Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se agresioni i 24 shtatorit 2023 në Banjskë përbënte sulmin më të madh ndaj Kosovës që nga çlirimi, duke e cilësuar atë si një sulm të planifikuar dhe të mbështetur nga Serbia.
Sveçla këtë deklaratë e bëri në akademinë përkujtimore në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë përballjes me grupin paramilitar serb në Banjskë.
Sveçla: Serbia përmes terrorizmit të saj tentoi aneksimin e 17% të territorit të Republikës së Kosovës
“Tre vite më parë, Republika jonë u ballafaqua me sulmin e përmasave më të mëdha që nga çlirimi. Një sulm i planifikuar dhe i mbështetur nga karakteri shtetëror i Serbisë dhe i realizuar nga grupet e saj paramilitare.
Që nga orët e para të asaj dite, Banjska u shndërrua në arenë ballafaqimi jo vetëm mes dy palëve, por mes dy qëllimeve. Serbia përmes terrorizmit të saj tentoi aneksimin e 17% të territorit të Republikës së Kosovës. Ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës kishin detyrë të vetme mbrojtjen e qytetarëve, sovranitetit dhe tërësisë me territorin të Republikës sonë, të gjithë dhe secili veç e veç, duke qenë të vetëdijshëm se kjo mund t’u kushtonte edhe me jetë”, tha ai.
Duke folur për rreshterin Afrim Bunjaku, Sveçla tha se ai luftoi deri në momentet e fundit të jetës së tij dhe se tashmë është bërë udhërrëfyes për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Sveçla: Heroi Afrim Bunjaku luftoi deri në momentin e fundit të jetës së tij duke i shërbyer shtetit
“Heroi Afrim Bunjaku luftoi deri në momentin e fundit të jetës së tij duke i shërbyer shtetit. Atë ditë, ai ishte prijësi i policëve tanë, që atëherë ai është udhërrëfyesi i tyre. Rezistenca e tij dhe e Policisë së Kosovës bëri që të zbardhet në tërësi plani i elaboruar detajisht nga Serbia ndaj Republikës sonë. Kjo nuk ishte një rënie e zakonshme dhe pikërisht për këtë është heroike. Afrimi mbrojti kolegët e tij, qytetarët e vendit dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Shteti u mbrojt në tërësinë e saj edhe falë punës profesionale, guximit dhe përkushtimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët edhe pas humbjes së kolegut të tyre, qëndruan të palëkundur në krye të detyrës. Ata u udhëhoqën nga shembulli i Afrimit dhe të dëshmorëve të tjerë para tij, por edhe nga përgjegjësia për të mbrojtur shtetin. Në ato rrethana jashtëzakonisht të vështira, qetësia, disiplina dhe profesionalizmi i tyre dëshmuan forcën e një institucioni i cili edhe përballë humbjes së njërit prej të vetëve, vazhdoi të kryejë misionin dhe të mbrojë Republikën”, u shpreh ministri.