Nis gjykimi për vrasjen e policit Muhamet Lika, pritet dëshmia e 12 personave

Aktuale

Nis gjykimi për vrasjen e policit Muhamet Lika, pritet dëshmia e 12 personave

Më: 23 korrik 2026 Në ora: 08:20 Përditësuar në ora: 11:19 më 23.07.2026
Muhamet Lika

Prokurori: Video-incizimet dëshmojnë se vrasja e rreshterit Muhamet Lika ishte e planifikuar

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj po vazhdon shqyrtimi gjyqësor për rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, ku prokurori Ismet Rrahmani, në fjalën e tij hyrëse, deklaroi se provat materiale dhe video-incizimet e kamerave të sigurisë dëshmojnë se vrasja ishte e planifikuar dhe se të akuzuarit kanë ndihmuar autorin e dyshuar para, gjatë dhe pas kryerjes së krimit.

Sipas prokurorit, 1 prilli i vitit 2025 kishte nisur si një ditë e zakonshme pune për rreshterin Muhamet Lika, i cili pas përfundimit të orarit të punës në Kaçanik, rreth orës 22:54, u nis drejt banesës së tij, por nuk arriti kurrë në destinacion.

“Arsyeja ishte se u privua nga jeta me armë zjarri nga i mituri Rejhan Bela”, ka thënë Rrahmani.

Ai theksoi se nga analiza e video-incizimeve të kamerave të sigurisë janë identifikuar personat e përfshirë në rast dhe se, sipas Prokurorisë, Rejhan Bela është autori i drejtpërdrejtë i vrasjes, ndërsa pesë të pandehurit e tjerë kanë vepruar në bashkëkryerje duke i ofruar ndihmë para, gjatë dhe pas ekzekutimit të krimit.

Prokurori u shpreh se provat, përfshirë video-incizimet, lokacionet dhe dëshmitë e dëshmitarëve, do të dëshmojnë se ngjarja nuk ishte spontane, por rezultat i një përgatitjeje të qëllimshme që kulmoi me vrasjen e rreshterit Lika.

Në fjalën e tij, Rrahmani përshkroi edhe rolin që, sipas aktakuzës, kanë pasur të akuzuarit. Ai tha se Rilind Murati është parë në shoqëri me Rejhan Belën gjatë kohës së kryerjes së vrasjes, ndërsa Vatan Çaka është filmuar së bashku me Muratin dhe Belën duke vëzhguar vendin e ngjarjes para se të ndodhte krimi.

Sa i përket Edmond Likës, prokurori deklaroi se ai është parë në shoqërinë e Shkëlqim Kukës duke ndjekur lëvizjet e rreshterit Muhamet Lika pas daljes nga stacioni policor. Sipas Prokurorisë, pasi viktima kaloi pranë tyre, Edmond Lika zbriti nga vetura “Opel”, pronë e Shkëlqim Kukës, dhe vazhdoi me veturën e tij “Golf 2” në drejtim të vendit ku u krye vrasja.

Nis gjykimi për vrasjen e policit Muhamet Lika

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka nisur shqyrtimi gjyqësor ndaj personave të akuzuar për veprën penale “Vrasje e rëndë” në rastin e vrasjes së zyrtarit policor Muhamet Lika.

Seanca e parë është udhëhequr nga gjyqtari Ilir Bytyqi, ndërsa gjatë paraqitjes fillestare i akuzuari Haki Bela është deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Gjatë procesit gjyqësor pritet të dëgjohen disa dëshmitarë, përfshirë Nehat Likën, Sabedin Laçin, Pajazit Elezin, Armend Rakën, Driton Dardhishtën, Adriatik Vishin, Egzon Tushën, Elmedin Rakën, Xhelal Çakën, Hamit Reçicën, Nderim Osmanin dhe Violeta Mulakun.

Sipas njoftimeve nga seanca, për këtë proces janë planifikuar dëgjime të dëshmitarëve në fazat e ardhshme të shqyrtimit gjyqësor.

Vazhdon gjykimi për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj do të mbahet seanca e radhës gjyqësore në rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.

Seanca është caktuar të mbahet sotnga ora 09:00, ku pritet të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj gjashtë të pandehurve të akuzuar për përfshirje në vrasjen e zyrtarit policor.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, më 9 janar të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave me inicialet H.B, R.M, V.Ç, E.L, SH.K dhe D.G.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje, më 1 prill 2025 rreth orës 23:00 në Kaçanik, kanë privuar nga jeta rreshterin Muhamet Lika me armë zjarri, duke vepruar sipas Prokurorisë me përgatitje paraprake dhe me përfshirjen edhe të një personi të mitur.

Prokuroria ka kërkuar që pas shqyrtimit të të gjitha provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, ndërsa ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit deri në përfundim të procedurës gjyqësore.

Rasti vazhdon të jetë në shqyrtim nga organet e drejtësisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat