“Drejtësia nuk njeh kufij”, Gërvalla njofton pesë projektligje për bashkëpunim me Hagën dhe Francën

Aktuale

“Drejtësia nuk njeh kufij”, Gërvalla njofton pesë projektligje për bashkëpunim me Hagën dhe Francën

Nga: A.M. Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 12:04
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe kryeministri Albin Kurti

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka miratuar pesë projektligje që synojnë forcimin e sundimit të ligjit dhe thellimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. Ato përfshijnë ratifikimin e tri konventave të Hagës dhe dy marrëveshjeve me Francën, që lidhen me ekstradimin dhe ndihmën e ndërsjellë juridike.

Sipas Gërvallës, këto akte synojnë të lehtësojnë njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, si dhe të fuqizojnë mekanizmat për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të rënda, përcjell “Bota sot”.

Njoftimi i plotë në Facebook:

Pesë projektligje për forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë

Në mbledhjen e 11-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, miratuam pesë projektligje që thellojnë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar dhe forcojnë mekanizmat e drejtësisë në çështjet civile dhe penale, si në vijim:

■ Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Hagës për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës (2005).

■ Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Ljublanës-Hagës për Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimeve Ndërkombëtare.

■ Projektligjin për ratifikimin e Konventës së Hagës për Aktgjykimet (2019).

■ Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës.

■ Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës.

Këto marrëveshje dhe konventa forcojnë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, lehtësojnë njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, si dhe fuqizojnë mekanizmat për luftimin e krimeve më të rënda dhe ndjekjen e tyre penale.

Republika e Kosovës po e forcon sundimin e ligjit edhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Drejtësia nuk njeh kufij kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit dhe luftimin e pandëshkueshmërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat