Adriatik Dosti me një letër publike për Kurtin: Mos lësho pe, Albin... ec përpara

Aktuale

Adriatik Dosti me një letër publike për Kurtin: Mos lësho pe, Albin... ec përpara

Nga: A.M. Më: 2 shtator 2026 Në ora: 18:21
Adriatik Riza Dosti

Publicisti dhe analisti Adriatik Riza Dosti i është drejtuar me një letër publike kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke i bërë thirrje që të mos tërhiqet dhe të vazhdojë përpara në përballjen me zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Dosti e nis letrën duke iu referuar një porosie që Kurti e kishte marrë nga një e moshuar gjatë një vizite para zgjedhjeve.

Ai rikujton edhe sloganin e përdorur nga Kurti gjatë fushatës, “Shtet për krejt e krejt për shtet”, duke i bërë thirrje që, pavarësisht pengesave, të tregojë se Kosova mund të ndërtojë institucione të forta.

Ai kritikon ashpër një pjesë të deputetëve të LDK-së, duke pretenduar se gjashtë prej tyre nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes LVV-së dhe LDK-së.

Postim i plotë:

**Letër publike Albin Kurtit...**

Mos lësho pe, Albin... kështu të porositi ajo nën-lokja në konakun e vet kur i vajte për vizitë para zgjedhjeve... dhe mbaje premtimin se veç mirë do kesh prej porosisë e amanetit të saj... se po kjo është edhe lutja e popullit të Kosovës për ty, z. Kryeministër.

...Shtet për krejt e krejt për shtet... ky ishte slogani yt para zgjedhjeve... dhe doli për hajër... ndaj, pa humbë kohë, edhe pse me ferra nëpër këmbë... nisjani e tregojani popullit të Kosovës se ai vend aty ka vërtet shtet e se ka burra që vërtet dinë të bëjnë e të vendosin shtet, por edhe të bëjnë gjithçka për shtetin e tyre.

Mos prisni e mos besoni më tek Lumiri e Vjosa, “që se paskan ditë”, se nja 6 prej deputetëve të tyne, me Dullën e Hykmeten në krye, nuk kanë ndërmend ta votojnë Bekim Sejdiun për President, ani marrëveshjes së arritur e firmosur mes LVV e LDK.

Mos prisni që presidenti i ri i Kosovës t’i pëlqejë së pari cubave të PDK-së... Bedrisë e Samisë, por çlironi një orë e më parë Drenicën, njëjtë siç bëtë me Mitrovicën... nga pengmarrës të tillë që, fatkeqësisht, ende flasin shqip.

Mos ju gënjejë mendja se Ramushi e kishte nga koka e vet atë propozimin e Hashimit për president, fill prej Hagës e direkt në zyrë në Prishtinë... pffff.

Harrojeni se një ditë do t’i vijnë mendtë edhe këtij pasuesit të Ramushit... Gjinit, se ky po duket edhe më fort budalla se ai që ishte në krye të AAK-së para tij...

Mos u tut, bre burrë, prej ylberistit amerikan Grenell... ishte po ky mik për kokë e i paguari e i dekoruari i Serbisë që dje të rrëzoi përmes lloj-lloj intrigash e poshtërsish, në lidhje edhe me Ramë-Vuçiqin... e ti u ringrite edhe më i fortë akoma... fitove ti e fitoi populli yt e krejt Kosova dhe këtij fare-amerikani të keq, fund e krye, i le Dopio-Gjashtën në dorë.

Nuk është sot askushi në Amerikë e nuk përfaqëson askënd, aq më shumë zyrtarisht, ky ylberisti Grenell sot në USA, ndaj... go ahead, Albin.

Nuk ke kohë as ti e as Kosova me humbë kot e me gjetë një president që t’i pëlqejë Dullës e derisa t’i dalë inati prej rrëzimit që i paska bërë qeverisë së tij të djeshme Bekimi.

Nuk ke kohë as ti e as Kosova me i shku mbrapa tekave të Hykmetes e Janinës, por veçmas as dhe shpellares Ganë e as me numëru vezët goditëse që nxjerr nga çanta ish-UDB-istja Time Kadria.

Merru shumë më seriozisht me vendin e popullin tënd, Albin, ani pse e di fort mirë se ferrat pa fund po të pengojnë me ecë edhe normalisht...

Mos lejo që ai vend e ai popull të helmohen e të dizinformohen çdo ditë, prej mëngjesit deri në darkë, prej asaj lloj media shqipfolëse, të cilën do ta kishte zili edhe vetë Beogradi, e mes të cilëve shumica prej tyre paguhen prej andej ose prej Tiranës së Vuçiq-vëllaut... Ramoviç me Batonin e Beratin në krye.

Shiko mundësinë e zgjedhjes së Presidentit me referendum popullor, që t’i mbyllësh njëherë e mirë gojët e liga e mendjet e mbrapshta që aq shumë dëm po i bëjnë prej kohësh si Kosovës, po ashtu edhe popullit të saj.

Kurrë mos prit hajër as ti e as Kosova prej atyre që thonë publikisht se... “nuk kena gjo me Listën Serbe, por krejt e kena me Albinin e LVV-në e tij”... ani pse votuesi i mençur kosovar jua dha tri herë rresht përgjigjen brenda 16 muajsh... por ja që edhe vota nuk ta sillka dot mendjen në terezi dhe këtu kam parasysh mendje të mbrapshta si të Bedrisë e Samisë, të Ramushit e Gjinit... të Dullës e Hykmetes... të Batonit e Beratit etj., etj....

E s’di pse më tingëllon fort e pothuajse çdo ditë në vesh ajo frazë fshikulluese, e thënë aq meçurisht e bukur në gegnisht prej Padre At Zef Pllumit... “Kurrë s’kisha me e besue që nji vend kaq i vogël si ky i yni... kish pas mujt me pjellë kaq shumë rrugaça.”

No comment.

Ju priftë e mbara, Albin... ty e Kosovës e veçmas popullit të saj... mos humb më kohë, nëse mundesh... ec përpara e mos lësho pe... të gjithë presim Shtet për krejt, sikurse të gatshëm edhe... krejt për shtet.

Pa dashur ta kaloj masën e të etiketoj ty si Luan e popullin tend si Dele, po të rikujtoj se...

...Luani ecën vetëm... Delet shkojnë në tufë... sepse është mirë kur tufës së deleve i prin një Luan e kurrën e kurrës, kur tufës së Luanëve guxon t’u prijë një Dele...

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat