27 vjet nga vrasja e Haki Imerit, djali i tij kërkon drejtësi: Nuk do të heshtim

Aktuale

27 vjet nga vrasja e Haki Imerit, djali i tij kërkon drejtësi: Nuk do të heshtim

Nga: A.SH Më: 2 nëntor 2026 Në ora: 14:38
Haki Imeri

Kastriot Imeri kërkon drejtësi për babanë: 27 vjet nga rrëmbimi dhe vrasja e Haki Imerit

Kastriot Imeri, djali i Haki Imerit, ka kërkuar drejtësi për babanë e tij, në 27-vjetorin e rrëmbimit dhe vrasjes së tij.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se rrethanat e këtij krimi dhe përgjegjësit ende presin të zbardhen.

Haki Imeri, mësues dhe veprimtar, u rrëmbye më 2 nëntor 1999, nga persona të maskuar, pasi kishte përfunduar mësimin me nxënësit e tij.

Familja e tij ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që rasti të trajtohet me seriozitet dhe të zbardhet plotësisht.

„Ne nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi”, thuhet në reagimin e familjes, e cila thekson se nuk do të heqë dorë nga kërkesa për të vërtetën.

Postimi në facebook:

Drejtësi për Haki Imerin!

E vërteta nuk mund të mbetet peng i heshtjes!

Sot, më 2 nëntor 2026 bëhen 27 vjet nga rrëmbimi dhe vrasja e Haki Imerit.

Në agun e lirisë, kur Kosova po përpiqej të merrte frymë pas një lufte të gjatë dhe të rëndë, plagë të tjera iu shtuan historisë së saj. Krahas shpresës për një të ardhme të lirë, periudha e pasluftës u shënua edhe nga krime dhe vrasje politike, shumë prej të cilave ende nuk janë zbardhur.

Haki Imeri ishte mësues, veprimtar dhe atdhetar, një njeri që besonte në të ardhmen e Kosovës dhe punoi për të përmes arsimit, veprimtarisë dhe përkushtimit të tij atdhetar. Më 2 nëntor 1999, sapo kishte përfunduar mësimin me nxënësit e tij, ai u rrëmbye nga persona të maskuar. Një jetë e përkushtuar ndaj dijes dhe vendit u ndërpre tragjikisht, ndërsa rrethanat e këtij krimi dhe përgjegjësit për të ende presin të dalin në dritë.

Për ne, si familje, kanë kaluar 27 vjet, por koha nuk e ka shuar dhimbjen dhe as kërkesën për të vërtetën. Pyetjet tona vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.

Ne nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi. Kërkojmë që të zbardhen rrethanat e rrëmbimit dhe vrasjes së më të dashurit tonë dhe që përgjegjësit të japin llogari para drejtësisë.

Deri kur duhet të presim përgjigje? Deri kur krimet e kësaj periudhe do të mbeten pa u zbardhur?

U bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që kjo çështje të mos lihet në harresë, por të trajtohet me seriozitet dhe vendosmëri, deri në zbardhjen e plotë të saj.

Haki Imeri la pas një kontribut që meriton respekt dhe kujtim. Ai ishte pjesë e familjes sonë, por edhe një njeri që i shërbeu arsimit dhe së ardhmes së Kosovës. Prandaj, kujtimi për të nuk mund të ndahet nga kërkesa jonë për drejtësi.

Ne nuk do të heshtim dhe nuk do të heqim dorë nga kjo kërkesë.

Heshtja nuk është drejtësi. Harresa nuk është përgjigje. E vërteta është detyrim!

Drejtësi për Haki Imerin!

Deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës!

Me respekt dhe vendosmëri,

Familja e Haki Imerit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat