Kancelari gjerman, Friedrich Merz, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kanë kujtuar në Samitin e Procesit të Berlinit në Mal të Zi zotimet e marra në Londër në vitin 2018. Merz bëri thirrje urgjente për përgjegjësi dhe përparim në dialogun Kosovë–Serbi, të cilin e cilësoi si pengesë për të gjithë. Kurti kërkoi drejtësi për krimet e luftës dhe zbardhjen e fatit të mbi 1.500 të pagjeturve, duke përmendur 23 trupat e shqiptarëve të zhvarrosur së fundmi në Zubin Potok.
Samiti i Liderëve u mbajt sot në Miloçer, pranë Budvës, si takimi përmbyllës i kryesimit malazez të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të krerëve të lartë evropianë.
Merz: Nuk duhet t’i hedhim benzinë zjarrit
Kancelari gjerman përdori fjalën hyrëse për një mesazh të drejtpërdrejtë për Prishtinën dhe Beogradin. Ai kujtoi se në samitin e Londrës më 2018 vendet pjesëmarrëse e kishin refuzuar bashkërisht gjuhën e urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.
“Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t’i hedhim benzinë zjarrit”, tha Merz. Sipas tij, kjo vlen edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili në gjendjen aktuale po i pengon të gjitha palët. Ai bëri thirrje urgjente për përgjegjësi dhe përparim.
Merz theksoi se një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm, paqësor dhe ekonomikisht dinamik është thelbësor për të ardhmen e BE-së. Sipas tij, anëtarësimi mbetet objektiv realist për vendet që zbatojnë reformat, por procesi duhet të mbetet i bazuar në merita. Duke folur për protestat në rajon dhe në vendet e BE-së, ai tha se dhuna nuk duhet të jetë opsion për asnjërën palë dhe paralajmëroi kundër polarizimit e retorikës përçarëse.
Kancelari vlerësoi se gjatë 12 vjetëve të Procesit të Berlinit janë arritur rezultate në lëvizjen e lirë të punëtorëve, investimet, turizmin, agjendën e gjelbër dhe shërbimet digjitale. Ai përmendi Malin e Zi si vendin që është më afër përfundimit të procesit të anëtarësimit.
Kancelari u tha liderëve të rajonit se Gjermania dëshiron anëtarësimin e tyre në BE dhe se mund të mbështeten te Gjermania dhe te mbështetja e tij personale. Ai shtoi se BE-ja e ka bërë pjesën e saj dhe se tani reformat dhe vullneti politik duhet të vijnë nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor. Merz përmendi edhe propozimet për zgjerimin që ka paraqitur së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron, shumë prej të cilave, sipas tij, janë pranuar nga Komisioni Evropian.
Kos: Javë dhe muaj me momente vendimtare
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi para fillimit të samitit se rajoni po hyn në një periudhë vendimtare për perspektivën e tij evropiane. “Kemi përpara javë dhe muaj me momente vendimtare”, tha ajo.
Kos i përcaktoi sfidat për secilin vend. Mali i Zi duhet të arrijë vijën e finishit në negociatat e anëtarësimit. Për Serbinë, momenti vendimtar janë zgjedhjet parlamentare të së dielës. Shqipëria duhet të ruajë ritmin e integrimit evropian. Për Kosovën, sipas saj, zgjedhja vendimtare është të vazhdojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit.
Kurti: Tani është koha për statusin e kandidatit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para mediave në Miloçer kërkoi që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim. Si argumente ai përmendi funksionalitetin demokratik, stabilitetin institucional dhe rritjen ekonomike të vendit.
“Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në BE”, tha Kurti. Ai shtoi se do t’u bëjë thirrje të gjithë liderëve të BE-së që t’i kërkojnë Komisionit Evropian një opinion për këtë çështje.
Një ditë më parë, në Shën Stefan, Kurti ishte takuar me komisioneren Kos. Pas takimit ai tha se Kosova, me institucione plotësisht funksionale, do t’i përshpejtojë reformat. Si shembull ai përmendi ligjin e fundit për integrim në zonën SEPA, i cili sipas tij do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit. Ai shtoi se së shpejti nisin edhe negociatat për “Roam like at Home”. Kurti kërkoi mbështetje proaktive nga Komisioni për statusin e kandidatit.
Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat. Perspektiva e saj evropiane mbetet e lidhur edhe me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Kurti me Stockerin në Mal të Zi: BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor
Në seancën plenare, Kurti paralajmëroi se Serbia ka përdorur kundër Kosovës të njëjtat metoda që Rusia përdor kundër Evropës, duke përmendur sulmin në Banjskë dhe shpërthimin në Ibër-Lepenc. Ai tha se Milan Radoiçiqi ende bredh i lirë, i mbrojtur nga aparati shtetëror, dhe u bëri thirrje liderëve të shikojnë nga afër gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në margjinat e samitit, kryeministri Kurti u takua në Shën Stefan me kancelarin austriak, Christian Stocker. Ata biseduan për prioritetet e qeverisë së re dhe për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, sidomos në energji, hekurudha dhe teknologji digjitale. Sipas Kurtit, në këto fusha po investojnë gjithnjë e më shumë kompani austriake dhe diaspora kosovare.
Kurti e informoi Stockerin se Kosova i ka miratuar të gjitha ligjet e nevojshme për integrimin në SEPA dhe se pret që së shpejti të nisin negociatat për zonën e roamingut të BE-së. Ai mbështeti qëndrimin e kancelarit austriak se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe se të gjitha vendet kandidate duhet të trajtohen njësoj. Takimin e mbylli me një batutë futbolli: “Pas 3:1 në Vjenë dhe 1:1 në Prishtinë, po afrohemi edhe në futboll.”
Macut në Miloçer: Çështjet e hapura kanë kornizat e veta, Procesi i Berlinit s’duhet t’i zëvendësojë
Kryeministri i Serbisë në detyrë, Gjuro Macut, deklaroi se anëtarësimi i plotë në BE mbetet qëllim strategjik i vendit të tij dhe se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Macut nuk e përmendi Kosovën me emër. Ai tha se çështjet e tjera politike të hapura në rajon kanë kornizat e tyre të vendosura me mandate të qarta dhe se këto mekanizma duhet ta plotësojnë njëri-tjetrin, jo ta zëvendësojnë. Deklarata erdhi pas thirrjes së kancelarit Merz për përparim në dialogun Prishtinë–Beograd, tri ditë para zgjedhjeve parlamentare në Serbi.
Marrëveshjet e Berlinit dhe çështja e diplomave
Kurti kërkoi gjithashtu që marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit të zbatohen nga të gjitha vendet, duke e përmendur veçanërisht Serbinë. Kosova, sipas tij, i ka ratifikuar të gjitha, përfshirë atë për njohjen e diplomave.
Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë u nënshkrua në Berlin më 3 nëntor 2022, së bashku me marrëveshjet për lëvizjen e lirë me letërnjoftim dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve. Kuvendi i Kosovës i ratifikoi të treja në shkurt 2023, ndërsa Kuvendi i Serbisë më 28 prill 2023. Prandaj kërkesa e Kurtit ka të bëjë me zbatimin e tyre në praktikë.
Kush mori pjesë
Në samit morën pjesë të gjithë liderët e rajonit: Albin Kurti, Edi Rama, Milojko Spajiq, kryeministri i Serbisë Gjuro Macut, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto. Krahas tyre ishin kancelari Merz, kryeministri kroat Andrej Plenkoviq, kancelari austriak Christian Stocker dhe ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad. Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, përfaqësoi kryeministren Giorgia Meloni. Morën pjesë edhe përfaqësues të Bankës Botërore, Bankës Evropiane të Investimeve dhe BERZH-it.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e cilësoi samitin “një ritual të përvitshëm” të rëndësishëm për rajonin. Ai e nisi deklaratën me një shaka për masat e sigurisë në Mal të Zi, duke thënë se aty ka gjithmonë helikopterë mbi kokë.
Spajiq: Mali i Zi i mbyll negociatat me BE-në deri në fund të vitit, Austria merr kryesimin e Procesit të Berlinit
Në konferencën për shtyp pas samitit, kryeministri malazez, Milojko Spajiq, tha se synimi është përmbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2026. Këtë synim ai e cilësoi ambicioz, por të arritshëm. Mali i Zi ka dorëzuar qëndrimet negociuese për kapitujt 23 dhe 24 dhe pret që ata të mbyllen në dhjetor. Spajiq shpreson që në samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit të nënshkruhet traktati i anëtarësimit, me synim që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028.
Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 nga 33 kapitujt negociues, por Kroacia fqinje po e frenon përparimin për shkak të çështjeve të pazgjidhura bilaterale: krimet e luftës, personat e zhdukur, prona shtetërore, kufiri detar dhe anija me vela “Jadran”. Spajiq tha se këto mosmarrëveshje janë të zgjidhshme dhe se beson që të gjitha palët do të tregojnë mjaftueshëm mençuri.
Në fjalimin hapës, Spajiq e cilësoi zgjerimin e BE-së si ribashkim të kontinentit. Duke folur për Ukrainën, ai theksoi se ruajtja e paqes nënkupton që kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë dhe se çdo popull ka të drejtë të zgjedhë të ardhmen e vet.
Me samitin e sotëm, Mali i Zi ia dorëzoi kryesimin e Procesit të Berlinit Austrisë. Gjatë kryesimit malazez u mbajtën 26 ngjarje, 14 prej tyre në nivel ministror, numri më i madh në historinë e nismës.