Në 29-vjetorin e rënies është kujtuar dhe nderuar heroi Luan Haradinaj. Homazhe tek lapidari i tij në Deçan, bën kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj si dhe, qytetarë dhe familjarë.
Ramush Haradinaj, njëherësh i vëllai i heroit, tha se është detyrë që të nderohen heronjtë dhe dëshmorët e vendit.
Haradinaj: Është detyrë jona të nderojmë heronjtë e dëshmorët e vendit
"Edhe dje, edhe sot po vazhdojmë nderimet për të gjithë dëshmorët e kombit. Është traditë tashmë që të nderohen aty ku pushojnë, pra në varreza por edhe në vendbeteja. Sot veçanërisht e kujtojmë Luan Haradinajn, në betejën e Qafë Mullarit, më 6 maj 1997, ku ra dëshmori Luani, është plagosur Rafeti e Fehmiu. Është detyrë e jona me i nderu edhe dëshmorët e shumtë, siç ishte Ismail Haradinaj, themelues i idesë së ndarjes së Kosovës nga Jugosllavia. Ishte vërtet një nder i madh, një prezencë aq e madhe te memoriali në Gllogjan ku pushojnë dëshmorët e heronjtë, ku kishin ardhur nga të gjitha trojet e atdheut", tha Haradinaj.
E, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, uroi nënën e Ramudh e Luan Haradinaj, Rukën për ditëlindjen e saj, duke thënë se ka arsye për ta festuar pasi ditë më parë martoi Luanin e ri.
Ramosaj i uron ditëlindjen nënës së Ramush Haradinajt
"Së pari ju falënderoj sot në praninë tuaj këtu të mundemi me bë nji nderim, për shkak se na ka thënë shpeshherë 'mos harroni t'i nderoni dëshmorët', sepse sot është ditëlindja e Luanit. Dhe këtë çdo kush që është prind e kupton, andaj para se me iu ftu për me bë një nderim, po du me ia uruar asaj nane ditëlindjen për një arsye krejt të veçantë, sepse e ka martu Luanin e ri para dy ditëve, e ka arsye për me ia uruar ditëlindjen për shkak se familja po shtohet e po rritet", tha Ramosaj.
Komuna e Deçanit ka organizuar edhe dje homazhe në nderim të martirëve të fshatrave të kësaj komune.