë luftës nga Serbia në Kosovë, në kuadër të fushatës së saj për drejtësi institucionale për të mos harruar. Në shtator 2022 votuam projektligjin për krijimin e bazës ligjore për trajtimin e krimeve të luftës, në nëntor 2023 e kemi themeluar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë pas 24”, tha Kurti.

Miratohet Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e pasurisë së Pajustifikueshme

Qeveri e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të hënën ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e pasurisë së Pajustifikueshme.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se ky moment shënon fillimin e një rrugëtimi të gjatë drejt jetësimit të kësaj nisme reformuese, e cila sipas saj buron nga nevoja për forcimin e instrumenteve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ky moment shënon edhe fillimin e një rrugëtimi maratonik pothuajse pesë-vjeçar drejt jetësimit të kësaj nisme reformuese, e cila bazuar në analiza dhe hulumtime paraprake derivon nga nevoja e shtimit të instrumenteve dhe kompletimit të infrastrukturës ligjore në fushën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Projektligji tashmë bazohet edhe në tre opinione të Komisionit të Venecias dhe dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese. Këto rekomandime janë reflektuar në tekstin e projektligjit, i cili është punuar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë fushë, vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues institucionalë dhe partnerë ndërkombëtarë, duke përfshirë konsultime teknike dhe analiza krahasimtare për të siguruar që dispozitat të jenë të zbatueshme, proporcionale dhe të mbrojtura me Kushtetutë”, tha ajo.

Ajo shtoi se, pavarësisht se projektligji është miratuar disa herë më parë, ai po ridërgohet për miratim si pasojë e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

“Ky ligj ka një objektiv të qartë: të krijojë një mekanizëm funksional dhe kushtetues për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publikë. Struktura e ligjit bazohet në disa shtylla kryesore: Themelimi i një institucioni të pavarur me mandat të qartë. Përcaktimi i kritereve të rrepta për udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e tij Procedurë e detajuar e verifikimit me afate të qarta. Prag minimal për mospërputhjen financiare. Garanci të plota procedurale për palën, përfshirë të drejtën për mbrojtje, përfaqësim dhe ankesë. Qëllimi i ligjit është i dyfishtë Së pari, të forcojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë duke bërë të qartë se pasuria duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e ligjshme. Dhe së dyti, të ruajë standardet kushtetuese dhe të drejtat themelore, duke siguruar që çdo ndërhyrje në pronë të bëhet vetëm me vendim gjyqësor dhe mbi bazë provash”, tha ajo.

Qeveria merr vendim për dërgimin e trupave të FSK-së në Gaza

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për të dërguar në Kuvend, projektligjin për dërgimin e trupave të FSK-së në Gaza.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se Kosova është e gatshme të ndihmojë popullin e Gazës.

“Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në forcën stabilizuese, dhe të ndihmojmë popullin e Gazës”, tha kryeministri Albin Kurti.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ky vendim është ndërmarrë në kuadër të bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë dhe në përputhje me obligimet ligjore dhe ndërkombëtare të Kosovës.

“Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave të planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate, ftesës së pranuar nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që i referohet rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vullnetit politik të shprehur në favor të paqes, si dhe ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, ka iniciuar procedurat për të kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza. Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare të stabilizimit, e cila ka për mision të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza”, tha ai.

“Gjithnjë duke u bazuar në mandatin e forcës ndërkombëtare të stabilizimit, ku të gjitha operacionet e forcës ndërkombëtare stabilizuese do të kryhen në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare detyruese të zbatueshme, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare, rregullat e angazhimit të forcës ndërkombëtare stabilizuese, marrëveshjet e zbatueshme për mbrojtjen e statusit dhe instrumente të tjera detyruese të zbatueshme. Ky angazhim është në përputhje me rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila ka krijuar kornizën ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Gaza dhe mbështetjen e një force të përkohshme ndërkombëtare me fokus në siguri, stabilitet, mbrojtje të civilëve dhe mbështetje të përpjekjeve humanitare”, tha ai.

Shpëtim Dobra zgjidhet drejtuesi i ri i bordit të Trepça Sh.A

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës , kryeministri i vendit Albin Kurti, ka propozuar emërimin e drejtuesit të ri të Bordit të Trepça Sh.A pas dorëheqjes së kryesuesit aktual.

“Propozoj para jush Shpëtim Dobra, me qëllim të sigurisë së vazhdimësisë të angazhimit të bordit Sh.A”, deklaroi Kurti

Pas hedhjes në votim është miratuar edhe ky vendim.

​Kurti: Në rast kualifikimi në Botëror, priten shpërblime që nuk ua merr mendja

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë shpërblimin prej 500 mijë eurove për Kombëtaren e Kosovës pas suksesit të saj kundër Sllovakisë, triumf ky që dardanët i dërgoi në finalen e playoff-it të Kampionatit Botëror 2026.

Ne mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti theksoi se Kosova arriti një sukses të jashtëzakonshëm duke ardhur deri në finale, pro paralajmëroi edhe shpërblime më të mëdha në rast të kualifikimit në botëror.

Kurti: Në rast kualifikimi do të këtë shpërblime që nuk ua merr mendja

“Në Brastisllavë, në kuadër të playoff-it, për Kampionatin Botëror 2026 ku Sllovakia u njohë me futbollistët e rangut botëror nga Kosova përbëjnë një moment dhe sukses historik për vendin tonë. Në fund të nëntorit i ndamë 250 mijë euro me rastin e sigurimit të playoff-it, e po atë ditë u zotuam se do të ndajmë 500 mijë euro të tjera në rast të fitores ndaj Sllovakisë, ky zotim do të jetësohet sot, por dua që kjo të mos mbarjë këtu. Uroj fort që djemtë tanë shembullorë të cilët pata kënaqësinë t’i takojë mbrëmë ta fitojnë finalen e madhet të playoffit dhe ta shkruajnë emrin e tyre në historinë e futbollit të Kosovës si të parët të cilët e jetësojnë ëndrrën e botërorit. Kualifikimi në Kupën e Botës do ta kuptimsonte shënimin e 10 vjetorit të pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Një fitore nesër po ashtu do të përbënte një arsye për t’u mbledhur sërish ne këtu. Në rast kualifikimi në Kupën e Botës do të ndajmë edhe një milionë euro të tjera për përfaqësuesen tonë në futboll. Në rast kualifikimi, po zotohemi sot se ne rast se shkojmë tutje dhe kualifikohemi, do të ketë shpërblime që nuk ua merr mendja për sukseset që do të pasojnë në Kampionatin Botëror i cili do të mbahet në Shtete e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Kurti.

Ndarja e këtyre mjeteve u votua me unanimitet nga kabineti qeveritar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat