Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka marrë pjesë në protestën që po mbahet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku qytetarë po kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kadrijaj e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Speciale si “gjykim politik”, duke thënë se qytetarët e Kosovës e kanë dhënë verdiktin e tyre përmes pjesëmarrjes në Marshin për Liri, të mbajtur më 12 shtator.
Ajo ka thënë se protestat e mbajtura në Kosovë dhe në Hagë kanë dëshmuar, sipas saj, mbështetjen e qytetarëve për ish-krerët e UÇK-së.
Kadrijaj: Është gjykim politik, është marre për atë që ka ndodhur
“Është gjykim politik, është marrë për atë që ka ndodhur. Edhe bile, verdikti se po ju dënojmë në emër të popullit të Kosovës. Kosova dhe qytetarët e Kosovës e kanë dhënë verdiktin, i kanë shpallur të pafajshëm më 12 shtator, në Marshin për Liri, i cili ka qenë një marsh masiv, ku kanë qenë mbi 200 mijë qytetarë. E keni parë, protesta anembanë Kosovës, në pritje të vendimit. Protesta që është mbajtur në Hagë ka qenë me numër të madh të qytetarëve, jo në emër të Kosovës, jo në emër të qytetarëve të Kosovës. Kjo është puro politike, e ndërtuar me dosje të hartuara nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e Serbisë. UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare dhe një gjykatë e tillë është dashur të krijohet në Serbi, e jo të tejkalohet një vend që ka kryer gjenocid, ka kryer krime dhe dhunime, dhe ushtarët tanë, eprorët tanë, të dënohen dhe ndëshkohen. Është marre kjo”, ka deklaruar Kadrijaj.
Kadrijaj është pyetur edhe për informacionet se po mblidhen nënshkrime për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka thënë se ende nuk është kontaktuar për këtë çështje, por ka deklaruar se Aleanca do t’i përgjigjet pozitivisht një iniciative të tillë.
Kadrijaj: Ende nuk jam kontaktuar për mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme
“Ende nuk jam kontaktuar. Kur të më kontaktojnë, ju e dini se Aleanca ka votuar kundër. Ne e japim nënshkrimin, gatshëm për iniciativën që ka qenë në Kuvendin e Kosovës për shpërbërjen e Kosovës. Ne do t’i përgjigjemi pozitivisht”, ka deklaruar Kadrijaj.