Pas konsultimeve politike, Haxhiu shpall datën e zgjedhjeve të parakohshme

Aktuale

Pas konsultimeve politike, Haxhiu shpall datën e zgjedhjeve të parakohshme

Më: 30 prill 2026 Në ora: 07:38 Përditësuar në ora: 17:35 më 30.04.2026
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu në konferencë për media

Haxhiu publikon vendimin: Zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor në Kosovë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor.

Sipas saj, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin dhe në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë, ndërsa zgjedhjet duhet të mbahen brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh.

Në kuadër të përgatitjeve për procesin zgjedhor, U.D. Presidentja Haxhiu ka pritur dje në takim Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, me të cilin ka diskutuar për aspektet organizative të zgjedhjeve.

Ndërkaq, sot ajo është takuar edhe me drejtues dhe përfaqësues të subjekteve politike, ku janë diskutuar dhe dëgjuar propozimet e tyre lidhur me datën e zgjedhjeve, në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 7 qershor”, ka deklaruar Haxhiu në një konferencë për media.

Ajo ka theksuar se Kosova ka dëshmuar aftësi për organizimin e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe të besueshme, gjë që, sipas saj, është konfirmuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

U.D. Presidentja i ka uruar punë të mbarë stafit të KQZ-së, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së vullnetit të qytetarëve dhe integritetit të procesit zgjedhor.

“Jam e bindur se edhe kësaj radhe qytetarët do ta thonë fjalën e tyre me dinjitet, qetësi dhe pjekuri demokratike. Subjekteve politike u uroj sukses në fushatë, ndërsa qytetarëve ushtrim të lirë dhe pa presion të së drejtës së votës”, ka shtuar ajo.

Në fund, Haxhiu ka bërë thirrje për një fushatë zgjedhore korrekte, të përgjegjshme dhe në përputhje me standardet demokratike, duke theksuar se Kosova ka dëshmuar këto standarde edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Image
Vendimi

Gjini konfirmon se të jetë kandidat për kryeministër nga AAK-ja

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini bën të ditur se do të jetë kandidat për kryeministër, pas vendimit të Këshillit Drejtues të partisë më 24 maj.

Gjini pas takimit me u.d presidenten, Albulena Haxhiun tha se ka dakordancë me të gjithë partitë politike që data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të jetë 7 qershori, raporton KosovaPress.

Gjini: Ka një dakordancë pothuajse të plotë që data e zgjedhjeve të jetë 7 qershori

“Ka një dakordancë pothuajse të plotë që data e zgjedhjeve të jetë 7 qershori. Edhe ne jemi pajtu edhe pse nuk kemi pasur ndonjë preferencë të posaçme. Zgjedhjet janë një shans, po që pakkush i ka dashtë tash, po zgjedhjet janë një shans, një shans për vendin. Edhe ne po bëhemi gati me ia dhanë Kosovës atë që i duhet, me ia dhanë një stabilitet, me ia dhanë një rrugë të zhvillimit. Edhe po besoj që populli i Kosovës duhet me e shfrytëzua këtë shans”, tha ai.

Gjini tha se AAK është e gatshme për t’ia dhënë Kosovës një qeveri normale, e beteja e saj nuk ka të bëjë me kalim pragu.

Gjini: Ajo betejë nuk ka të bëjë me prag, ka të bëjë me ja dhënë Kosovës një qeveri normale

“Unë jam i propozuar për kandidat për kryeministër dhe për bartës të listës, po duhet me prit vendimin e Këshillit Drejtues. AAK po bëhet gati për një betejë, ajo betejë nuk ka të bëjë me prag, ka të bëjë me ja dhënë Kosovës një qeveri normale, një qeveri që i ka fjalët e buta e punët serioze. Deri tash kemi parë fjalë shumë të forta e punë hiç”, tha ai.

Ai tha se AAK do të garoj e vetme edhe kësaj radhe.

Data e zgjedhjeve u caktua më 7 qershor. Këtë bëri të ditur u.d presidentes, Albulena Haxhiu në një konferencë për media.

Haxhiu: Edhe me dhjetë anëtarë KQZ-së s’i rrezikohet funksionimi, po e trajtoj çështjen

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se ende është në trajtim të çështjes së emërimit të anëtarit të dhjetë në KQZ.

Pas pretendimeve të LVV-së dhe PDK-se për këtë pozitë, Haxhiu e la të hapur edhe mundësinë që KQZ të funksionojë edhe me dhjetë anëtarë.

“Jam në trajtim të kësaj çështjeje dhe me dhjetë anëtarë të KQZ-së aspak nuk rrezikohet as certifikimi i partive politike e të tjerat. Fuqia politike, proporcionaliteti dhe përfaqësimi janë parime që nuk duhet t’i shkelim”, tha ajo.

Ajo foli edhe për shkarkimin të shefit të Misionit të Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari.

“Nuk do ta quaja shkarkim. Çdo kthim nga misione diplomatik...Ka nevojë që shërbimi i jashtëm të funksionojë. Krahas kësaj janë bërë 8 emërime, tri lirime”, tha Haxhiu.

Hamza: Lista zgjedhore e PDK-së do të ketë risi

Lista e kandidatëve për deputet të PDK-së do të ketë risi, tha kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza.

Ai paralajmëroi edhe dhe figura të reja, kur u pyet nëse do të përfshihet në listë Fatmir Limaj dhe bashkëounëtorët e tij nga Nisma Socialdemokrate.

A do të bëjë PDK-ja koalicion me Nismën Socialdemokrate

“Pdk do të shkojë në zgjedhje si PDK dhe si lista e PDK-së. brenda listës së PDK-së sigurisht se do të ketë risi, emra dhe figura të tjera”, tha ai.

Këto komente Hamza i bëri pas takimit me ushtruesen e detyres së presidentes, Albulena Haxhiu për të diskutuar për datën e zgjedhjeve të reja.

Ai tha se të gjitha partitë në këtë takim ishin të përcaktuara që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor.

Hamza: Shumica e partive politike të përcaktuara për 7 qershor

“Për PDK-në cilado nga datat brenda afateve kushtetuese është e pranueshme qoftë 31 maji apo 7 qershori. Ne jemi të përgatitur dhe të gatshëm të shkojmë në zgjedhje…shumica e partive politike të përfaqësuara në këtë takim kanë qenë të përcaktuara për datën 7 qershor dhe ne do të marrim në konsideratë që zgjedhjet të jenë të përgatitua dhe KQZ-ja ka punën dhe vëllimin e vet të përgatitjes. Prandaj jemi fleksibilë se a është 31 maj apo 7 qershor”, tha ai. 

Jehona Lushaku-Sadriu: 7 qershori, datë e përshtatshme për zgjedhje

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka takuar përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK, është deklaruar pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun rreth datës së zgjedhjeve.

Ajo tha se LDK propozoi 7 qershorin si datë adekuate për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Si LDK dhamë opinionin tonë që të shpallet data e 7 qershorit si data e zgjedhjeve, pasi ishte një arsyetim edhe i KQZ-së për një organizim sa më profesional të zgjedhjeve, dhe ne e mirëkuptojmë këtë kërkesë”, tha Lushaku-Sadriu

​Këto parti politike pajtohen që 7 qershori të jetë data e zgjedhjeve

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë shprehur dëshirën që zgjedhjet e reja të parakohshme të mbahen me 7 qershor, raporton KosovaPress.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza tha se cilado nga datat 31 maj a po 7 qershor është e pranueshme për ta.

I pyetur për bashkëpunimin me Fatmir Limajn e Nisma-s, ai tha se PDK do të shkojë në zgjedhje me listë të saj.

Zgjedhjet me 7 qershor i kërkoi edhe Jehona Lushaku e LDK-së dhe Ardian Gjini nga AAK-ja.

Në orën 16:30, u.d e presidentes, Albulena Haxhiu në një konferencë për media pritet të caktojë datën e zgjedhje.

Nis takimin për datën e zgjedhjeve

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka nisur takimin me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Në takim janë kryetari i PDK-së Bedri Hamza, nënkryetarja e LDK-së Jehona Lushaku – Sadriu, Donika Gërvalla nga partia Guxo, Ardian Gjini nga AAK dhe përfaqësuesit e tjera nga partitë e komuniteteve.

Haxhiu dje zhvilloi takimin me kryesuesin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi për të diskutuar për procedurat e zgjedhjeve.

Në mes të 31 majit dhe 8 qershorit, Radoniqi propozoi datën e fundit si më të favorshme.

Hamza s’ka preferencë për datën e zgjedhjeve

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza është deklaruar për media pak para nisjes së takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun, rreth caktimit të datës së zgjedhjeve.

I pyetur se cilën datë PDK e preferon për zgjedhje, Hamza tha se nuk ka një të tillë.

“Cilëndo brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Ai po ashtu deklaroi se do ta respektojnë cilën do datë, e cila do të jetë brenda afateve kushtetuese

Partitë konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e Haxhiut për zgjedhjet

Partitë politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin konsultativ të thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare, i cili pritet të mbahet sot në orën 15:00.

Përfaqësues të subjekteve politike, PDK, LDK dhe AAK, që deri ishin në opozitë kanë bërë të ditur se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Presidencës.

Sekretarja e Përgjithshme e Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, konfirmoi pjesëmarrjen, duke deklaruar: “Po kemi marrë ftesë dhe marrim pjesë. Takimi mbahet në orën 15:00”, tha ajo.

Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, e cila u shpreh shkurt se ‘do të marrin pjesë në takim’.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e konsultimeve, ku do të përfaqësohet nga nënkryetari Ardian Gjini.

Takimi vjen pas koordinimit të Presidencës me kryesuesin e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ku janë diskutuar afatet ligjore, përgatitjet administrative dhe nevoja për një proces zgjedhor pa vonesa dhe me standarde të larta profesionale

Data e zgjedhjeve, Haxhiu takon sot partitë politike

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu pret sot në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Takimi mbahet në ora 15:00.

“Në orën 15:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu pret në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme”, thuhet në njoftim.

Haxhiu një ditë më parë takoi kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Radoniqi ka deklaruar se përgatitjet për zgjedhje kërkojnë kohë dhe se procesi nuk është i lehtë, duke theksuar se data më e mundshme për mbajtjen e tyre është 7 qershori.

Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Radoniqi tha se ende nuk është diskutuar çështja e buxhetit për zgjedhjet në KQZ.

“...Çështje e buxhetit ende nuk është diskutuar në KQZ, po besoj do të jetë përafërsisht si zgjedhjet e kaluara. Na nevojitet përgatitje, nuk është proces i lehtë… Dy data 31 maj ose 7 qershor, kështu që për mendimin tonë është 7 qershori, por prapë le t’i mbetet presidentes”, u shpreh të mërkurën Radoniqi.

Kosova shkon në zgjedhje të reja pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat