Pas Radoniqit, buldozerët kthehen në Ujman: Pacolli paralajmëron Batllavën dhe Badovcin

Aktuale

Pas Radoniqit, buldozerët kthehen në Ujman: Pacolli paralajmëron Batllavën dhe Badovcin

Nga: Bota sot Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 11:40
Pamje nga video

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka nisur një fazë të re të aksionit kundër ndërtimeve pa leje përreth liqeneve akumuluese të vendit. Pas përfundimit të rrënimeve dhe pastrimit të terrenit përreth liqenit të Radoniqit, inspektorët e ministrisë janë kthyer sërish te liqeni i Ujmanit, ku këtë herë në shënjestër janë gjashtë objekte të ndërtuara pa leje.

Sipas ministres në detyrë, Fitore Pacolli, në këtë fazë do të rrënohen katër veranda dhe dy shtëpi. Ajo njoftoi se aksioni nuk do të ndalet këtu, por do të vazhdojë përreth liqeneve të Batllavës dhe të Badovcit.

"Ligji do të zbatohet pa përjashtim!", shkroi Pacolli në një postim në rrjetet sociale, duke theksuar se mbrojtja e liqeneve dhe e burimeve ujore është përgjegjësi e përbashkët dhe se ndërtimet e paligjshme që dëmtojnë pasuritë natyrore nuk do të tolerohen.

Ujmani, 17 objekte të rrënuara që nga vera

Liqeni i Ujmanit është bërë qendra e këtij aksioni që nga fundi i qershorit. Objektet ishin ndërtuar pa leje në pronë të ndërmarrjes publike hidroekonomike "Ibër-Lepenci", me kërkesën e së cilës nisën rrënimet, pas një fushate paralajmëruese për lirimin e pronave.

Gjatë verës, me rrafshimin e hotelit "Jezero", numri i objekteve të rrënuara përgjatë bregut të liqenit arriti në 17. Pacolli tha atëherë se aksioni do të vazhdonte "pa kompromis" dhe do të shtrihej edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Policia e Kosovës, e cila ofroi asistencë gjatë operacioneve, deklaroi për KosovaPress se gjithçka kaloi pa rezistencë dhe pa incidente.

Rrënimet në Ujman shkaktuan edhe reagime. Bashkimi Evropian shprehu keqardhje, duke theksuar se banorët e prekur kishin nisur procedura ligjore brenda afatit 15-ditor të caktuar në njoftimet e "Ibër-Lepencit", ndërsa OSBE-ja kërkoi respektimin e procesit të rregullt dhe zbatimin e njëjtë të ligjit për të gjithë. Reagime pati edhe nga Beogradi, përfshirë presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Nga ana e saj, "Ibër-Lepenci" ka këmbëngulur se toka është pronë publike e Kosovës, nën administrimin e saj, dhe se për të nuk mund të vendosë asnjë ndërmarrje serbe.

Nga Radoniqi te Batllava dhe Badovci

Aksioni nuk është kufizuar vetëm në veri. Më 19 gusht, Inspektorati i Mjedisit rrënoi pesë objekte të ndërtuara pa leje në pronë publike pranë liqenit të Radoniqit, në rajonin e Gjakovës. "Prona publike dhe hapësirat tona natyrore do të mbrohen me vendosmëri", kishte shkruar atëherë Pacolli.

Radhën tani e kanë Batllava dhe Badovci, dy liqene me rëndësi të veçantë, pasi janë ndër burimet kryesore të ujit të pijshëm për Prishtinën dhe komunat përreth. Liqeni i Batllavës, që shtrihet në territorin e Podujevës dhe të Prishtinës, ka qenë prej vitesh në qendër të debatit për ndërtimet pa leje në brigjet e tij, ndërsa planet për ndërtime pranë liqenit të Badovcit kanë nxitur më herët reagime të shumta qytetare.

Sipas Pacollit, aksioni do të shtrihet gradualisht edhe në zona të tjera ujore të vendit, me qëllim mbrojtjen e pronës publike dhe të burimeve të ujit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat