Një raport i publikuar nga “Lord Ashcroft Polls”, i shpërndarë edhe nga aktivisti Rron Gjinovci, nxjerr në pah disa të dhëna interesante për perceptimet e qytetarëve në Kosovë dhe rajon.
Sipas të dhënave të publikuara, Kosova renditet ndër vendet me përgjigjet më pozitive në rajon sa i përket gjendjes financiare personale krahasuar me dy vite më parë.
Në pyetjen “A jeni financiarisht më mirë apo më keq se dy vite më parë?”, 42 për qind e të anketuarve në Kosovë janë përgjigjur se janë më mirë, ndërsa 23 për qind kanë thënë se janë më keq.
Kjo e vendos Kosovën në krye të vendeve të rajonit për përgjigje pozitive, krahas Shqipërisë, ku 40 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se janë më mirë financiarisht.
Ndërkohë, një tjetër e dhënë e raportit lidhet me perceptimin për ndikimin e jashtëm në politikë.
Sipas grafikut të publikuar, 51 për qind e të anketuarve në Kosovë pajtohen me konstatimin se “vendet e huaja po përpiqen të ndikojnë në politikën e vendit përmes dezinformimit, propagandës dhe metodave të tjera”.
Këto të dhëna vijnë në një kohë kur çështjet e ndikimit të jashtëm, propagandës dhe dezinformimit janë bërë pjesë e debatit politik e publik në Kosovë dhe më gjerë në rajon.
Të dhënat e publikuara nga “Lord Ashcroft Polls” për Kosovën dhe vendet e rajonit / Foto: Rron Gjinovci – Facebook