Konjufca dhe Kollçaku tërhiqen nga kandidatura për president
Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministër aktual dhe i propozuar aktual për president është tërhequr zyrtarisht nga kandidatura.
Tërheqjen e bëri publike edhe deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, kandidatja e dytë e propozuar për presidente nga LVV-ja.
Pas tërheqjes së dy kandidaturave, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e mbylli seancën e jashtëzakonshme. / REL
Emillija Rexhepi: Kosova po përballet me testin e pjekurisë institucionale
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, tha se Kosova ndodhet përballë një testi të pjekurisë institucionale dhe përgjegjësisë.
“Kjo nuk është koha për çfarëdo kalkulimesh, as hapësirë për partitë politike që të mbledhin pikë politike parazgjedhore”, tha Rexhepi.
“Çdo shtyrje, çdo pengesë dhe çdo tërheqje taktike e ka çmimin e vet. Këtë çmim do ta paguajnë partitë politike në zgjedhje, por mbi të gjitha do ta paguajnë qytetarët tanë, si dhe kredibiliteti ndërkombëtar i shtetit tonë në tërësi”, shtoi ajo.
Ajo shtoi se nëse sot nuk dëshmohet pjekuri politike dhe përgjegjësi institucionale, “rrezikojmë të hyjmë në një cikël të paqëndrueshmërisë së madhe”. / REL
Kurti akuzon opozitën se kanë bërë koalicione paszgjedhore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se një nga arsyet e bllokadës së zgjedhjes së presidentit është se ka preferenca nga partitë opozitare për koalicione paszgjedhore.
Ai ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të dëmtimit të Vetëvendosjes.
Kurti në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për çështjen e presidentit ka thënë se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit është e përbashkët.
“Koalicionet parazgjedhore janë formë e ndershme e marrëveshjes politike, sepse qytetarët e dinë paraprakisht se kush do të qeverisë bashkë. Por ne kemi koalicione parazgjedhore që s’po lidhen, por që po dihen që janë koalicione paszgjedhore dhe këtu është një pjesë e madhe e arsyes së bllokadës. Ka preferenca për koalicione të padeklaruara. Kjo është kronologjia e fakteve, të tjerat janë manipulime, trillime që qëllimin e kanë sado pak dëmtimin e LVV-së”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se opozita zgjodhi heshtjen kur ju ofrua mundësia për tu bërë pjesë e zgjidhjes
Ai ka thënë se opozita nuk ka sjellë emra dhe nuk kanë paraqitur as në takimet që i kanë zhvilluar.
“Fakti që opozita nuk ka marrë asnjë iniciativë, është dëshmi e qartë e dështimit të marrjes së përgjegjësisë proporcionale . Ne ju thamë, ju propozimet na mbështetjen. Kanë mundur t’i sjellin tre emra, asnjë emër nuk e sollën, as në takimet që kemi pasur asnjë emër nuk e kanë përmend, unë kam përmend emra të partive të tyre”, u shpreh Kurti.
Kurti: LDK përbuzi çdo ofertë që ja bëmë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kritikoi Lidhjen Demokratike të Kosovës për siç tha “përbuzje të ofertave” për marrëveshje politike.
Ai këtë e tha në fjalimin që ai po e mban në seancën e Kuvendit të thirrur për të bërë diskutim lidhur me zgjedhjen e Presidentit.
Në këtë seancë të bojkotuar nga opozita, Kurti tha se partitë opozitare kanë bërë bllokada të njëpasnjëshme institucionale për ta “dëmtuar fituesin e zgjedhjeve”.
“Marrëveshje politike dhe kompromisi për koalicion qeverisës është gjëja më normale. Kompromisi nuk është pazar për të rehatuar figura politike.”, tha ai.
Ai shtoi se në marrëveshje politike duhet pasur parasysh dallimet në peshën elektorale, gjegjësisht votave që ka secila parti. / REL
Kurti: Dështimi në zgjedhjen e presidentit e çon vendin në zgjedhje të reja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku në rend dite është diskutimi për çështjen e presidentit të Republikës së Kosovës, se dështimi në zgjedhjen e presidentit e çon vendin në zgjedhje të reja.
“Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës.
Zgjedhja e presidentit është vendimtare për vazhdimin e funksionimit me kapacitete të plota të qeverisë, të Kuvendit dhe të institucionit të presidentit. Dështimi në zgjedhjen e presidentit e çon vendin në zgjedhje të reja”, tha ai.
Sipas tij, ëllimi i bllokadës së vitit të kaluar ishte për ta dëmtuar subjektin fitues, por ajo në fakt rezultoi në dëm të qytetarëve dhe shtetit.
Haxhiu, opozitës: Po e shtyni vendin drejt krizës së panevojshme
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka folur në seancën e thirrur për zgjedhjen e presidentit, seancë kjo e cila është bojkotuar nga opozita.
Lidhur me këtë, Haxhiu tha se mungesa a tyre prodhon pasoja direkte, derisa u shpreh se gjithashtu e shtyen vendin drejt një krize të panevojshme.
“Mungesa e opozitës është një veprim që prodhon pasoja direkte, bllokimin e një procedure kushtetuese dhe shtyerjen e vendit drejt një krize të panevojshme”.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar këtë çështje në mënyrë përfundimtare “deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç rasteve kur kanë marrë leje të rregullt paraprake”, tha ajo.
LVV planifikon të thërras sonte seancë të jashtëzakonshme për votimin e presidentit
KosovaPress ka mësuar se Lëvizja Vetëvendosje do të thërras sonte edhe një seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit.
Ani pse seanca për diskutimin për presidentin e paraparë për orën 17:00 ende nuk ka nisur, KosovaPress nga burime brenda Grupit Parlamentar ka mësuar se LVV-ja synon të thërras edhe një seancë për votimin e presidentit.
Sipas këtij burimi, interpretimi ligjor i LVV-së edhe se sot në orën 00:00 përfundon afati kushtetues për presidentin.
Për këtë çështje u pyet në konferencë për media edhe shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, mirëpo e njëjta nuk u deklarua.
Nis seanca, opozita s'merr pjesë
Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca e jashtëzakonshme për diskutimin për çështjen e presidentit.
Të pranishëm nuk janë të pranishëm deputetë të partive opozitare.
LVV insiston që opozita të bëjë të propozojë emra për president
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se partia e saj është e gatshme të japë nënshkrimet e nevojshme për tre kandidatë për president, sapo që emrat të propozohen nga PDK-ja dhe LDK-ja.
“Arsyeja e tre kandidatëve është që PDK dhe LDK të bëhen pjesë e procesit. Dhe, do të shmangeshin zgjedhjet e reja sepse do të merrnin pjesë në votim 80 deputetë”, tha ajo.
Nagavci tha se LVV tërheqë kandidatët e saj për president, por opozita duhet që paraprakisht të propozojë të paktën dy emra për president.
Ajo tha se pranuar asnjë nënshkrim nga LDK-ja për të propozuar ish-presidenten Vjosa Osmani për presidente.
E pyetur që të konfirmojë raportimet se LVV po bisedon me Bashkim Jasharin që ai të kandidohet për president, Nagavci tha:
“Nuk mund të konfirmoj informacionin që po qarkullon në media. Ajo që mund të konfirmoj është që si LVV kemi bërë propozime të njëpasnjëshme dhe i fundit ishte propozimi i tre kandidatëve”.
Hamza përsërit se kontributi i PDK-së për presidentin ka përfunduar
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përsëriti qëndrimin se partia e tij ka përmbyllur kontributin për çështjen e presidentit.
Ai tha se të gjitha propozimet e bëra nga partia e tij “nuk janë marrë në konsideratë” nga LVV-ja.
“Ju uroj sukses në zgjedhjen e presidentit me 90 deputetët” e tjerë të Kuvendit, tha Hamza pas përfundimit të seancës së rregullt plenare.
I pyetur nëse do të votonte dikë nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, Hamza tha se në këtë drejtim qëndrimi i partisë nuk ka ndryshuar – teksa paraprakisht kishte shprehur mbështetje për ndonjë kandidat nga kjo familje.
E nëse LDK-ja e propozon ish-presidenten Vjosa Osmani, Hamza tha se ajo mund të zgjidhet me votat e LDK-së dhe LVV-së.
Hamza tha se me LVV-në diskutimet asnjëherë nuk kanë arritur deri te emrat e përveçëm.
Ai nuk tregoi nëse deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në seancën për presidentin. / REL