Kurti përkujton Adem Demaçin në tetëvjetorin e vdekjes: Mandela i shqiptarëve dhe i Evropës

Aktuale

Kurti përkujton Adem Demaçin në tetëvjetorin e vdekjes: Mandela i shqiptarëve dhe i Evropës

Nga: A.SH Më: 26 korrik 2026 Në ora: 10:43
Adem Demaçi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe në tetëvjetorin e vdekjes së Adem Demaçit, duke e cilësuar atë si simbol të qëndresës dhe rezistencës ndaj regjimit jugosllav e serb.

Në një postim, Kurti tha se Demaçi, i cili kaloi 28 vjet në burg për idealet e tij, mbetet shembull i pathyeshmërisë dhe frymëzim për brezat. Ai e quajti Demaçin “Mandela i shqiptarëve dhe i Evropës”, duke shtuar se trashëgimia e tij politike, kulturore dhe historike vazhdon të orientojë shoqërinë.

“Lavdi jetës dhe veprës së Bacë Adem Demaçit”, përfundoi Kurti.

Postimi i plotë:

Sot, në tetë vjetorin e ndarjes nga jeta bëmë homazhe në nderim dhe kujtim të Bacës Adem, Adem Demaçit, sinonimit të qëndresës dhe rezistencës në kundërshtimin e pushtetit shtypës jugosllav e serb mbi shqiptarët. Për këtë ai sot me të drejtë është Mandela i shqiptarëve dhe i Evropës.

Adem Demaçi është shembulli i pathyeshmërisë dhe përjetësisë. Ai u rrit, mbajti 28 vjet burg, vazhdoi jetën duke mos u lëkundur asnjëherë nga rruga dhe idealet që kishte nisur. Baca Adem e kishte kuptuar dialektikën e jetës ngaqë nuk i frikësohej vdekjes. Ai jetonte mes lirisë dhe burgut. Vuajtjet i kthente në forcë, dhuna ia farkëtonte rezistencën teksa vepra i bëhej i pavdekshme. Ai e “kishte vrarë vdekjen”.

Baca Adem është ndarë fizikisht nga jeta, por veprimtaria e tij vijon të na frymëzojë e orientojë të gjithë neve. Lavdi jetës dhe veprës së Bacë Adem Demaçit dhe gjithë trashëgimisë së tij politike, kulturore dhe historike!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat