Kryeministri Albin Kurti është takuar në Paris me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Ai tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.
Takimi u zhvillua të mërkurën, më 11 nëntor, në margjinat e Forumit të Paqes në Paris. Kurti njoftoi në platformën X se me Sorensenin diskutuan për tri tema: stabilitetin e plotë institucional pas zgjedhjes së presidentes, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, "me fokus njohjen reciproke".
Një ditë më herët, duke folur para studentëve të Paris School of International Affairs, Kurti kishte kërkuar nga udhëheqja e re e Serbisë që ta pranojë se Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete. Ai kërkoi edhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi si organizatorin kryesor të sulmit në Banjskë. Kurti përmendi gjithashtu njohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së dhe katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë bërë këtë hap.
Takimi me Sorensenin vjen disa ditë pasi ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, deklaroi për Gazeta Express se qeveria është tani më e gatshme për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Rashiq e lidhi këtë me fitoren e Listës Studentore në Serbi. Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se qëndrimi i partisë dhe i qeverisë nuk ka ndryshuar.
Lista Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi, ka deklaruar se dialogu me Prishtinën do të vazhdojë, por brenda kornizës së Kushtetutës së Serbisë.