Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë në orën 14:00, pak pasi deputetët s'arritën ta konstituonin legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e qershorit.
Gjatë vazhdimit të seancës konstituive paraditen e së premtes, Ardian Gola ngaLëvizja Vetëvendosje u zgjodh në postin e nënkryetarit, por jo edhe e propozuara e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku. Deputetët e PDK-së lëshuan sallën dhe paralajmëruan se nuk do të merrnin pjesë më në seancë dhe do t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese.
LVV-ja tha se voton nga një kandidat nga PDK-ja dhe Lidhja Demokratike të Kosovës për postin e nënkryetarit, por tha se nuk voton persona “që duan ta çojnë vendin në zgjedhje”. Arbërie Nagavci nga LVV-ja tha se pret që PDK të bëjë propozimin e ri për postin e nënkryetarit, teksa nga LDK-ja tha se nuk kanë përkrahjen as për të propozuarin e tyre, Kujtim Shala.
Vazhdimi i seancës konstituive të premten paradite nisi me mospajtime lidhur me formën e votimit të nënkryetarëve, por më pas me 71 vota për, u vendos që për pesë nënkryetarët të zhvillohej votim i ndarë.
Ardian Gola i Lëvizjes Vetëvendosje mori 100 vota dhe u zgjodh në këtë post. Por, Vlora Çitaku arriti të merrte vetëm 44 vota, pasi deputetët e LVV-së abstenuan.
Pas kësaj, Haxhiu kërkoi që PDK të bënte sërish propozim për postin e nënkryetarit, por përveç Mërgim Lushtakut, të gjithë deputetët e PDK-së u larguan nga salla plenare.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, duke paralajmëruar se më nuk marrin pjesë në seancën konstituive.
"Nga sot, PDK nuk ka arsye të marrë pjesë në seancën plenare dhe ne do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht. Sot nuk po e respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses për mënyrën e votimit, pasi aty thuhet se duhet të ketë konsensus. Nuk ka konsensus. Ne e votuam kandidatin e LVV, por ata nuk e mbështeten kandidaten tonë", tha kreu i PDK-së, Bedri Hamza, pasi doli nga salla plenare.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, nga data e certifikimit të rezultatit zgjedhor. Ky afat ka skaduar më 7 gusht, por LVV-ja më pas kishte argumentuar se afati vlen nga data e nisjes së seancës konstituive – pra nga 6 gushti. Por, edhe ky 30-ditësh, sipas interpretimit të LVV-së, tashmë ka kaluar.
LVV: Nuk japim votë për persona që duan ta çojnë vendin në zgjedhje
Pas ndërprerjes së seancës, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje tha se partia e saj nuk ka vota për kandidatë për nënkryetarë të Kuvendit, që synojnë “ta dërgojnë vendin në zgjedhje”.
“LVV-ja do të votojë një kandidat të PDK-së dhe LDK-së për nënkryetar. Por, nuk mund të votojmë Vlora Çitaku dhe nuk vazhdojmë tutje në këtë situatë që të konstituojmë Kuvendin, s’mund të japim votë për dikë që synon të na dërgojë në zgjedhje. Pra, LVV e voton një deputet nga radhët e PDK-së, se cili është ai deputet, duhet që PDK të vazhdojë me propozime apo marrëveshje”, tha ajo.
Sipas Nagavcit, seanca do të vazhdojë sot dhe partia e saj është e gatshme ta votojë edhe Qeverinë dhe presidentin po sot.
“Jemi të gatshëm që sot të vazhdojmë me votimin e Qeverisë dhe presidentit dhe nuk mund të garantojmë që 53 votat tona të jepen dhe më pas vendi të çohet në zgjedhje”, tha Nagavci.
Ndërkaq, Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës sqaroi se as për kandidatin e partisë për nënkryetar, Kujtim Shala nuk ka përkrahje nga LVV-ja.
“Shkuam me votim individual, sepse s’kishte përkrahje nga LVV për propozimet tona”, tha Lushaku.
Ajo shtoi se partia është e hapur për dialog për themelimin e institucioneve.
“Ne do t’i përdorim të gjitha format e propozimit dhe votimit. Do të vendosin deputetët e Kuvendit. Të shohim se a do të ketë përkrahje”, tha ajo.