Gërvalla flet për raportet me Vjosa Osmanin

Aktuale

Gërvalla flet për raportet me Vjosa Osmanin

Më: 20 maj 2026 Në ora: 22:57
Donika Gërvalla

Donika Gërvalla ka folur për raportet me ish-bashkëpunëtoren e saj politike, Vjosa Osmani, pas largimit të kësaj të fundit nga iniciativa Guxo dhe afrimit me Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e fundit.

E ftuar në emisionin “Këndi i debatit”, Gërvalla u pyet nëse është e vërtetë që nuk flet më me Osmanin, por ajo refuzoi të japë një përgjigje konkrete.

“Ajo është një çështje mes meje dhe zonjës Osmani, e cila nuk është temë për publikun. Unë nuk po them as që flas e as që nuk flas”, është shprehur Gërvalla.

E pyetur nëse mes tyre ka mbetur ndonjë hatërmbetje personale apo politike, Gërvalla tha se nuk ka asgjë personale ndaj Osmanit, por kritikoi mënyrën se si, sipas saj, disa ish-bashkëpunëtorë largohen dhe më pas sulmojnë kolegët e dikurshëm.

“Unë nuk kam asgjë personale me Vjosa Osmanin, e as politike. Nuk them që e kam mirë tash, sepse e kam konkurrente, mirëpo unë nuk dua ta përqafoj shprehjen e keqe që me njerëzit me të cilët ke punuar me vite të tëra, pa prit e pa kujtu merr një vendim, del në krahun tjetër dhe fillon t’i shash ish-kolegët e tu. Unë nuk i shaj ish-kolegët e mi, unë iu dëshiroj sukses në vizionin e tyre”, ka deklaruar ajo.

Tutje, Gërvalla tha se ka vendosur të vazhdojë rrugën politike aty ku kishte nisur bashkë me Osmanin dhe bashkëpunëtorët e tjerë.

“Kur e kanë marrë vendimin për të shkuar atje, motivet e tyre me siguri kanë qenë pozitive. Unë nuk duhet të pajtohem me motivet e tyre, mirëpo unë kam qëndruar aty ku me Vjosa Osmanin dhe të tjerët kemi shkuar bashkë. As nuk e kam në plan të lëviz e as të heq dorë për të vazhduar punët e mira që kemi nisur. Ai që e braktis anijen nuk duhet të hedhë gurë mbi anijen, por duhet të pranojë që ka zgjedhur një rrugë tjetër”, ka thënë Gërvalla.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat