Çerkini kërkon që Kosova të përfaqësohet në forumet e BE-së për zgjerimin

Aktuale

Çerkini kërkon që Kosova të përfaqësohet në forumet e BE-së për zgjerimin

Nga: A.M. Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 20:29
Krenare Çerkini

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Krenare Çerkini, ka kërkuar që Kosova të përfshihet në forumet e ardhshme të Bashkimit Evropian për zgjerimin, duke u përfaqësuar nga institucionet e saj.

Përmes një postimi në Facebook, Çerkini ka bërë të ditur se këtë kërkesë e ka ngritur në Komisionin për Integrim Evropian, gjatë takimit me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, dhe anëtarët e delegacionit evropian.

Ajo ka kërkuar një zotim të qartë që Kosova të ftohet në forumet e ardhshme për zgjerimin dhe në takimet për programet e BE-së, në të cilat merr pjesë edhe vendi ynë.

Çerkini ka ngritur gjithashtu çështjen e incidentit në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit në Bruksel, duke kërkuar sqarime se çfarë veprimesh ka ndërmarrë Komisioni Evropian pas shprehjes së keqardhjes dhe çfarë masash do të merren për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.

Një tjetër temë e diskutimit ishte Agjenda e Reformave. Në këtë drejtim, deputetja ka kërkuar nga Komisioni Evropian që t'u japë përparësi drafteve që presin komentet e tij dhe të përcaktojë afate të qarta për kthimin e tyre.

Sipas saj, kjo do t'i mundësonte Kuvendit që t'i shqyrtojë me kujdes reformat dhe Kosovës që të përmbushë kushtet për përfitimin e fondeve, në kuadër të afatit të 31 dhjetorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat