Analisti politik nga Shqipëria, Ilir Kulla, e ka cilësuar largimin e Aleksandar Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit nga skena politike si ndryshim epokal për rajonin.
Sipas tij, ky zhvillim shënon fundin e një klase politike ultranacionaliste në Serbi, të lidhur me një epokë gjenocidale.
“Me largimin e Aleksandar Vuçiqit dhe të Daçiqit nga skena politike ka ndodhur një ndryshim epokal për rajonin tonë”, ka shkruar Kulla në Facebook.
Eksperti i sigurisë kombëtare dhe studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare ka thënë se ndryshimi shkon përtej largimit të dy figurave politike.
Sipas Kullës, “Serbia politike i dha fund klasës politike jo vetëm ultranacionaliste, por edhe asaj klase që u prodhua nga një epokë gjenocidale me 250 mijë viktima”.
Dje, në Serbi janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Aleksandar Vuçiq, kandidati kryesor i listës Serbia e Bashkuar, deklaroi se Lista Studentore ka fituar numrin më të madh të mandateve në zgjedhje, bazuar në një mostre të shtresëzuar.
"Ende nuk i kemi rezultatet përfundimtare. Shumëkush do të mbetet i habitur dhe do ta kuptoni se sa shumë kanë gënjyer disa të tjerë. Bazuar në një mostre të shtresëzuar, është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje," tha Vuçiq mbrëmë.