Dalin detaje nga aksioni i madh ndërkombëtar në Kosovë, tre të arrestuar dhe vetura të sekuestruara

Aktuale

Dalin detaje nga aksioni i madh ndërkombëtar në Kosovë, tre të arrestuar dhe vetura të sekuestruara

Më: 3 nëntor 2026 Në ora: 08:10 Përditësuar në ora: 13:41 më 03.11.2026
Policia e Kosovës

Aksioni i policisë: Tre të arrestuar në Kosovë për mashtrim me investime të rreme dhe kriptovaluta

Në kuadër të një hetimi për veprimtari të dyshuar kriminale përmes qendrave të thirrjeve dhe platformave të rreme të investimeve, me urdhër të Prokurorisë Speciale, hetuesit nga Drejtoria Ekonomike dhe ajo Kibernetike në Policinë e Kosovës kanë zhvilluar një operacion në pesë lokacione në komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Ferizajt.

Sipas njoftimit të policisë, si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar tre persona M.P., I.H., dhe F.Z., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, mashtrimit, hyrjes së paautorizuar kompjuterike dhe mashtrimit kompjuterik.

Bëhet e ditur se operacioni i zhvilluar në Kosovë, është pjesë e një operacioni ndërkombëtar, në kuadër të të cilit janë zhvilluar urdhër- kontrolle edhe në Shqipëri, Qipro, Izrael, Finlandë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në Kosovë janë sekuestruar përkohësisht: vetura, telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre të pandehurit janë ndaluar për 48 orë.

Tutje, policia bën të ditur se, sipas dyshimeve të deritanishme, personat e përfshirë, duke u paraqitur si agjentë apo ndërmjetës financiarë, dyshohet se kanë mashtruar qytetarë, kryesisht gjermanishtfolës, duke i nxitur të transferonin mjete financiare për investime të pretenduara në instrumente financiare dhe kriptovaluta.

"Fitimet e paraqitura në platformat përkatëse dyshohet se ishin fiktive, ndërsa mjetet e transferuara nuk investoheshin sipas premtimeve të dhëna".

Operacioni në Kosovë, është realizuar në koordinim dhe bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe partnerët ndërkombëtarë. Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit prezent ishin: prokurori nga Prokuroria Speciale, nga Prokuroria në Gjermani së bashku me hetues, dhe ekspert te kibernetikës nga Europol. Ndërsa bashkëpunimi ështe lehtësuar, edhe nga Eurojust.

Aksion i madh policor në Prishtinë, përfshihen edhe autoritetet ndërkombëtare

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (PK) po zhvillojnë një aksion në disa lokacione.

Aksioni po zhvillohet në bashkëpunim edhe me autoritet ndërkombëtare.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e PSRK-së, Arbnora Luta.

“Mund të konfirmojmë që ka aksion, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare”- tha ajo.

Operacion i madh ndërkombëtar, Krimet Ekonomike zbarkojnë në tri qytete të Kosovës

Një operacion i gjerë policor me përmasa ndërkombëtare ka nisur mëngjesin e sotëm në Kosovë, ku forca të shumta policore janë angazhuar në bastisje në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Fushë Kosovë.

Në shënjestër të hetimeve janë dyshimet për shpëlarje të parave dhe veprimtari kriminale me shtrirje ndërkombëtare, ndërsa aksioni po zhvillohet në koordinim me autoritetet e huaja, përfshirë ato gjermane.

Burimet e medias bëjnë me dije se operacioni po realizohet nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës, në kuadër të një hetimi të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Sipas informacioneve që ka siguruar media, bastisjet po zhvillohen me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ndërsa njësitë policore janë angazhuar në disa lokacione të ndryshme.

Ajo që e bën këtë operacion veçanërisht të rëndësishëm është përmasa ndërkombëtare e tij.

Paralelisht me veprimet në Kosovë, sipas burimeve të sinjalit, operacione të koordinuara po zhvillohen edhe në Gjermani dhe në disa shtete të tjera evropiane, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e një veprimtarie të dyshuar kriminale që tejkalon kufijtë e një shteti.

Në shënjestër paratë, ari dhe pajisjet elektronike

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se kontrollet synojnë sigurimin e provave materiale dhe financiare që mund të ndihmojnë në identifikimin e personave të përfshirë dhe gjurmimin e qarkullimit të parave të dyshuara.

Telefona celularë, kompjuterë, pajisje të tjera elektronike, dokumentacion financiar, para të gatshme, ar dhe sende të tjera me vlerë janë ndër kategoritë e provave dhe pasurisë që po kërkojnë hetuesit gjatë bastisjeve.

Hetimet pritet të përqendrohen edhe në analizimin e komunikimeve, transaksioneve dhe lidhjeve të mundshme financiare ndërmjet personave dhe subjekteve që mund të jenë përfshirë në veprimtarinë e dyshuar.

Mashtrimet ndërkombëtare dhe dyshimet për shpëlarje parash

Operacioni vjen në një kohë kur mashtrimet financiare, përfshirë ato të realizuara përmes qendrave të thirrjeve, të njohura si Call Center, kanë qenë objekt i hetimeve të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare.

Skema të tilla mund të përfshijnë mashtrimin e qytetarëve përmes ofertave të rreme të investimit, ndërsa gjurmimi i parave dhe identifikimi i përfituesve përfundimtarë përbëjnë ndër sfidat kryesore të hetimeve financiare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat