Kurti: S’kishim nevojë për zgjedhje të reja, së shpejti nis puna për formimin e institucioneve

Aktuale

Kurti: S’kishim nevojë për zgjedhje të reja, së shpejti nis puna për formimin e institucioneve

Më: 24 qershor 2026 Në ora: 09:40 Përditësuar në ora: 10:37 më 24.06.2026
Pamje nga mbledhja e qeverisë

Funksionalizohet Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka njoftuar emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, duke e cilësuar këtë hap si të domosdoshëm për garantimin e të drejtave të viktimave dhe forcimin e mbështetjes institucionale që u takon atyre sipas legjislacionit në fuqi.

Sipas saj, ky vendim vjen si pjesë e angazhimit institucional për të siguruar funksionimin e pandërprerë dhe efikas të mekanizmave që kanë për detyrë trajtimin dhe mbështetjen e viktimave të krimit.

“Duke reflektuar angazhimin tonë për respektimin e të drejtave të viktimave dhe për garantimin e mbështetjes institucionale që u takon, kemi marrë veprimin e domosdoshëm për emërimin e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Kemi parasysh rëndësinë e zbatimit të ligjeve në fushën e drejtësisë dhe nevojën për funksionim të pandërprerë dhe efikas të institucioneve që shërbejnë në mbrojtje të qytetarëve dhe të drejtave të tyre”, ka deklaruar Gërvalla-Schwarz gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Ajo ka theksuar se institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë me profesionalizëm dhe në koordinim të plotë për të siguruar që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në drejtësi dhe në mekanizmat mbështetës që parashihen me ligj.

“Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të sigurojë transparencë, profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional në ushtrimin e përgjegjësive të saj. Ky proces është pjesë e vizionit tonë për një sistem drejtësie të besueshëm, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, ku të drejtat e viktimave mbrohen dhe garantohen në praktikë, jo vetëm në letër”, është shprehur ajo.

Duke folur për rëndësinë e këtij hapi, Gërvalla-Schwarz ka nënvizuar se krijimi dhe funksionalizimi i Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit kontribuon në ruajtjen e standardeve kushtetuese dhe në zbatimin e plotë të legjislacionit.

“Ky veprim synon të ruajë standardet kushtetuese dhe të sigurojë zbatimin e mirëfilltë të së drejtës dhe ligjeve në fuqi. Përmes këtij komisioni, ne po forcojmë mekanizmat institucionalë që garantojnë trajtim të drejtë dhe mbështetje për viktimat e krimit, duke dëshmuar përkushtimin tonë për një sistem drejtësie që i shërben qytetarëve me përgjegjësi dhe integritet”, ka përfunduar ministrja në detyrë e Drejtësisë.

Emërimi i Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit konsiderohet një hap i rëndësishëm në avancimin e mbrojtjes së të drejtave të viktimave dhe në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Qeveria në detyrë ndan 3 milionë euro për t’ia mbuluar sigurimin kufitar mërgatës

Qeveria në detyrë ka miratuar propozim-vendimin për ndarjen e 3 milionë eurove për mbulimin e policës kufitare, përkatësisht Kartonit të Gjelbër, për mërgimtarët që vijnë në Kosovë gjatë sezonit veror.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se mjetet do të shërbejnë për zbatimin e masës për mbështetjen e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, duke filluar nga muaji korrik e tutje.

“Duke filluar nga muaji korrik e tutje, ne si qeveri ndajmë mjetet për të mbuluar policën kufitare apo atë siç quhet Kartoni i Gjelbër për mërgatën tonë, të cilët hyjnë me vetura në vizitë apo për qëndrim në Kosovë përgjatë kësaj periudhe. Prandaj, si e tillë, propozim-vendimi parasheh ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 3 milionë euro, për zbatimin e masës 4.5, mbështetja e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike”, tha ai.

Në mbledhjen e Qeverisë, janë miratuar edhe 13 pika të rendit të ditës, përfshi shqyrtimin e nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit për projektin e qasjes gjithëpërfshirëse të Kosovës për Forcimin e Sistemit Shëndetësor, e edhe ndarje buxhetore për financimin e disa projekteve kapitale në jug të Mitrovicës, Shtime, Pejë dhe Podujevë.

Kurti: S’kishim nevojë për zgjedhje të reja, pas certifikimit të rezultateve nisim punën për formimin e institucioneve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet e 7 qershorit nuk ishin të nevojshme dhe se rezultati i tyre e dëshmon këtë, duke theksuar se qytetarët kanë folur sërish qartë.

“Po takohemi fizikisht pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 shkurtit. Më lejoni t’i uroj qytetarët për procesin e rregullt, të lirë dhe demokratik zgjedhor. Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë e ripërsëritur para se ato të ndodhnin”, ka thënë Kurti në mbledhjen e parë fizike të Qeverisë pas zgjedhjeve të parakohshme.

Ai shtoi se pas certifikimit të rezultatit do të nisin punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja.

"Sido që të jetë, qytetarët folën sërish qartë. Rezultati duhet të pranohet e të respektohet, dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale, demokratike, të angazhuara e të përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, për siguri e mbrojtje, industri e prodhim, investime të mëdha infrastrukturore, nga hekurudhat, te digat e jo vetëm. Andaj, posa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja, konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re, dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, tha ai.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti foli edhe për arrestimin e pesë ish-pjesëtarëve të policisë serbe të dyshuar për përfshirje në masakrën e Reçakut, duke kritikuar mungesën e veprimeve për këtë rast për më shumë se dy dekada.

“Afër 27 vjet e gjysmë pas masakrës së Reçakut, janë arrestuar pesë ish-pjesëtarë të policisë së Serbisë. Ndërkohë që në njërën anë përgëzojmë institucionet për arrestimin e të dyshuarve, pas siç u tha, një hetimi prej gjashtë muajsh, nuk mund të mos vëmë në spikamë faktin se deri në vitin 2020, askush nuk është marrë me këtë rast. Rrjedhimisht, nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjë nuk ishte për masakrën e Reçakut. Në njërën anë kemi arrestim pas gjashtë muajsh hetim, e në anën tjetër, kemi më shumë se dy dekada dështim apo kurrfarë përpjekjesh për ndjekje të përgjegjësve dhe zero angazhim për drejtësi lidhur me këtë rast”, tha ai.

Kurti e nisi mbledhjen duke shprehur ngushëllime për familjet e tre të rinjve që humbën jetën ditëve të fundit në dy raste të ndara.

“Jam thellësisht i pikëlluar nga vdekja tragjike e tre të rinjve tanë në dy raste të ndryshme ditëve të fundit. Motrat Erza dhe Aulona Zubaku në një aksident rrugor në Gjermani dhe Valmir Morina në vendin e tij të punës në Prizren. Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet Zubaku nga komuna e Kamenicës dhe Morina nga komuna e Malishevës”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat