Komisioni Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt interviston sot zyrtarët institucionalë

Aktuale

Komisioni Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt interviston sot zyrtarët institucionalë

Nga: A.M. Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 08:09
Fotoilustrim

Dy komisione parlamentare do të zhvillojnë sot mbledhje në Kuvendin e Kosovës, ku në fokus do të jenë hetimet parlamentare për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje do të intervistojë disa zyrtarë institucionalë, transmeton “Bota sot”.

Mbledhja e këtij komisioni është paraparë të nisë në orën 09:00. Para anëtarëve të komisionit do të intervistohen Albulena Mujaj-Bajraktaraj, drejtoreshë e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Samka Drançolli, zyrtare për Barazi Gjinore në këtë komunë, si dhe Blerim Shabani, drejtor i departamentit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Intervistimi i zyrtarëve institucionalë pritet të shërbejë për të sqaruar veprimet dhe përgjegjësitë institucionale në trajtimin e rastit dhe çështjet që lidhen me mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Ndërkaq, në orën 10:00 do të mbahet edhe mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili do të zhvillojë një takim me Komitetin për Mbrojtje dhe Siguri të Odës Ekonomike Amerikane.

Të dyja mbledhjet do të zhvillohen në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat