Deputeti Eman Rrahmani, anëtar i komisionit parlamentar hetimor për rastin e Arlinda Zekajt, kërkon që zyrtarët përgjegjës për dështimet institucionale të shkarkohen.
“Tashmë ka kaluar koha e dorëheqjes, tash është koha e shkarkimeve”, tha Rrahmani të mërkurën në emisionin “Debat Plus”.
Sipas tij, vendimin për shkarkime duhet ta marrë kryeministri Albin Kurti. Rrahmani tha se hetimi nuk duhet të ndalet te zyrtarët e përfshirë drejtpërdrejt në rast. Ai kërkoi që të hetohet i gjithë sistemi institucional që, sipas tij, dështoi ta mbrojë viktimën.
Rrahmani kritikoi edhe mënyrën si janë trajtuar rastet e dhunës në familje dhe vrasjet gjatë viteve të fundit. Ai pretendoi se këto raste janë shtuar gjatë gati shtatë viteve të qeverisjes aktuale.
Arlinda Zekaj u vra disa orë pasi kishte raportuar dhunën dhe kishte kërkuar mbrojtje nga policia. Rasti ka shkaktuar protesta të përditshme në Prishtinë, të cilat të mërkurën hynë në ditën e tetë. Protestuesit dhe opozita kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ministrat kanë kërkuar t’u lejohet të vazhdojnë punën.